Si i gënjeu Rama shqiptarët, ja sa u rrit ekonomia në këto 12 vite
Pretendimi i qeverisë Rama për “rritje me 2.5 herë” të ekonomisë shqiptare në krahasim me vitin 2013 duket se nuk mbështeten në një analizë racionale të ecurisë së ekonomisë dhe para së gjithash, mirëqenies së qytetarëve. Të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, jo vetëm që përgënjeshtrojnë pretendimin e qeverisë, por tregojnë se në fakt, në krahasim me vende të tjera të rajonit apo të Evropës Lindore, Shqipëria ka pasur rritje më të vogël.
Të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi rritjen reale të ekonomisë së shqiptarëve për frymë, të publikuara në databazën statistikore online të FMN-së, tregojnë se mirëqënia e shqiptarëve është përmirësuar me 69%, shifër kjo shumë më e ulët se sa pretendimi i qeverisë Rama për “rritje me 2.5 herë” të ekonomisë që prej vitit 2013.
Të dhënat e FMN-së tregojnë gjithashtu që, shumë vende të tjera me nivel ekonomik të ngjashëm me Shqipërinë në Evropën Lindore, kanë pasur rritje ekonomike shumë më të lartë se sa Shqipëria. Për shembull, përgjatë periudhës 2013 dhe 2025, ekonomia e Bullgarisë për frymë është rritur me 130%, ajo e Hungarisë është rritur me 134%, Rumania me 161% ndërsa Turqia është rritur me 124%.
Më afër në rajon, ekonomia e Serbisë është rritur me 92%.
Vendet e tjera të rajonit, të cilat kanë probleme me qeverisjen, kanë norma rritjeje të përafërta ose më të ulëta se sa Shqipëria. Maqedonia e Veriut është rritur me 69%, Kosova me 60% ndërsa Bosnja është rritur me 59%. Bjellorusia, vendi që gjendet nën diktaturë, është rritur me 34% ndërsa Ukraina, vendi që ka përjetuar një luftë mizore tashmë prej më shumë se tre vitesh, është rritur në PBB për frymë me çmime konstante me 3.9%.
Rritja ekonomike është një fushë e debatuar gjerësisht dhe ekonomistët kanë punuar tashmë prej një shekulli për të gjetur mënyrat më të mira të matjes dhe të krahasimit, për të parë ecurinë në kohë apo për të krahasuar ecurinë me vende të tjera.
Ekonomistët dallojnë rritjen e ekonomisë nominale nga ajo reale për të kuptuar drejt gjendjen e mirëqënies së popullsisë së përgjithshme ndërsa, për shkak se rritja ekonomike nuk është e njëtrajtshme dhe nuk prek në mënyrë të barabartë të gjithë popullsinë, ajo nuk nënkupton automatikisht rritje mirëqenieje.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka zhvilluar përgjatë dekadave një bazë të gjerë të dhënash statistikore mbi të gjitha vendet anëtare, të dhëna që gjenden të publikuara në faqen e saj të internetit për t’u konsultuar nga të gjithë të interesuarit.
Ekonomia shqiptare, e matur me dollarë ndërkombëtarë të vitit 2021, dhe me çmime konstante ishte në nivelin 12,700 për frymë në vitin 2013 dhe u rrit në 19,600 në vitin 2025. Këto nuk janë dollarë amerikanë dhe nëse po mendoni të llogarisni se një shumë e tillë parash, e lexuar në dollarë amerikanë, nuk gjenden në xhepin tonë sot, kjo ka të bëjë me faktin se po flasim për një monedhë tjetër, një monedhë që është shpikur nga FMN për të matur ecurinë e vërtetë të një ekonomie, gjë që nuk bëhet dot nëse përdoren monedhat e zakonshme, lekë apo euro, për shkak se këto monedha zhvlerësohen dhe inflacionohen.
Nëse doni të dini se sa ka qenë Prodhimi i Brendshëm për Frymë në lekë me çmimet e vitit përkatës, FMN e ka përgjigjen edhe për këtë. Në vitin 2013, PBB për frymë ishte 466 mijë lekë në vit, ndërsa në vitin 2025 pritet të arrijë në 962 mijë lekë, me një rritje në masën 106%. Diferenca e rritjes me çmime konstante në masën 69% dhe rritjes me çmime korrente 106% është inflacion.
Në të vërtetë, rritja është gjendja natyrore e ekonomisë përgjatë të gjithë historisë moderne. Çdo ekonomi në botë rritet, me raste më shpejt, me raste më ngadalë, me raste rrëzohet për shkak të krizave të ndryshme dhe pastaj rikthehet te rritja. Në ekonomiksin ndërkombëtar, flitet në fakt jo për rritje, por për ritmin e rritjes. Sepse, argumentohet me shumë të drejtë që, përgjatë epokës së revolucionit industrial, pra tre shekujt e fundit, ekonomia e Afrikës është rritur mesatarisht me 0.7% në vit ndërsa ekonomia e vendeve të zhvilluara është rritur me mesatarisht 1.7%. Diferenca prej 1%, e cila mund të duket e vogël, përgjatë dekadave bën dallimin, një ekonomi bëhet e pasur dhe tjetra mbetet e varfër.
Parë në këtë kontekst, ekonomia kombëtare përgjatë dekadës së fundit ka pasur një rritje të mjerë. Termi i përdorur teknikisht është rritje nën potencial. Vetëm pak javë më parë, Instituti i Statistikave kreu një rishikim të të dhënave mbi ecurinë e ekonomisë shqiptare që nga viti 1996 e deri më sot. Të dhënat e publikuara tregojnë se ritmi i rritjes së ekonomisë është ngadalësuar në mënyrë dramatike përgjatë dekadës së fundit, me një përmirësim pas periudhës së pandemisë COVID-19. Vitet 2012, 2013, 2024, 2015 e 2016 kanë qenë veçanërisht të këqija, sipas shifrave të INSTAT. Shifrat e viteve të fundit duhet të merren gjithsesi me rezerva pasi, historikisht, Instituti i Statistikave ka rishikuar ekonominë në rënie. Pra, nëse do të lexoje INSTAT në vitin 2012 do të lexoje për rritje në masën 1.6% ndërsa shifra e rishikuar për atë vit sot është 0.86%. Pra, nuk do të jetë çudi që kur viti 2023 të rishikohet pas një dekade, dhe nën një qeveri tjetër, vlerësimi për rritjen të mos jetë më 4.2% por më pak se kaq.
Rritja konsiderohet nën potencial për shkak se, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Shqipëria ka pasur gjatë këtyre tre mandateve të qeverisjes së kryeministrit Edi Rama, potencialin, pra mundësinë, për t’u rritur në terma realë në masën 4.5% në vit. Mesatarja e shifrave të dhëna nga INSTAT flet për rritje në masën 2.7%. Diferenca prej 1.8% mund të ngjajë jo impresionuese, por në terma afatgjatë, ky deficit në rritjen ekonomike bën diferencën mes të qenit një vend i pasur dhe të qenit një vend i varfër.
Rritja ekonomike, edhe nëse është e barabartë me potencialin, apo më e lartë se sa potenciali, nuk garanton automatikisht rritjen e mirëqenies. Sepse rritja sipas gjasave nuk prek qytetarët në mënyrë të barabartë dhe se, nëse ekonomia rritet për disa, por ulet ose nuk rritet për shumicën, kjo nuk përbën rritje mirëqenieje. Është shumë domethënëse që, përgjatë viteve të fundit, rritja ekonomike është furnizuar në pjesën dërrmuese nga dy sektorë të ekonomisë, ndërtimi më shumë dhe turizmi, në shkallë më të vogël. Të dy këto sektorë nuk përfaqësojnë të gjithë shqiptarët, në fakt përfaqësojnë një pjesë të vogël të shqiptarëve. Sektorë që prekin jetën e më shumë shqiptarëve, si bujqësia dhe manifaktura, nuk kanë pasur rritje.
Të dhënat e INSTAT tregtojnë se bujqësia ka ardhur në rënie reale në katër vitet e fundit, ndërsa manifaktura, ku punësohen dhjetëramijëra shqiptarë, ka qenë në rënie përgjatë dy viteve të fundit.
Në një shembull më të thjeshtë, nëse ekonomia e një vendi rritet nga 10 në 12 lekë, pra rritet me 20%, por zyrtarët e korruptuar përvetësojnë 3 lekë, atëherë, megjithëse ekonomia është rritur me 20%, qytetarët në realitet po jetojnë me 10% më pak.
Fakti është që edhe ajo rritje e tre- katër viteve të fundit, është, jo vetëm e paqëndrueshme, pasi mbështetet te ndërtimi, por është edhe e pabarabartë./BIRN