Dosja në SPAK/ Kalaja: Toni Gogu me zyrtarët në Ndroq, Pezë dhe Vaqarr të përfshirë në afera dhe grup të strukturuar…
Kryetarja e Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja ka dorëzuar sot një kallëzim të ri penal në SPAK. Kallëzimi lidhet me një skemë abuzive të ashtuquajtur , e cila sipas saj, është aplikuar në zonën nr.15 të Tiranës.
Në këtë skemë përfshihen drejtuesit lokalë Gentjan Myrto, Besmir Kola dhe Xhavit Çeka, si dhe deputeti i zonës, Toni Gogu. Kalaja akuzon këta zyrtarë për shpërdorim detyre, korrupsion, pastrim parash dhe përfshirje në një grup të strukturuar kriminal. Ajo përmendi edhe emrin e Arjan Poplit, një person pa funksion publik, i cili sipas denoncimeve të banorëve, ka ndikuar në blerjen e votës.
Po ashtu, një tjetër shqetësim ishte keqmenaxhimi i procesit të rindërtimit dhe presioni ndaj banorëve për votë në këmbim të përfitimeve. Kalaja denoncoi edhe tjetërsime pronash në Ndroq, Pezë dhe Vaqarr, ku banorëve u ofrohej vetëm 20% e vlerës për të marrë certifikatën e pronësisë. Në fokus ishte edhe një rrugë në fshatin Menik, e cila sipas saj, është përdorur për favorizim politik dhe për të mbuluar një aferë prej 80 milionë lekësh.
“Sot kam ardhur për të denoncuar një skemë tjetër 5D, por në rastin konkret kjo skemë është aplikuar në zonën numër 15 të Tiranës që përfshin njësitë administrative Ndroq, Pezë dhe Vaqarr ku drejtuesit aktualë të këtyre zonave, Gentjan Myrto, Besmir Kola dhe Xhavit Çeka, në bashkëpunim me deputetin e zonës Toni Gogu, kanë konsumuar të gjithë elementët e veprave penale të cilat kallëzojmë ne sot, nga shpërdorimi i detyrës, korrupsioni pasiv i zyrtarëve të lartë, ushtrimi i ndikimit të paligjshëm, pastrmi i produktit të veprave penale dhe deri në grup të strukturuar kriminal.
Vepra të cilat lidhen me abuzime të personave të sipërcituar por edhe të një personi i cili nuk ka asnjë post publik dhe quhet Arjan Popli, ndaj të cilit në fakt kemi shumë reagime, denoncime nga banorë të zonave për ndikimin e tij për blerjen e votës, për ndikimin e tij për t’u dhënë oferta ose favore banorëve të zonës në këmbim të votës.
Favore të cilat lidhen jo vetëm me probleme personale që kanë banorët e zonës por edhe sidomos me çështjen e pjesës së rindërtimit nga tërmeti.
Ka shumë banorë të zonës të cilët kanë përfituar banesa nga rindërtimi por edhe sot e kësaj dite këto banesa jo vetëm që nuk dorëzohen por në mënyra të ndryshme u bëhet presion me qëllim që këta të japin votës pro Partisë Socialiste.
Një problem shumë i rëndësishëm që lidhet me të kallëzuarit prej nesh është edhe tjetërsimi i pronave. Ka abuzime marramendëse me pronat në të tre këto njësi, edhe në Vaqarr, edhe në Ndroq edhe në Pezë.
U shkohet banorëve të ndryshëm, u ofrohet 20% e vlerës me qëllim që këta banditë t’u japin certifikatat e pronësisë.
Nga ana tjetër kemi evidentuar edhe disa investime të këtyre drejtuesve të këtyre njësive të cilat nuk kanë burime të ligjshme dhe për këtë i kemi kërkuar SPAK jo vetëm hetimin e burimit të ligjshëm të këtyre investimeve por edhe hetimin pasuror të tyre duke filluar që nga deputeti Toni Gogu dhe tër 3 personat e sipërcituar.
Dhe e fundit ka të bëjë edhe me ndërtimin e rrugës së fshatit Menik, rrugë e cila ka kohë që ka filluar dhe nuk është bërë asnjë investim serioz.
Kjo rrugë ka probleme shumë të mëdha pasi në pjesën ku ka shumicën dërrmuese të banorëve, rruga nuk shkon, ndërsa në 3 familje të cilët janë socialistë patronazhistë, rruga i ka shkuar deri në derën e shtëpisë.
Këtu flasim për rrugë çakull pasi nuk ka mbaruar, është një investim prej 80 milionë lekë të reja dhe për të cilin ne kemi kërkuar nga SPAK hetimin e kësaj afere”, tha Kalaja.