Censura mediatike/ Berisha: U bëj thirrje mediave që të mos mbyllin debatet pse nuk vijnë kandidatët e PS
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ka barë thirrje medieve që të mos mbyllin debatet pse nuk vijnë kandidatët e PS-së. Berisha tha se, sytë e botës janë drejtuar ndaj medias shqiptare dhe në këtë fushatë.
“Siç e shihni, ka shpërthyer një entuziazëm që Shqipëria nuk e ka njohur prej dekadash.
Një entuziazëm i fuqishëm.
Keni përballë dy fushata, njëra fushatë e elektrizuar e qytetarëve të lirë, tjetra fushatë e njerëzve të detyruar, e rrogëtarëve të detyruar të dëgjojnë ndoshta çdo gjë që nuk do donin të dëgjonin nga një njeri që ka humbur çdo logjikë, çdo standard dhe etikë dhe kalon nga një banalitet në një banalitet tjetër.
Kjo është e vërteta.
Kurse fushata e Aleancës për Shqipërinë Madhështore është në madhështinë e njerëzve të lirë.
Aty mblidhen, mbajnë fjalime, diskutojnë njerëz të lirë.
Ajo çka është problematike është censura e egër e medieve ndaj opozitës për hatër të qeverisë.
Pra censurë e diktuar nga qeveria.
Studiot e debateve kanë anuluar një seri debatesh me pretekstin se kandidatët e PS nuk vijnë.
Ky është nënshtrim i pakonceptueshëm i medieve të lira ndaj diktatit të Edi Ramës dhe ekipit të tij të inkriminuar që nuk mund të dalë në dritën e diellit, pra në studion televizive për shkak të bagazhit të tmerrshëm që ka, lidhjet me krimin, vjedhjet, etj.
Por, ajo që unë konstatoj me dhimbje të madhe, nënshtrimin e plotë, të hapur, të medieve ndaj diktatit të qeverisë.
Cila është thirrja ime?
Thirrja ime është që mediat të mos mbyllin debatet e tyre dhe t’i zhvillojnë ato me gazetarë dhe përfaqësues të opozitës, e cila ka vullnetin dhe dëshirën t’i përgjigjet ftesave të medieve.
Në këtë mënyrë, mediat të cilat po i shikon e gjithë bota, janë prozhektorët e të gjithë botës drejtuar drejt tyre.
Sytë e botës janë drejtuar ndaj medias shqiptare dhe në këtë fushatë.
U garantoj se kjo fushatë ka shkallën e vëzhgimit më të lartën ndonjëherë.
Ndaj dhe për të qëndruar si pushtet i pavarur, ju ftoj që të vazhdojnë debatet në studiot televizive me përfaqësuesit e opozitës që kanë dëshirë të vijnë dhe gazetarë të pavarur për të bërë transparent para publikut shqiptar programin e tyre”, tha Berisha.