KLARINETISTË DHE GANGSTERË
Nga Erion Dasho
Gjatë pandemisë së COVID-it jam ndalur shpesh në keqmenaxhimin e situatës nga boratët dhe rilindësit.
Përveç grykësisë së shprehur në përdorimin jashtë objektivit të ndihmave të BE-së, tenderët e fshehtë, tenderët me një ofertues, blerja jotransparente e vaksinave, etj., jam ndalur edhe te profilet e të ashtuquajturve “menaxherë” shëndetësorë të rilindjes. Veçanërisht te dy prej tyre të cilët shkollimin bazë e kishin përkatësisht klarinetistë dhe balerinë.
Pas pesë vitesh, shohim një tjetër profil. Zonjat në qeverisje janë paraqitur nga Borati si sjellje të frymës së re, ndershmërisë, zgjuarsisë në raport me burrat “çyrykë”, finesës në raport me “zdromsat”, etj.
Ky stereotip u sfidua nga drejtoresha e Spitalit të Dibrës e cila u shkarkua në muajin shkurt për shkak të ushtrimit të dhunës ndaj shefit të vet të financës. Dje, zonja në fjalë paska “përndjekur” edhe drejtuesin e ri, çuditërisht i zgjedhur nga radhët e “çyrykëve”, pra burrave!
Shpesh e kam thënë se shëndetësia është një mikrokozmos ku mund të shihet më mirë se kudo tjetër se si ka qeverisur rilindja.
500 milionë eurot e vjedhura nga pacientët për t’ua shpërndarë oligarkëve, investimi në lajle dhe lule, në vend të reformimit të sistemit, drejtimi me elifimatrakë dhe gangsterë, etj., flasin për përafrimin që ka pasur dhe ka rilindja ndaj këtij sistemi aq të ndjeshëm për qytetarët.
20 mijë të vdekurit prej COVID-it, mijëra të sëmurët që vdesin çdo vit nga kanceri, qytetarët të cilëve u dëmtohet shëndeti apo jeta se nuk kryejnë dot analizat, etj., janë pasojat mbi jetën të këtij sistemi batakçinjsh, klarinetistësh, balerinash, por edhe hajdutësh e gangsterësh.
Edhe për këto arsye, shqiptarët do ta ndëshkojnë me votë rilindjen dhe Boratin në 11 maj! Që duke nisur nga data 12 maj, opozita shqiptare të nisë edhe ndërtimin e shëndetësisë madhështore.
Shëndetësisë që meritojnë shqiptarët.