Berisha: Ta injorojmë narrativën e Edi Ramës, ai flet si Nuredin Dumani! Qytetarët presin të dëgjojnë fjalën tonë

Berisha: Ta injorojmë narrativën e Edi Ramës, ai flet si Nuredin Dumani! Qytetarët presin të dëgjojnë fjalën tonë

Kryetari i PD, Sali Berisha u ka bërë thirrje kandidateve demokrate dhe grave, që në zgjedhjet e 11 majit, ta injorojnë narrativën e kryesocialistit Edi Rama në takimet elektorale që ai zhvillon, teksa hoqi paralele mes kryeministrit dhe vrasësit me pagesë, Nuredin Dumani.

Gjatë një bashkëbisedimi me ta në një kafe mengjesi, Berisha i garantoi kandidatet dhe gratë demokrate, se në parlamentaret e 11 majit, PD-ASHM, ka ndërmarrë një politikë demografike shumë të fortë.

“Ju e shihni, fushata e tij është një fushatë pa frut, pa asgjë.

Një fushatë me të cilën kërkon se si të kalojë nga një ditë në tjetrën me skandale të mëdha.

Një fushatë që kërkon të evokojë ose të lundrojë në përroin frojdian, por që nuk ka asgjë njerëzore, asgjë humane.

Një njeri që po bën kryefjali një javë rresht, po të ikin burrat një muaj dhe po të ikin gratë një muaj…

Problemi është se këto qenkan problemet e familjeve shqiptare, këto qenkan problemet e familjeve shqiptare sot?

Po çfarë problemi është po të ikë një muaj ky, po të ikë një muaj ai. Ata kanë problem në radhë të parë mirëqenien, shkollimin e fëmijëve, sigurinë e fëmijëve.

Një zonjë e re në Krujë më tha: çfarë do bëni ju për fëmijët Doktor, se unë këtu kam dy fëmijë, nuk ka kopsht, ka gjithsej vetëm dy kopshte në Krujë.

Pra, familje që detyrohen të përcjellin anëtarët e vet jashtë shtetit se nuk ka punë, nuk kanë ushqim, nuk u mjaftojnë të ardhurat.

Familje që konstatojnë se shkollat po degradojnë dhe se niveli i dijeve të fëmijëve të tyre në vend që të rritet, vetëm bie. Kjo është e vërteta.

Familje që pakësohën, pakësohen dhe vetëm pakësohen.

Unë isha dje në Korçë. Cilat ishin shifrat për Ersekën?

Erseka ka qenë 27 mijë banorë në vitin 2013. Erseka ka mbetur me 7 mijë banorë. Një largim masiv.

Dhe këta 7 mijë, e kuptoni vetë, po t’u bësh mesataren e moshës, del moshë tejet e thyer.

Erseka ka pasur vetëm një lindje në vitin 2023, qyteti.

Dhe asnjë fjalë nuk thuhet për këtë.

Ne kemi vendosur një politikë demografike shumë të fortë.

Ne do japim bonus për fëmijën e parë 70 euro.

Bonus për fëmijën e dytë, 60 euro.

Për fëmijën e tretë do jenë nga lindja gjer në 23 vjeç, të gjitha shpenzimet e shtetit. Po kështu fëmijën e katërt.

Pra, do përpiqemi të trajtojmë me seriozitetin më të madh problemet e krijuara të familjes.

Kështu që unë ftoj të mos bien në narrativën e tij, ta injorojmë.

Natyrisht, thashë edhe njëherë, ajo është një fushatë elektorale tallave, një fushatë elektorale banaliteti, bullizmi.

Flet me gjuhë të fortësh, si Nuredin Dumani në sallë të gjyqit. Pastaj kujtohet se shkel çdo normë dhe standard, tërhiqet për të vazhduar të nesërmen me të njëjtat terma.

Të gjitha këto janë avantazhe për ne në kuptimin që qytetarët presin të dëgjojnë fjalën tonë, të dëgjojnë programin tonë.

Ndaj dhe u falenderoj shumë për punën që bëni dhe u inkurajoj që këto dy javë, këto tre javë që kanë mbetur, të shumëfishojmë energjitë tona”, tha Berisha.

Share it :