Berisha në Himarë: Paprekshmëria e pronës, rikthimi dhe kompensimi i saj do jenë përparësi absolute!

Berisha në Himarë: Paprekshmëria e pronës, rikthimi dhe kompensimi i saj do jenë përparësi absolute!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi një takim elektoral në Himarë.

Berisha tha se, paprekshmëria e pronës, rikthimi dhe kompensimi i saj, pajisja me dokumente, do jenë përparësi absolute.

“Mirëdita dhe përshëndetjet më të përzemërta ju, qytetarëve të Himarës të pranishëm në këtë shesh, por të gjithë banorëve të kësaj bashkie kudo që ndodhen sot, në Shqipëri dhe jashtë vendit.

Respektin tim më të madh, mirënjohjen më të thellë.

I dashur zoti Fredi Beleri, përfaqësues në Parlamentin Europian i qytetarëve grekë, kandidat i zgjedhur real i kësaj bashkie.

I dashur zoti Vangjel Dule, kryetar i PBDNJ, aleat i rëndësishëm në Aleancën për Shqipërinë Madhështore.

I dashur zoti Bujar Leskaj, udhëheqës politik i qarkut të Vlorës.

Të dashur kryetarë të degëve të PD të Vlorës, Himarës dhe degëve të tjera.

Zonja Zhupa, udhëheqëse politike për Sarandën.

Të dashur kandidate dhe kandidatë për deputetë të qarkut të Vlorës, përfaqësues të shkëlqyer, dinjitozë të qytetarëve të këtij qarku, krenari e vërtetë për Vlorën, Himarën, Sarandën dhe mbarë Shqipërinë.

Nuk mund të mos e filloj këtë fjalim me përuljen më të madhe para jush, burrave dhe grave të kësaj treve, që i keni qëndruar si viganë, më të fuqishëm në çdo kohë se të tjerët të keqes.

Askush nuk ka qëndruar ndaj të keqes siç keni qëndruar ju, himariotët.

Vajza që paraqet takimin e quajti Himarën e lavdisë, e vërteta është se qëndresa e Himarës është një faqe e lavdishme në historinë e njeriut, në betejën me të keqen, qëndrimin e tij të pamposhtur dhe ju të tillë keni qenë në të gjitha kohërat.

Dhe ta marrë vesh Edi Rama se pushtimeve, askush nuk i ka dhënë përgjigje më të merituar se Himara dhe Himara ia dha Edi Ramës atë përgjigje që meritonte. Atë përgjigje ia dha me Fredi Belerin.

Miqtë e mi, Donald Trump në fushatën e tij elektorale u tha amerikanëve se një rrezik më i madh për amerikanët se sa fuqia e Kinës apo Rusisë është armiku i brendshëm.

Çfarë ishte ky armik i brendshëm?

Ky armik i brendshëm në SHBA dhe në Shqipëri ishte armiku që përdorte drejtësinë për të marrë mandatet e të zgjedhurve tuaj, pasi nuk i mundnin dot në fushë betejë, pasi bënin gjithçka që ju të mos e votonit.

Por ju e votuat dhe atëherë përdori si burracak drejtësinë e tij për t’i marrë kryetarit tuaj të zgjedhur mandatin.

Bëri një kurth të vjetër të shpifur nga ato që Himara i mban mend shumë mirë se i kurdiste Sigurimi i Shtetit, vetëm e vetëm për t’i grabitur mandatin.

Prokurorët dhe gjykatësit e kontrolluar prej tij, nuk e lejuan Belerin siç ishte lejuar çdo tjetër i votuar më përpara, nuk e lejuan që të vinte të bënte betimin dhe shkaku ishte vetëm një: se Beleri nuk pranoi të kandidonte për partinë e tij.

Se Beleri i tha se unë jam i djathtë dhe unë kam parimet e mia, dhe ato parime nuk putheshin kurrë me parimet e atij që kërkon t’u vjedhë tokat, të plaçkisë tokat tuaja, t’u zhbijë ju nga shtëpitë tuaja.

Ndaj dhe unë e nisa fjalën time se më i keqi i të gjithë të këqijve është armiku i brendshëm që të merr lirinë, që përdor drejtësinë për dhunë politike, që dhunon të drejtat më elementare, më themelore të njeriut, pronën, votën.

Çfarë i mbetet më një njeriu të lirë?

PD dhe aleanca e saj janë një aleancë konservatore, e cila ka në themel të saj vlerat tradicionale të njeriut, dinjitetin njerëzor, liritë e tij, pronën, besimin tek Zoti, atdhetarinë.

Ne besojmë fort se vetëm duke u bazuar në këto vlera mund të ndërtojmë Himarën Madhështore, Shqipërinë Madhështore.

Mund të ndërtojmë Himarën e ëndrrës së bukur të bijve dhe bijave të saj.

Shqipërinë e ëndrrës së bukur të bijve dhe bijave të saj.

Ndaj dhe jam këtu për t’u zotuar para jush se qeveria e ardhshme, paprekshmërinë e pronës, rikthimin dhe kompensimin e saj, pajisjen tuaj me dokumente, të gjitha legalizimet dhe çdo gjë që keni, do t’i ketë përparësi absolute”, u shpreh Berisha

Share it :