Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka prezantuar sot kandidatët e PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore në Vorë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se, PD është një parti konservator, parti e vlerave themelore të shqiptarit dhe prandaj familja është në epiqendër të përpjekjes së saj.
Një komb i fortë, mund të jetë një komb që ka familje të fortë. Familja është e fortë kur ka moralin e fortë, kur ka mirëqenien.
Natyrisht, unë nuk jam këtu gjykatës, as polic morali, por disa vlera janë të përbashkëta për çdo shqiptar dhe unë kam besim se respekti reciprok i burrit ndaj gruas, dhe i gruas ndaj burrit, dashuria midis anëtarëve të familjes për njëri-tjetrin janë morali më i lartë i njeriut dhe i shoqërisë’, theksoi Berisha.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Të dashur, qytetare dhe qytetarë, banorë të Vorës, Kasharit, Prezës, Domjes, Bërxullës, Gjokajt, Marikajt, Balaqit, ju përshëndes shumë përzemërsisht. Shpreh mirënjohjen më të pakufishme për praninë tuaj sot këtu. Sikundër, përshëndes nga zemra drejtuesit politikë të fushatës, znj. Albana Vokshi dhe Klevis Balliu.
Kandidatët për deputetë të kësaj zone Myslym Murrizi dhe Sali Shehu.
Të dashur miq, Aleanca për Shqipërinë Madhështore vjen sot para jush si aleanca më e fuqishme e krijuar që nga 1990 gjer sot.
Ajo vjen tek ju me një program, me një projekt, me të cilin kërkon të krijojë një mundësi të re për secilin prej jush. Kërkon të ndikojë në mirëqenien tuaj, sigurinë tuaj, në të ardhmen e fëmijëve tuaj, në të ardhmen e Vorës dhe të Shqipërisë.
Miq, ne jemi parti e traditave më të mira. Partitë konservatore nuk janë parti ideologjike, ato janë parti të vlerave themelore të njeriut dhe të shoqërisë njerëzore. Pra, jemi parti e vlerave themelore te shqiptarit dhe të Shqipërisë.
Në këtë kontekst, në shoqërinë tonë për kombin tonë, sikundër në çdo komb të qytetëruar, themeli i të gjitha themeleve është familja.
Ndaj dhe ne, vijmë para jush me një projekt, me të cilin zotohemi se, familja shqiptare, familja në Vorë, Kashar, Domje, Bërxullë, Prezë, Marikaj, Gjikaj, Balaq, kudo, do të jetë në epiqendër të përpjekjes sonë për ta mbështetur atë.
Një komb i fortë, mund të jetë një komb që ka familje të fortë. Familja është e fortë kur ka moralin e fortë, kur ka mirëqenien.
Natyrisht, unë nuk jam këtu gjykatës, as polic morali, por disa vlera janë të përbashkëta për çdo shqiptar dhe unë kam besim se respekti reciprok i burrit ndaj gruas, dhe i gruas ndaj burrit, dashuria midis anëtarëve të familjes për njëri-tjetrin janë morali më i lartë i njeriut dhe i shoqërisë.
Kam besim të madh se, asnjë grua, asnjë nënë, asnjë motër, cila do qoftë, nuk do donte dhe nuk do të pranonte t’i shahet djali, bashkëshorti, prindi.
Pra, kjo fushatë vulgare e Edi Ramës që kërkon të zhvlerësojë familjen dhe vlerat e saj, ka një qëllim. Jo vetëm trego ato koncepte që ka ai për familjen, por ka një qëllim, të spostojë vëmendjen tuaj nga problemet e vërteta të familjes shqiptare. Nga problemet që, familjet shqiptare presin të zgjidhen nga forcat politike, presin nga këto forca të paraqesin para tyre projektin çfarë do të bëjnë ato për konsolidimin e familjes.
Familja shqiptare nuk ka nevojë të dëgjojë se, burri qenka kështu, apo qenka ashtu. Ajo ka nevojë të madhe shumë të mbështetet ekonomikisht, që pensionistin që ka në varësi, të mos ta ketë barrë. Po ai, të marrë 200 euro minimumi, dhe me ato 200 euro të përballojë më normalisht jetën e tij.
Kjo familje, ka nevojë të madhe që, vajza dhe djali i saj, të mos marrin rrugët e dheut, sepse sofra nuk i mban më, por përkundrazi ata të shkollohen, të gjejnë punë, të punësohen, të ndihmohen për strehimin, të ndërtojnë në vendin e tyre ëndrrën e bukur rinore.