Berisha: Dyfishimi i rrogave të mjekëve dhe infermierëve krijon shërbim shëndetësor dinjitoz!

Berisha: Dyfishimi i rrogave të mjekëve dhe infermierëve krijon shërbim shëndetësor dinjitoz!
Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë së prezantimit të kandidatëve për deputetë të PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore në Berat, lideri i opozitës, Sali Berisha u shpreh se do të ketë dyfishim të rrogave për mjekët dhe infermierët.

Berisha tha se, me rritjen e pagave do të ketë dhe shërbim shëndetësor dinjitoz për shqiptarët, padiskutim që do të dyfishohen rrogat e mjekëve dhe të infermierëve.

“Edi Rama përzuri pronarin e një televizioni të vogël, i cili ishte i lirë, i pavarur. Shqiptarët u gjobitën për shkak të tij, 110 mln euro. Vet udhëton me avion taksi në dispozicion. 21 mln euro, 140 udhëtime në 2 vite, në një kohë kur presidenti i SHBA-ve ka bërë 74 udhëtime.

Bileta stadiumesh, 28 mijë euro. Dhurata fabuloze, 50 mijë euro. Po shkëputesh nga njerëzit kështu, njerëzit ose të duken miza, ose thua: këta nuk ekzistojnë fare. Se ndryshe nuk ka mundësi, se si të pranosh ti pensionin e tyre mesatar 170 euro. Pale minimale që është 100, 120.

Ndaj dhe miq, filozofia jonë është shumë e thjeshtë: T’ua kthejmë paratë ju!

Këtu e nisim. Paratë që marrim nga ju, do ua kthejmë ju të parëve!

Nuk ka Shqipëri madhështore me njerëz në mjerim. Por nuk ka Shqipëri madhështore me arsim në rënie katastrofale. Nuk e themi ne këtë. Këto 12 vite në provën e cilësisë që bën organizata e vendeve të zhvilluara OECD, Shqipëria nga ngjitje vertikale që pati në vitet 2006-2013, pësoi rënien vertikale më të madhe në botë 8 vitet e fundit. E shkatërroi arsimin. E politizoi në shkallë ekstreme. I denigroi mësuesit, i varfëroi ata, i politizoi ai. Por, pa arsim madhështor nuk ka Shqipëri madhështore, ta kemi të qartë. Kurrë!

Ndaj dhe, i garantoj mësuesit, prindërit, nxënësit, se modernizimi i arsimit do të jetë objektivi ynë madhor. Dyfishimi i buxhetit. Rroga e mësuesit do të ejtë 1500 euro dhe do të vazhdojë rritjen.

Arsimi nuk do të ketë shkurtime në personel. Jo, përkundrazi. Do zvogëlohet numri i nxënësve në klasa. Digjitalizimi i sistemit të plotë arsimor dhe aplikimi i teknologjive të reja.

Mesatarja për në universitete, hiqet. Tarifat, të cilat janë sot për universitetet ndër më të lartat në Europë, shkojnë drejt reduktimit në tarifa simbolike, ose hiqen fare.

Në këtë mënyrë, ne ringremë arsimin në Shqipëri. Pa shëndetësi moderne, pa shërbim shëndetësor nuk ka Shqipëri madhështore.

Ndaj dhe ne, kemi vendosur, dhe ju premtoj sot ju këtu, se lista e barnave të rimbursueshme do të jetë pikë për pikë si ajo e republikës italiane.. 100% e rimbursueshme. Ju garantoj, se do të dyfishohet buxheti për shëndetësinë.

Miq, një kryeministër që është kryetar qeverie deklaron se, atje në Onkologjik janë kryer krime kundër njerëzimit, dhe vazhdon sikur nuk ka ndodhur asgjë, mund t’i vësh çdo epitet. Por ajo që është e vërtetë është kjo. Përgjegjës për ato krime kundër njerëzimit është ai, dhe është e vërtetë që aty janë kryer krime kundër njerëzimit. Se aty njerëzit kanë vdekur, jo nga sëmundjet, por nga mungesa e ilaçeve, nga mungesa e mjekimit, dhe vdesin.

Pra, padiskutim që do të dyfishohen rrogat e mjekëve dhe të infermierëve.

A e dini ju që, sot ne në vitin 2013 kishim 1.5 gjer 2 herë mjek më pak se mesatarja e BE. Sot, kemi 4 herë më pak se mesatarja e BE. Po kështu, edhe infermierë.

Dyfishimi i rrogave dhe pensioneve të mjekëve dhe infermierëve është kushti i të gjitha kushteve për një shërbim shëndetësor dinjitoz për qytetarët shqiptarë”, u shpreh Berisha.

Share it :