Dokumenti i dytë që akuzon prokurorin Prençi/ Veliaj dha “ok” për inceneratorin pa konsultim me Këshillin Bashkiak
Inceneratori i Tiranës njihet si një nga aferat më të mëdha të kryera ndonjëherë në vendin tonë, që ka gllabëruar qindra milionë lekë nga buxheti i shtetit dhe nga xhepat e shqiptarëve.
Të hënën CNA publikoi një dokument lidhur me aferën 60 milionë euro të dherave që është një nga skemat më të mëdha korruptive, e cila lindi pas firmosjes së kontratës monopoliste koncesionare për landfillimin e Tiranës, ku përfshihej edhe ndërtimi i një inceneratori, i cili sot e kësaj dite vijon të ngelet inekzistent.
Këtë të mërkurë po sjellim një tjetër dokument që po ashtu është në dosjen e prokurorit Dritan Prençi dhe që implikon direkt kryebashkiakun Erion Veliaj, në shpërdorim detyre.
Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, tashmë pas hekurave, ka firmosur dokumente të rëndësishme që lidhen me projektin e inceneratorit të Tiranës. Në mars të vitit 2017, Veliaj firmosi një dokument që pranonte studimin e fizibilitetit për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës. Ky studim më vonë rezultoi të kishte kosto të falsifikuara. Gjithashtu, ai firmosi një aneks-kontratë që i kalonte Bashkisë së Tiranës përgjegjësi financiare të konsiderueshme për këtë projekt.
Veliaj mori përsipër të përfaqësonte jo vetëm Bashkinë e Tiranës, por edhe katër bashki të tjera të qarkut, pa u konsultuar me to, duke i hapur rrugën një kontrate koncesionare 30-vjeçare me vlerë fillestare prej 128 milionë eurosh. Kjo kontratë është firmosur pa miratimin paraprak të Këshillit Bashkiak, duke shkelur ligjin për vetëqeverisjen vendore. Ky dokument është prova për të akuzuar Veliajn për shpërdorim detyre dhe angazhime financiare të paautorizuara.
Dokumenti i dytë që akuzon prokurorin Prençi/ Veliaj dha
Por kryebashkiaku ka më shumë se një firmë të hedhur në aferë. Veliaj me firmën e tij është angazhuar për të kryer të gjitha pagesat për depozitimin dhe përpunimin e sasisë minimale të mbetjeve me çmimin 29 euro për ton pa TVSH, përgjatë gjithë kohëzgjatjes së marrëveshjes (për 30 vitet në vijim), por ai gjithashtu u angazhua për të dhënë asistencë për të gjitha procedurat e lidhura me ndërtimin dhe funksionimin e inceneratorit inekzistent të Tiranës.
Dokumenti i dytë që akuzon prokurorin Prençi/ Veliaj dha
Por përpunimi i mbetjeve i kalon 29 euro për ton, pasi në dokumentin që CNA publikoi të hënën vërtetohej se drejtorët e Veliajt shtuan edhe çështjen e dherave dhe dërgimin e tyre në landfill, si dhe firmosën në mënyrë të kundërligjshme duke shtuar kështu të ardhurat me dhjetëra miliona euro çdo vit.
Jemi përballë faktit, që inceneratori inekzistent i Tiranës ka gllabëruar qindra miliona euro, me një skemë të qartë të ngritur nga një grup i strukturuar kriminal. Ndërsa prokurori Dritan Prençi ka vënën nën akuzë zyrtarë apo drejtorë të dorës së dytë dhe të tretë.
Afera e inceneratorëve nuk mbyllet me atë që ka ndodhur në 16 prill. Ka shkuar sërish në gjyq Lefter Koka, ka marrë dënimin e tij Taulant Tushe, si dhe disa zyrtarë të tjerë të rangut më të ulët.
Një nga krimet më të mëdha në aferën e inceneratorëve janë mediat, një ndër to është “Top Channel”, e cila dikur theksonte se “përzunë gjobaxhinjtë” dhe më pas i bëri drejtorë këta gjobaxhinj, të cilët rezultuan pjesë e grupit të strukturuar kriminal të inceneratorëve.
Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Endrit Habilaj, nëpërmjet kompanisë së inceneratorit paguanin mediat. Nëpërmjet “Top Channel” sulmonin prokurorët e SPAK-ut. Dhe, sot krimi ende nuk është zbardhur.
Dokumentet e publikuara sot nga CNA vërtetojnë se akuzat për inceneratorin inekzistent të Tiranës nuk janë thjesht fjalë. Tek i pari kanë firmosur drejtorët “5D”, tek i dyti ka firmosur Veliaj dhe të gjithë bashkë me Mërtirin, Zoton dhe të tjerë kanë bashkëpunuar për të gllabëruar paratë e qytetarëve shqiptarë, ndërsa inceneratori ende mungon sot e kësaj dite./ CNA