Berisha i përgjigjet Ramës: Burrat e Dibrës janë si malet e Dibrës, mjerë ai që i sulmon!
Kryetari i PD, Sali Berisha i ka dhënë përgjigjen e merituar Edi Ramës, teksa ky i fundit i ka cilësuar burrat dibranë si ‘çyryk’, duke i kujtuar kreut të socialistëve se burrat e Dibrës janë si malet e saj, ndërsa shtoi se është mjeran ai që i sulmon.
Teksa ka prezantuar kandidatët e PD-ASHM, në këtë qark, Berisha tha se Rama erdhi si pushtues, teksa iu referua fyerjes kolektive që kryesocialisti bëri në Dibër.
Berisha tha se, njëlloj si dikur paraardhësit e tu, që këta burra viganë, atdhetarë, patriotë, i shpallnin armiq se qëndronin për atdhe, qëndronin për besimin tek Zoti, për Dibrën dhe Shqipërinë.
Berisha: Dy ditë më parë erdhi këtu edhe ai burreci 2 metra i gjatë.
Ai nuk u tha një fjalë se pse Rruga e Kombit zgjati 12 vite në një kohë kur kishte çdo fond dhe projekt për të mbaruar në vitin 2016.
Dhe një gjë do t’i them asaj zonjës së nderuar që i tha se shkojmë në Tiranë, të garantoj dhe të jap fjalën e nderit se po të qe për Edi Ramën, ajo rrugë kurrë nuk do ndërtohej.
Ja ku e keni rrugën e Lurës, Lura është bukuri përrallore dhe ka 12 vjet nuk e ndërton dot rrugën.
Por atë rrugë e meritoni plotësisht. Ajo është rruga e dytë e kombit dhe kemi krenari të madhe që ndërtuam 32 kilometrat e para dhe u garantoj se në vitin 2016 do ishte inauguruar me parametra shumë më të mirë se kjo sot.
Edi Rama nuk u tha ju se ku shkuan 130 milionë euro për djegësin e Tiranës që nuk ekziston asnjë tullë dhe paratë tuaja janë dhënë.
Nuk u tha një fjalë se me ç’para e bleu kopshtin e Edenit 5 milionë euro në kopshtin e kryeministrisë që nuk ka kryeministër në botë që të bëjë një shpenzim të tillë.
Nuk u tha një fjalë, si mundet një kryeministër të ulet në një ndeshje sporti me 28 mijë euro biletën?
Nuk u tha një fjalë, si mundet një kryeministër, në një kohë që fshatarët e tij përdorin parmendën, të shpenzojë 21 milionë euro me avion në dispozicion?
Jo, këto nuk i tha asnjë fjalë.
Por këtu tani do i them Edi Ramës këto fjalë.
Në Dibër, në këtë sallë ti erdhe me gjuhën e pushtuesit dhe gjuhë e kopukut. Të dyja.
Në qoftë se mbrëmë në Kamzë unë të dhashë një përgjigje duke lexuar përroin tënd psikik frojdian, sot unë kam një përgjigje tjetër.
Ti erdhe si pushtues sepse i lejove vetes të ndërmarrësh një fyerje kolektive.
Njëlloj si dikur paraardhësit e tu, që këta burra viganë, atdhetarë, patriotë, i shpallnin armiq se qëndronin për atdhe, qëndronin për besimin tek Zoti, për Dibrën dhe Shqipërinë.
Ti erdhe, ti fole dje si kopuk, sigurisht që me ato ministreshat e tua që xhinglaminglohen në atë mënyrë.
Tani të them unë dy, asnjë fjalë nuk të jap përgjigje sepse përgjigjen më të shkëlqyer ta dha dibrania në sallë, e cila u ngrit dhe të tha se burrat tanë janë të mrekullueshëm.
Por do ta them këtë këtu, burrat e Dibrës janë si malet e Dibrës, mjerë ai që i sulmon.
Rroftë Dibra, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!