Kishin listat, kërcënonin qytetarët’/ Spahia: Strukturat kriminale janë partnerë të hapur të qeverisë në fushatë
Kandidati për deputet i PD në Shkodër, Bardh Spahia, deklaroi në emisionin “Çim Peka Live” në Syri TV se Shkodra dhe qytetarët e saj kanë qenë viktima të krimit të organizuar dhe parave të pista gjatë proceseve zgjedhore. Ai tha se qytetarët kanë përjetuar dhunë psikologjike dhe fizike përmes intimidimit dhe kërcënimeve nga grupe kriminale dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore. Spahia theksoi se këto grupe synonin të impononin vullnetin e tyre në zgjedhje.
Ai përmendi një “industri të mirëfilltë” narkotrafiku, të mbështetur dhe të përdorur nga qeveria për qëllime elektorale. Sipas tij, rrjeti kriminal i drogës është kthyer në partner të qeverisjes, duke kontrolluar territore dhe ndikuar në vota. Spahia tha se në zgjedhjet e fundit në Shkodër, strukturat kriminale ishin të angazhuara hapur dhe nuk kishin frikë nga shteti. Ai shtoi se kërcënimet ndaj qytetarëve dhe drejtuesve të PD kishin nisur muaj para ditës së votimit. Gjithashtu, ai paralajmëroi se krimi elektoral është i lidhur jo vetëm me krimin e organizuar, por edhe me institucionet shtetërore.
Spahia: E gjithë Shkodra dhe shkodranët, për hir të së vërtetës, kanë qenë viktimë e përdorimit të krimit të organizuar dhe parave të pista të trafiqeve për efekte elektorale.
Që gjithë qytetarët e Shkodrës kanë vuajtur në kurrizin e tyre të gjithë dhunën e jashtëzakonshme gjatë atij procesi zgjedhor. Dhunën psikologjike, shpeshherë edhe fizike, nëpërmjet intimidimit dhe kanosjes nga ana e këtyre grupeve kriminale, por jo vetëm.
Ka qenë intimidim dhe kërcënim edhe nga drejtues të të gjitha institucioneve shtetërore të cilët impononin vullnetin e zgjedhësve në atë fushatë.
E përmblodhi shumë mirë zoti Hoxha kur tha që këtu kemi të bëjmë me atë çka është evidente tani më, me një industri të mirëfilltë, përdorimi, trafikimi, prodhimi të lëndëve narkotike, e cila është e qartë që është e ideuar, është e iniciuar, e mbështetur dhe e koordinuar nga qeveria dhe madje e përdorur pastaj po nga qeveria për ta rikthyer në favor të saj nëpërmjet përdorimit, në zgjedhjet elektorale.
Unë do ta konsideroja të gjithë atë rrjet kriminal të narkotikëve si partner tani më të faktuar në partneritet me qeverisjen, të cilëve u krijohen hapësira të mjaftueshme për të kontrolluar territorin shqiptar dhe pastaj u kërkohen favoret për efekte elektorale.
Më evidente se kudo tjetër, për mendimin tim, ka qenë përdorimi i këtyre strukturave kriminale kudo në zgjedhjet e fundit në 2023 në Bashkinë Shkodër.
Ishte një përdorim i cili të jepte të kuptoje qartë se këto grupe nuk kishin më frikë sepse nuk ndiheshin në kontestim apo në rivalitet me strukturat e shtetit, por ishin të mbështetura hapur dhe ishin partnerë në një krim elektoral që po kryhej jo thjesht gjatë ditës së votimit, jo thjesht nga ato pamje të atyre autokolonave të makinave që kanë parë shqiptarët.
Ai krim elektoral kishte filluar muaj më parë datës së zgjedhjeve, ku me lista të qarta thirreshin dhe kërcënoheshin jo thjesht demokratët, por edhe qytetarët e thjeshtë, persona influentë, deri edhe njerëz të strukturave të larta të PD, drejtuesve të PD të cilëve u kërkohej mosangazhimi, dhe kërcënoheshin haptas në rast angazhimi në zgjedhje.
Unë po fokusohem vetëm te krimi elektoral i lidhur me strukturat kriminale, por mos harrojmë kemi edhe krimin elektoral të lidhur direkt edhe me strukturat e shtetit dhe institucionet e shtetit.