Berisha: 500 milionë euro ishte abuzimi i tmerrshëm me paratë e Covid-it!
Kryetari i PD, Sali Berisha ka zhvilluar një takim gjatë ditës së sotme me studentët e mjekësisë. Berisha tha se, projekti ynë i Shqipërisë Madhështore parashikon një transformim tërësor të arsimit dhe të shëndetësisë.
“Për t’i dhënë një përgjigje kësaj situate, ne vendosëm që 100 ditët e para të kemi vendosur minimumin jetik, 6.3 euro në ditë, është i kalkuluar nga ILO dhe Avokati i Popullit.
Kjo është vlera që quhet jashtë varfërisë ekstreme.
Varfëri është, por jo ekstreme se ekstremja nuk të garanton as minimumin jetik.
Dhe me këtë paketë prej 200 eurosh për çdo pensionist, për çdo të papunë, për çdo njeri në ndihmë ekonomike, për çdo student me bursë, për çdo jetim, ne përjashtojmë varfërinë ekstreme nga Shqipëria.
Në vendet e BE nuk ka varfëri ekstreme sepse japin para dhe u garantojnë sipas nivelit një pagë për secilin qytetar.
U ndala këtu sepse ju e kuptoni më mirë se ç’do të thotë minimum jetik. Minimum për të jetuar.
Gjer këtu është rrokullisur vendi, kur 21 përqind e fëmijëve nuk marrin dot 3 vakte në ditë, do të thotë se sirenat e urisë bien në dhjetëra mijëra familje shqiptare.
Projekti ynë i Shqipërisë Madhështore parashikon një transformim tërësor të arsimit dhe të shëndetësisë.
Së pari, nuk ka udhëtim drejt Europës me standardet më të ulëta, me standarde të 65 viteve më parë, të numrit të mjekëve për popullatën.
Shqipëria, shteti nuk disponon një pet skaner, tre akseleratorët që u morën në vitin 2013, janë jashtë funksioni. Jo se nuk rregullohen, por se mafia, armikja më e egër e bluzave të bardha dhe e të sëmurëve, kjo mafie nuk i rregullon ato sepse do që shqiptarët të shkojnë të paguajnë tek privati.
U premtua shëndetësi falas. A e dini ju se INSTAT, që kontrollohet nga qeveria, njoftoi një javë më parë se shqiptarët paguajnë në vit 820 milionë euro për kujdesin shëndetësor nga xhepi i tyre.
Që të gjitha bazë korrupsionin.
Dhjetë ditët e fundit në spitale nuk bëhen analiza sepse koncesioni i analizave, që është fund e krye kriminal dhe korruptiv, u thotë spitaleve kanë mbaruar kitet, kaq ishte kontrata. Dhe të gjithë shqiptarët, atë dhjetëditësh duhet të shkojnë tek privati, t’i bëjnë me lekët e xhepit analizat. Po, kjo është e vërteta.
Situata në spitale është çnjerëzore. Është në terrenin e krimeve kundër njerëzimit.
Pse është kjo? Sepse të sëmurët në spitalet tona vdesin nga mungesa e ilaçeve për të mjekuar sëmundjet e tyre të rënda.
Para 3 muajsh, pas një seri denoncimesh të një gazetari kurajoz, që i bëri një shërbim shumë të madh vendit, të mungesës së tmerrshme të ilaçeve dhe aparaturave në Spitalin Onkologjik, Edi Rama deklaroi se aty kryhen krime kundër njerëzimit dhe tregoi me gisht mjekët.
Nuk them se mjekët aty nuk kanë përgjegjësi, kanë përgjegjësi, por krimet kundër njerëzimit i kryejnë ata që vjedhin paratë e caktuara për blerjen e ilaçeve për të sëmurët me sëmundje neoplazike. Ata janë autorët e vërtetë. Dhe janë ministri, drejtori dhe mbiministri.
Por megjithëse tha këtë fjalë, se aty kryhen krime kundër njerëzimit, nuk mori asnjë masë për ndryshim dhe aty gjendja sot është akoma më keq se 3 muaj më parë.
A mund të ndodhë kjo? Një dehumanizim i asaj që është më humania e të gjitha degëve të tjera. Vepër kjo e korrupsionit.
Vepër e një klientele të ngushtë të kryeministrit.
I ka pasur nëpër zyra të bashkisë këto që emëroi, këtë që unë i them Korba e Korrupsionit, që është tani te shëndetësia.
500 milionë euro ishte abuzimi i tmerrshëm që këto bënë me paratë e Covid-it.
Dhe ne dolëm në çatinë e botës për vdekshmërinë nga Covid-i.
Po pse? Jo se ishim vendi më i shpartalluar, as se ishim vendi më i varfër. Por sepse kjo, çfarë t’i thuash, por nuk dua të prish gojën time, nuk shtronin të sëmurët. E mbanin me 500 shtretër. Kosova me një të tretën e popullatës më pak, me 1200 shtetër. Maqedonia me 1300 shtretër.
Kurse këta gjetën një sharlatan me bluzë të bardhë, i cili absolutisht do ndiqet gjer ditën e fundit të jetës së tij për atë që bëri, dhe e shndërruan Tiranën në spital. I linin të sëmurët në shtëpia, nuk kishte shtretër dhe natyrisht vdekja korri më shumë se në çdo vend tjetër të Europës dhe këta bënin shou”, tha Berisha.