Janë çyryk”, Rama: Burrat dibranë s’janë fyer, do t’i shihni në zgjedhje!
Deklarata e kryeministrit Edi Rama një javë më parë në Dibër, ku vendosi theksin te forca e votës së grave dhe vajzave për Partinë Socialiste, duke thënë për burrat se janë “gjysma normalë dhe gjysma çyrykë”, ka bërë bujë në opinionin publik.
Kryesocialisti, shumë i kritikuar nga opozita për referencën që bëri, e ka sqaruar gjuhën e përdorur përmes rubrikës “Sy m’Sy”.
“Unë s’kam ofenduar asnjë burrë dibran, kam thënë “gjysmat”. Kam shpjeguar elektoratin se 56% e grave shqiptare janë pjesë më e shëndetshme politikisht sepse janë më pak të prirura për të ulur në kafe, dhe mbështesin PS. Në disa qarqe shkon mbi 60%. Tek burrat jemi më afër, dhe kam thënë na mjafton 56% e grave, 55% e votuesve të parë dhe gjysma e burrave, gjysma tjetër janë çyrykë politikisht”, sqaroi Rama
Rama tha më tej se burrat dibranë nuk janë fyer nga etiketimi që ai bëri dhe këtë do e tregojnë duke votuar në zgjedhje masivisht për Partinë Socialiste.
“Të shkosh me kënetën ka një problem shumë të madh. Kjo është arsyeja pse gratë dibrane dhe burrat dibranë nuk janë fare të fyer, përkundrazi do i shikoni në zgjedhje. Apo më pas do të vijë ajo fjalia siç thoshin disa çyrykë nga pasqyrat e kënetës natën është populli i sëmurë se mendon se gjërat po shkojnë si duhet”, tha Rama.
Në fund kryeministri u shpreh se mazhoranca mund të shkojë në 1 milionë vota në zgjedhjet e 11Majit.