Fjalimi që synon pasaportën europiane, por jo ujin e pijshëm
Në nisje të fushatës për mandatin e katërt, Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim ku dominuan lëvdatat për arritjet e pretenduara të qeverisë dhe disa premtime për katër vitet e ardhshme. Një analizë e thjeshtë e këtij fjalimi ngre pyetje mbi prioritetet e kësaj fushate dhe lidhjen e saj me realitetin e qytetarëve.
Një gjë që bie në sy prej fillimit është se fjalimi nuk është hartuar për të adresuar çështjet e zakonshme dhe “të mërzitshme” të përditshmërisë, si uji i pijshëm apo çmimet, por për të projektuar një horizont më të gjerë, atë të daljes përtej kufijve të vendit, ndoshta edhe si mënyrë për të shmangur diskutimet brenda tyre.
Faktoje vendosi të analizojë fjalimin e kryeministrit duke identifikuar fjalët, që ai përdori më shpesh dhe ato që ai përdori më rrallë në prezantimin e programit për mandatin e 4-t qeverisës.
https://flo.uri.sh/visualisation/22690414/embed#?secret=2zlaRRjAEQPasqyrimi grafik i fjalëve të fjalimit sipas shpeshtësisë
Fjalët që u dëgjuan më shpesh gjatë thuajse 2 orëve fjalim ishin “Europiane/ë” (65 herë) dhe “Pasaporta” (34 herë), të cilat formojnë thelbin e sloganit të ri politik të socialistëve. Ky vizion për integrimin evropian u paraqit si suksesi i ardhshëm historik që pritet të finalizohet në mandatin e katërt.Një joshje kjo për shqiptarët, ironikisht edhe për mundësinë e largimit nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së, vëren politologu Ermal Hasimja për Faktoje. E përpos kësaj, “Shqipëria 2023 në BE” ka edhe një përllogaritje tjetër elektorale, sipas tij.
“Është premtim që mund të riciklohet edhe në 2029 dhe nuk mund ta akuzojë dikush që nuk e ka mbajtur sepse do të ketë edhe një vit kohë deri në 2030. Për më tepër nëse nuk realizohet mund të justifikohet përsëri me idenë se qeveria e ka bërë detyrën, por nuk do BE-ja”, – Ermal Hasimja, politolog.

Edhe pedagogu i gazetarisë Lufti Dervishi e sheh “pasaportën europiane” si element propagandistik, përkundër një komunikimi llogaridhënës që i takon një programi elektoral.
“Përdorimi i tepruar i fjalëve si ‘europianë’, ‘pasaportë’, apo ‘mandati i katërt’ nuk ka si synim informimin e qytetarëve, por mobilizimin emocional dhe politik të elektoratit.”- tha Lutfi Dervishi, pedagog.
Po aq e theksuar ishte edhe fraza “kur morëm detyrën” (29 herë) një kujtesë që rikthimi në kohën para 2013-s është ende pjesë e manualit elektoral. Fill pas saj shfaqet edhe gjuha denigruese. Termin “këneta” kryeministri e përdori 20 herë në fjalim.
Megjithatë, fjalët që prekin jetën e përditshme të qytetarëve dhe standardet bazë të të qënit vërtetë europian, si “ujë” (një herë), “çmime”, “siguri ushqimore”, apo “subvencione” dhe “fermer” u përmendën fare pak ose aspak.

“Në një kohë kur siguria ushqimore, bujqësia dhe standardet jetësore janë kyçe për integrimin europian dhe mirëqenien e qytetarëve, mungesa e tyre në fjalim është alarmante. Kjo tregon një mungesë vizioni konkret, dhe një prirje për të shmangur temat që kërkojnë përpjekje strukturore, në favor të sloganeve dhe të simboleve më të lehta për t’u konsumuar mediatikisht” – Lutfi Dervishi, pedagog.
Ky, sipas Dervishit, është tregues i neglizhencës ndaj politikave thelbësore të zhvillimit afatgjatë të vendit.
Pengesë për premtimet konkrete të qeverisë, Ermal Hasimja sheh vetë rezultatet e 3 qeverive të mëparshme.
“Nuk mund të bëjë premtime konkrete për një pjesë të mirë të kushteve bazë të jetesës si uji, shëndetësia apo arsimi, sepse do të ishte përsëritje e premtimeve të pambajtura”, argumenton Ermal Hasimja.
Për qytetarin, ky fjalim nuk është një manual për katër vitet e ardhshme, por një broshurë marketingu për një produkt ende në zhvillim, ose siç e quajti gazetari Lutfi Dervishi “një pasqyrë e asaj që dëshiron të dëgjojë elektorati më shumë sesa një reflektim real mbi problemet që kërkojnë zgjidhje”./Faktoje.al