Studentja: Nuk largohen nga dëshira, por nga nevoja! PD i jep shpresë të rinjve
Studentja Kledja Rapaj, në takimin që PD-ASHM zhvilloi në Gjirokastër tha se, në 11 maj të rinjtë e vendit, duhet të votojnë që të mos kenë arsye për tu larguar nga vendi. Ajo theksoi se, PD-ASHM është e vetmja alternativë që i jep shpresën të rinjve.
“Jam Kledja Rapaj nga fshat në Lazarat. Dhe sot flas me krenari si bija e këtij vendi që prej kohës ka qenë bastion i së djathtës i punës dhe dinjitetit. Më duhet ta them hapur Lazarati këto 12 vite është diskriminuar na ka ndëshkuar jo për atë që kemi bërë por për atë që përfaqësojmë lirinë, zërin e lirë dhe votën e lirë. Dhe unë jam këtu për të thënë se Lazarati nuk dorëzohet. Më 11 maj do të tregoj se nuk harron dhe nuk hesht.
Tani dua të flas si pjesë e brezit të ri si një vajzë e re që shikon për ditë se si të rinjtë e këtij qarku, të këtij qyteti largohen dhe jo nga dëshira por nga nevoja. Jugu i Shqipërisë dhe Gjirokastra janë lënë pas dore. Të rinjtë janë larguar masivisht. Shkollat nuk ofrojnë cilësinë që duhet universiteti i Gjirokastrës që dikur ka qenë krenaria e këtij qyteti sot po zbrazet. Mundësitë janë minimale dhe shpresa po shuhet. Unë besoj se kjo do të ndryshojë me një politikë që beson tek rinia, që e trajton rininë si pasurinë më të madhe të këtij vendi.
Në 11 maj nuk votojmë për një parti por për një drejtim të ri, për një politikë që nuk e harron Gjirokastrën dhe fshatrat e Gjirokastrës. Për një qeveri që i jep fund shpërfilljes që sjell investime, arsim cilësor, vende pune dhe shpresë për ne të rinjt. Votojmë për të mos pasur më arsye që të largohemi për të qëndruar pranë familjes tonë për të sjellë sërish shpresën në sytë tanë. Ne jemi të rinjt e Gjirokastrës jemi e ardhmja e Shqipërisë dhe këtë herë e ardhmja nuk ikën por ajo fiton në 11 maj”, tha Studentja.