Berisha: Do të gjejmë ku janë paratë që kanë vjedhur gjatë këtyre viteve dhe do ia kthejmë shqiptarëve
Lideri i opozitës, Sali Berisha, në takimin e zhvilluar në bisnesin fason në Krujë, akuzoi qeverinë për keqmenaxhim të buxhetit dhe zhvatje sistematike të fondeve publike, duke deklaruar se “ne do pastrojmë shtëpinë dhe do gjejmë çdo qindarkë që është vjedhur nga shqiptarët ndër vite”.
Berisha theksoi se rënia ekonomike, mungesa e investimeve dhe shpopullimi janë pasojë direkte e politikave shkatërruese të ndjekura nga qeveria aktuale. Ai premtoi se pas 11 majit do të nisë një epokë e re me reforma të thella ekonomike dhe hetime të forta ndaj abuzimeve me fondet publike.
“Ne jemi optimistë.
Këta kanë një përçmim. Ju e keni dëgjuar Edi Ramën, thotë fasoni industri e botës së tretë, le të ikin, le ti mbyllin.
Urdhëro, të mbyllet, ku ju prodhoni cilësinë më të lartë dhe absolutisht, jo vetëm ju, por shumë ndërmarrje që kam vizituar, jeni krenari kombëtare për prodhimin tuaj.
E botës së tretë, i botës së tretë sepse ky imagjinon që shqiptarët ti përzejë dhe të marrë singalez, etj., me politikat që ndjek.
Ndaj dhe ne kemi shtyllë të dytë më kryesore, prodhimin, prodhimin, prodhimin.
Sepse prodhimi është rroga, është mirëqenie, është ekonomi e fortë, prodhimi është e ardhme. Dhe jo vetëm do bëjmë gjithçka për suksesin në vazhdim të sipërmarrjeve, por do bëjmë gjithçka për tërheqjen e investimeve të huaja.
A e dini ju, nuk ka investitor të huaj më. Nuk vijnë, nuk ka.
Të gjitha rrugët e mëdha, pa përjashtim nga Hani i Hotit në Gjirokastër u ndërtuan me kompani të mëdha.
Por rrugët aty janë, as nuk shemben as nuk lëvizin.
Këta sa fusin salillarët e tyre, rruga u shembet brenda 6 muajve, brenda 1 viti. Jo, ne do hapim Shqipërinë për bizneset.
Do bëjmë gjithçka për një kujdes shëndetësor, cilësor.
Do bëjmë gjithçka që fëmijët tuaj, të shkollohen në shkollat më të mira, të përmirësuara të vendit.
Familja është themeli i shoqërisë tonë dhe çdo fëmijë do ketë bonusin.
Fëmija i parë 70 euro, fëmija i dytë 60 euro dhe këto janë bonuset që japin vendet e pasura, por ne do e bëjmë këtë patjetër.
Shqipëria nuk ka të ardhme nëse nuk përmbysim këtë shkatërrim demografik që mbollën këta.
Kemi që nga 2019 e gjer sot, që më shumë vdesin se sa lindin. Në vitin 2023, Erseka një qytet i tërë ka patur në 12 muaj vetëm 1 lindje. Ne do e ndryshojmë këtë, do e ndryshojmë me forcën më të madhe një situatë të tillë.
Tarifat publike do të zbriten me 5 herë.
Taksat e bashkive, se këta janë të çmendur mbas taksave, nuk do të mund të jenë kurrë më shumë se 1% e xhiros vjetore.
Leje që venë taksa antikushtetuese. Taksa e arsimit thotë ai, që nuk mund ta vejë dot kurrë.
Arsimin e përballon buxheti i shtetit, paguani në buxhet ju. Nuk mund të paguajë bashkia.
Këta kanë vendosur një sistem plaçkitje të shqiptarëve.
Çfarë ndodh, ku shkojnë paratë e buxhetit. Grabiten, grabiten dhe vetëm grabiten.
Ndërtohet unaza e Tiranës, 13 km rrugë, 14 kontrata.
Sepse Rama me Lubinë duan të vjedhin me 14 nënkotraktor.
Kontraktohet djegësi i Tiranës, nuk ka as nam as nishan, pastaj thotë se, po u bë pensioni 200 euro, përmbyset, biem në humnerë, biem në katastrofë.
Nuk biem as në humnerë as në katastrofë. Dhimbje e madhe është kjo, se pensioni duhej të ishte sot 390 euro pa asnjë dyshim. Nëqoftëse pensioni ndiqte rritjen e çmimeve që duhet ta ndjekë patjetër, në mënyrë që njeriu sot, të mos blejë 2-3 herë më pak se në 2013. Pensioni duhej të rritej, rrogat duhej të rriteshin.
Sot ky pension është 160-170 euro dhe thotë se po u bë 200 euro, rrokullisemi.
Jo nuk rrokullisemi, absolutisht jo, përkundrazi nuk mund të vjedhin siç kanë vjedhur. Nuk do mund të zhdukin 130 mln euro për djegësin e Tiranës dhe para dy ditësh e dërguam dosjen me 2 drejtora më të parëndësishmit në atë çështje.
Se ku janë paratë, ku janë paratë, çdo shqiptar duhet të pyesë.
Mirë zotëri e çove dosjen për të dënuar dy drejtorë të bashkisë, po 130 mln euro që nuk kishin asnjë lidhje, se drejtorët e bashkisë, buxhetin nuk e kanë ata, buxhetin e ka qeveria, e ka kryetari. Drejtorat janë thjeshtë njerëz që zbatojnë.
Ku shkuan 130 mln euro, atë e di Edi Rama, në kontot e tij bankare të fshehta.
Ndaj dhe prokurori nuk shqetësohet se ku shkuan ato. Nuk mundet.
Kështu që ne do pastrojmë shtëpinë, do bëjmë gjithçka që të gjejmë këto para, do bëjmë gjithçka të vendosim para ligjit, të gjithë ata që kanë abuzuar me pasuritë e shqiptarëve.
Ndaj dhe ju ftoj të votojmë 1-shin në 11 maj.
‘Shqipëria Madhështore’, është Shqipëria e burrave dhe grave që djersinë, që punojnë, që ndërtojnë jetën dhe familjen, të mirat me djersën e tyre, dhe ju të tilla jeni dhe jam i bindur se së bashku do të ndërtojmë një ‘Shqipëri Madhështore’. Për ju, për ne, për fëmijët tanë, për nipat dhe mbesat tona”, u shpreh Berisha.