Gjin Gjoni: 5 vite pa taksa për emigrantët që investojnë në Lezhë, koha për kthim dhe zhvillim
Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, thotë se do të ketë amnisti totale nga taksat për 5 vite, për çdo emigrant që kthehet dhe investon në vendlindje.
Në postimin e bërë në Facebook, Gjoni thekson se Lezha dhe Shëngjini janë ndërtuar mbi sakrificat dhe kontributin e mërgimtarëve, ndaj është koha që politika të tregojë mirënjohje konkrete.
“Kjo nuk është një favor, por një detyrim i vonuar ndaj jush që për 34 vite keni mbajtur në këmbë ekonominë familjare me remitancat tuaja”, shkruan Gjoni
Ai nënvizoi se në 10 vitet e fundit Lezha ka humbur rreth 36 mijë banorë, dhe pas 11 majit, rikthimi i të larguarve dhe nxitja e sipërmarrjes do të jenë në qendër të vizionit të tij politik.
Gjoni premton gjithashtu një klimë të favorshme për biznesin, duke e konsideruar sipërmarrjen si motori i zhvillimit të rajonit dhe vendit në tërësi.
Postimi i kandidatit për deputet të PD, Gjin Gjoni:
5 VITE ZERO TAKSA për emigrantët që kthehen për të investuar në Lezhë!
Lezha dhe Shëngjini janë modeli më i mirë i qyteteve, ku shtëpitë dhe sipërmarrjet kanë në themele gjakun dhe djersën e mërgimtarëve tanë, që prej 34-vitesh e kanë parë vendlindjen me sytë e zemrës.
Në 10 vitet e fundit Lezha ka humbur rreth 36 mijë banorë dhe prioriteti ynë pas 11-‘majit do jetë rikthimi i banorëve të larguar në trevën tonë.
Për këtë cilido mërgimtar që vendos të investojë në Shqipëri duke hapur një sipërmarrje do ketë 5 vite amnisti nga taksat dhe kjo nuk është dhuratë për ju, por detyrim se keni 34-vite që me remitancat tuaja keni mbajtur ekonominë e familjeve në Lezhë, Mirditë e Kurbin.
Përveç taksave, do krijojmë një klime të mirë për sipërmarrjen, që ne e konsiderojmë motor të zhvillimit të vendit.
Vëllezër mërgimtar, ejani të bëhemi së bashku për ndryshimin e madh për Lezhën tonë dhe Shqipërinë.