Berisha: Shqipëria pakësohet çdo muaj, ndërsa buxheti përqëndrohet në duart e një grupi njerëzish që e ndajnë me familjarët
Në prezantimin e kandidatëve për deputet në Vorë, kryetari i PD, Sali Berisha ka treguar për gjendjen e mjerë nëpër gjithë Shqipërinë, ku nuk ka mjek dhe nuk ka ilaçe.
Berisha u shpreh në fjalën e tij se, Shqipëria pakësohet, pakësohet çdo muaj e më shumë. Mbi 45% e shqiptarëve janë larguar. Ndërkohë, pasuritë, buxheti përqendrohen në duart e një grupi njerëzish që e ndajnë me familjarët e vet, e ndajnë njëri me tjetrin, e ndajnë me mafien, shpërblen organizatat kriminale. Kurse qytetarëve u lënë rrugë të vetme, largimin nga Shqipëria.
“Të dashur miq, sistemi i shëndetësisë sot ka degraduar në shkallë ekstreme. Isha në Kukës dje. Spitali i ri, 3 milionë euro. Asnjë kirurg. Dhe të sëmurët, nga Kalaja e Dodës, në Surroj, të gjitha zonat, po të kishte ndonjëri emergjencë, telefonoje në Prizren një mjek që qëndronte i gatshëm kundrejt pagesës, dhe vinte operonte.
Kukësi është qendër qarku. Imagjinoni pra.
Në Peshkopi, akoma më keq. Kudo, një rrënim. Kudo, farmaci të mbushura me ilaçe pa efekt, të markës Nushi-Doshi.
Akti i parë, do të ndalohet çdo import i ilaçeve që nuk shiten në vendet anëtare të BE-së. Ilaçe cilësore.
Akti i dytë. Shqipëria do miratojë listën që Republika Italiane rimburson për qytetarët e vet. Dhe unë, ju jap ju fjalën se, qytetarët shqiptarët do të kenë të njëjtat ilaçe që kanë vendet e zhvilluara.
Ne, nuk i kapim dot ato në pasuri, por për sa i përket shëndetit, ne do bëjmë atë që ato bëjnë për qytetarët e tyre.
A mund të imagjinoni ju një vend që le pa ilaçe të sëmurët me sëmundje të rënda? Një vend në të cilin, mjekët i telefonojnë të sëmurëve se, këtë muaj nuk ka ilaç për ty?
A mund të imagjinoni, një vend ku, aparaturat për diagnozën jetike të sëmundjeve të tilla nuk funksionojnë apo nuk ekzistojnë në Shqipëri.
Deklaroi 3 muaj më parë se, këto janë krime kundër njerëzimit që po kryhen në spitalin Onkologjik. Sepse ai, me qeveritarët e tij, vjedh paratë e ilaçeve, paratë që ju jepni për mjekimet e tyre.
Të dashur miq, në gjithë këtë situatë, e cila, në shumë aspekte është e pashembullt. Ai që paguan çdo faturë, ai që paguan çmimin e kësaj të keqeje, jeni ju, fëmijët tuaj, janë vajzat, djemtë tuaj janë të detyruar të marrin rrugët e dheut.
Shqipëria pakësohet, pakësohet çdo muaj e më shumë. Mbi 45% e shqiptarëve janë larguar. Ndërkohë, pasuritë, buxheti përqendrohen në duart e një grupi njerëzish që e ndajnë me familjarët e vet, e ndajnë njëri me tjetrin, e ndajnë me mafien, shpërblen organizatat kriminale. Kurse qytetarëve u lënë rrugë të vetme, largimin nga Shqipëria.
Ndaj dhe, 11 maji është një ditë shumë e rëndësishme. Është një ditë në të cilën, me votën tonë, ne firmosim ndryshimin. Një ndryshim i një rëndësie vendimtare, për të rinjtë tanë, për qytetarët shqiptarë, për Shqipërinë”, tha Berisha.