Kaso: Korça dhe Shqipëria janë gati për ndryshimin! Të votojmë 1-shin për të ardhmen
Drejtuesi politik i PD për Korçën, Ivi Kaso, në fjalën e tij në prezantimin e kandidatëve për deputetë, tha se tashmë është hapur një kapitull të ri shprese dhe ndryshimi për qytetin e Korçës dhe Shqipërinë.
Duke u drejtuar demokratëve dhe qytetarëve të Korçës, ai ka kritikuar qeverisjen aktuale, duke theksuar se Shqipëria është në një gjendje kolapsi për shkak të korrupsionit, krimit dhe mungesës së drejtësisë.
Kaso ka garantuar një të ardhme më të ndritshme për qytetarët, duke prezantuar një program që përqendrohet në investime për bujqësinë, shëndetësinë, arsimimin dhe përmirësimin e kushteve për të rinjtë.
Më 11 maj, ai ka ftuar të gjithë për të mbështetur ndryshimin dhe për të votuar numrin 1, për të rikthyer dinjitetin dhe zhvillimin në Korçë dhe gjithë Shqipërinë.
Fjala e Ivi Kasos
Image
Të dashur korçarë!
Bijë e bija të këtij qyteti shqiptar e me shpirt evropian.
Të nderuar demokratë dhe demokrate që jeni këtu, nga Pogradeci, Devolli, Maliqi dhe Pusteci. Të nderuar kandidatë të ASHM.
I nderuar lideri i PD dhe opozitës, kryeministri i ardhshëm, Profesor Doktor Sali Berisha.
Vëllezër dhe motra. Sot jemi mbledhur këtu për të hapur një kapitull të ri. Një kapitull shprese, ndryshimi dhe fitoreje. Ky qytet, djep i kulturës dhe arsimit shqip, flamurtari i kombit në kohë të vështira, meriton më shumë sesa braktisjen e 12 viteve të fundit. Sot Shqipëria është në kolaps. Është e vjedhur dhe e poshtëruar nga një qeveri që mendon vetëm për veten. Korrupsioni, krimi i organizuar, trafiku i drogës, pastrimi i parave, grabitja e pronës, mungesa e drejtësisë dhe vrasja e shpresës janë fytyra e vërtetë e regjimit të Edi Ramës.
Por dhe pse kemi kaluar vitë të vështira, demokratët dhe korçarët kurrë nuk janë përkulur. Korça nuk e pranon harresën dhe braktisjen që i është bërë në këto 12 vite. Ajo nuk rreshtohet me të keqen por zgjedh gjithmonë të drejtën. Sot, në këtë sallë ndihet energjia e fitores. Ndihet energjia që do të rrëzojë regjimin e krimit dhe të fitores.
Entuziazmi juaj më jep kurajë dhe më bind se ndryshimi fillon pikërisht nga Korça. Nga qytetarë të ndershëm që duan një Shqipëri për të gjithë. Ne nuk premtojmë si Peleshi në 3D që nuk bëhen kurrë. Ne nuk e ndajmë si ai qytetin, në llokma për oligarkët e pushtetit. Ne u kthejmë korçarëve dinjitetin dhe të drejtën për të vendosur vetë për fatin e tyre. Për këtë qëllim jemi këtu sot. Për të prezantuar ekipin tonë, kandidatët tanë, njerëz të ndershëm, profesionistë të përkushtuar që përfaqësojnë vlera të mira të këtij qyteti dhe kësaj krahine. Këta janë njerëzit që do të jenë zëri juaj.
Ne kemi një program që vë në qendër njeriun dhe dinjitetin njerëzor, që përdor taksat për qytetarët, rrit pensionet dhe pagat, investon në shëndetësi, arsim, siguri, bujqësi dhe sipërmarrje.
Fermeri dhe qytetari i zakonshëm janë investitorët tanë strategjikë. Në 11 Maj ne nuk kemi vetëm zgjedhje. Në 11 Maj ne kemi një betejë. Një betejë për të ardhmen e Shqipërisë që duhet mbrojtur nga braktisja dhe shpopullimi.
Në këtë betejë kemi të drejtën, Shqipërinë, kemi me vete Zotin. Korça dhe gjithë Shqipëria do të bëhen më 11 Maj simboli i ndryshimit. Në 11 Maj, të gjithë së bashku do të votojmë numrin 1.
Ne do të votojmë 1-shin për të ndihmuar bujqësinë e Devollit dhe Maliqit. Ne do të votojmë 1-shin për të mbrojtur bukurinë e Pogradecit dhe Pustecit nga shkatërrimi.
Ne do të votojmë 1-shin për të kthyer të rinjtë në Kolonjë, që është lënë në harresë. Ne do të votojmë 1-shin që Korça të mos fillojë t’i ngjajë Tiranës, të mbytet në beton, trafik dhe smog.
Ne do të votojmë 1-shin sepse mbështesim rininë që të ketë një të ardhme këtu dhe jo në emigracion. Më 11 Maj, Korça dhe Shqipëria do ti kthehet investitorëve të vetëm strategjikë, qytetarëve të saj.
Fitore, fitore, fitore!