Berisha: Do të rritim pagën minimale në 500 euro! Projekti ynë synon nxjerrjen e shqiptarëve nga mjerimi
Kryetari i PD, Sali Berisha ka dhënë garancinë se nën qeverisjen e demokratëve pas 11 majit, paga minimale do të shkojë në 500 euro.
Gjatë takimit në një biznes fason në Krujë, kryedemokrati Berisha tha se projekti ‘Shqipëria Madhështore’, ka për qëllim nxjerrjen e shqiptarëve nga mjerimi dhe varfëria.
Teksa u ndal në zhvlerësimin e euros, Berisha tha se është një rënie që biznesin fason e dëmton në mënyrë shumë thelbësore.
“Përshëndes sipërmarrësit tuaj, që në kushtet më të vështira kanë arritur ta udhëheqin këtë sipërmarrje dhe të shpëtojnë faktikisht nga falimentimet, siç thatë që kanë pësuar me qindra e qindra sipërmarrje eksporte vitet e fundit.
Dua të përshëndes udhëheqësin politik të PD-së dhe koalicionit për qarkun e Durrësit, udhëheqësin për rrethin e Krujës, pra Oerd Bylykbashin dhe Gent Strazimirin, deputetët e mrekullueshëm të kësaj dege, të Krujës, Fushë Krujës, të qarkut të Durrësit të cilët janë të pranishëm këtu dhe ju siguroj se janë për ‘Shqipërinë Madhështore’, një krenari e vërtetë pasi ne kemi bindjen më të madhe se do të jetë përfaqësuesit tuaj më dinjitozë në parlamentin e Shqipërisë.
Unë jam këtu për të paraqitur para jush projektin tonë të ‘Shqipërisë Madhështore’.
Ky projekt siç kanë të njohur dhe kandidatët tanë për deputete, kam theksuar disa herë, synon në shtyllën e parë të tij, nxjerrjen e shqiptarëve nga mjerimi.
Dhe sot, sipas përkufizimit të varfërisë ekstreme, 57% e 760 mijë pensionistëve janë në mjerim, marrin një pension të atillë, që i bie të jenë në mjerim.
Ne do të vendosim një minimum jetik prej 200 eurosh, për çdo pensionist, për çdo të papunë, për çdo njeri në ndihmë ekonomike, për çdo student, për çdo jetim, për çdo fëmijë të një gruaje apo burri familjar.
Së pari me këtë synojmë të lehtësojmë dhimbjen.
Këta kanë nxjerrë një moto se në Shqipëri nuk vdes kush për bukë. Nuk ka gjë më ekzistenciale, më të turpshme. Çfarë do thuash ti me ketë, nuk vdes kush, si mund të diskutohet.
Nuk kanë vdekur. Vetëm në periudhe zie buke, por nuk thotë një shtetar që nuk vdes kush për kafshatën. Por problemi është a e numërojnë kafshatën, problemi është sa e sigurojnë kafshatën. Problemi është jo vetëm për vete, për fëmijët e tyre, sa mund të mbajë sofra e tyre me ato që japin.
E vërteta është se sot, edhe për shkak të sofrës, më shumë për shkak të sofrës, janë me qindra mijëra familje që i kanë nisur fëmijët jashtë sepse nuk kanë pasur mundësi të jetojnë së bashku me ato që marrin.
Ndaj dhe ne i japim një përgjigje kësaj, sikundër i japim një përgjigje të madhe rrogave.
Ne do ecim drejt dyfishimit të rrogave. Absolutisht.
Ne vendosim rrogën minimale 500 euro. Por ju garantoj se sipërmarrësit tuaj do kenë nga ana tjetër, të gjitha lehtësirat fiskale në mënyrë që biznesi i tyre të ketë sukses të vazhdueshëm.
Çfarë do bëjmë ne së pari. Të jemi realist. Këta e mbajnë biznesin me shumë, shumë vështirësi. Sepse rënia e euros nga rreth 140 lekë në 90 lek, është një rënie që këta i dëmton në mënyrë shumë thelbësore.
Atëherë, hapi i parë, 100 ditët e para do krijohet një bord i cili do i kompensojë këta zotërinj të nderuar qindarkë për qindarkë, rënien e euros.
Pa asnjë diskutim do bëhet.
E nuk do kërcënohen më këta. Urdhëro i mban me humbje, e besoj plotësisht se nuk ka fitim 35% me fasonët, por këta bëjnë çdo gjë, manovrime, marrin kredi e me radhë për të mbajtur sipërmarrjen. Pra hapi i parë për ju, ne do krijojmë bordin që do kompensojë të gjithë fasonëve, të gjithë eksportin, çdo qindarkë euron e rënë.
Së dyti energjinë do e paguajnë me 6 lek.
Tani çfarë ndodh me panelin diellor. E vjedhin në mënyrë të turpshme. Panelin diellor i ka kushtuar 400 mijë euro dhe ky prodhon energji. Dhe kur nuk punon ndërmarrja energjinë e fut në rrjet dhe ja marrin pa lek, në vend që të ja paguajnë.
Shtet zuzar. E bëjnë vetëm këta, në asnjë vend të botës, se ky është investim. Ai investim do një kohë për tu shlyer. Por këta asnjëri nuk ja kthejnë energjinë që i marrin, rimbursim.
Kilovat për kilovat do të paguhet ose do u rikthehet me energji. Urdhëroni çfarë klime krijojnë këta për biznesin”, u shpreh Berisha.