Kardinali afrikan që tmerron Macron-in

Kardinali afrikan që tmerron Macron-in

Nga James Tidmarsh, SPECTATOR

Kardinali Robert Sarah nga Guinea në Afrikën Perëndimore është emëruar midis pasardhësve të mundshëm të Papa Françeskut dhe kjo perspektivë po dërgon një tronditje në establishmentin francez. Ai e ka akuzuar Perëndimin se po tradhton rrënjët e tij të krishtera dhe e ka përshkruar migrimin masiv si një formë të “vetëshkatërrimit”. Ai ka folur për emigracionin si një “formë të re skllavërie”, të krijuar nga dështimi i Evropës për të mbrojtur identitetin e saj, dhe u ka bërë thirrje afrikanëve të rinj të qëndrojnë në vendet e tyre dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në shtëpi. Në vitin 2021, gjatë një interviste në radion franceze, ai bëri një nga komentet e tij më të cituara: “Nëse Evropa vazhdon në këtë mënyrë, ajo do të pushtohet nga një popullsi e huaj”. Në Francën e sotme, këto fjalë bien si një granatë. Shqetësimi në Elize është i prekshëm.

Sarah është një personazh i rëndësishëm. 79-vjeçari e humbet të drejtën e votës në konklavë në qershor, dhe qëndrimi i tij luftarak e ka bërë atë një figurë përçarëse në Romë. Por midis katolikëve konservatorë, veçanërisht në Francë, ai është bërë hero. Mbrojtja pa kompromis ndaj traditës, sulmet e tij ndaj sekularizmit dhe denoncimi i asaj, që ai e quan kolapsi moral i Perëndimit, e kanë shndërruar atë në një forcë kulturore. Ai është i lavdëruar në platformat tradicionaliste, citohet me miratim nga politikanët e krahut të djathtë dhe trajtohet nga disa si antidoti shpirtëror i gjithçkaje që Papa Françesku erdhi për të përfaqësuar.

Askund nuk është më nxitës mesazhi i Sarah sesa në Francë. Me mbi 10 përqind të popullsisë së saj të lindur jashtë vendit, tensione në thellim mbi emigracionin dhe një sekularizëm që është gjithnjë e më shumë nën presion, Franca është një fuçi baruti dhe retorika e Kardinal Sarah është një ndezës i shkëlqyer. Paralajmërimet e tij për “vetëshkatërrimin” e Evropës pasqyrojnë ankthet e miliona votuesve francezë që ndihen të alienuar nga instinktet globaliste të Macron-it. Thirrja e Sarës që afrikanët të “qëndrojnë dhe të ndërtojnë”, në vend që të emigrojnë, ka një forcë të veçantë në Francë, një vend që po përballet me identitetin e tij post-kolonial dhe miliona emigrantë të tij nga Afrika. Fakti që këto pikëpamje nuk vijnë nga një nacionalist i bardhë, por nga një kardinal afrikan i zi, i bën ato edhe më të rrezikshme për narrativën progresive.

Me shumë gjasa, Kardinali Sarah nuk do të jetë papë. Përplasjet e tij të hapura me doktrinën e Papa Françeskut dhe pikëpamjet e tij të ashpra e bëjnë atë një kandidat të dështuar. Por ajo që do të funksionojë në favor të Sarah, të paktën simbolikisht, është pikëpamja në rritje se Papa i ardhshëm duhet të vijë nga “Jugu Global”. Me katolicizmin në rënie të ndjeshme në Evropë dhe duke lulëzuar në pjesën më të madhe të kontinentit afrikan, shumë argumentojnë se Papa i ardhshëm duhet të jetë afrikan. Kandidatura e Sarah mund t’i flasë një Kishe që e di se e ardhmja e saj qëndron më shumë në Lagos sesa në Marsejë.

Por çfarëdo që të ndodhë, Kardinali Sarah tashmë po përcakton kushtet e debatit mbi emigracionin, mbi identitetin dhe mbi shpirtin e Perëndimit. Kandidatura e tij ka shfrytëzuar një shqetësim të thellë që establishmenti nuk mund ta heshtë.

Edhe pse konklava pothuajse me siguri do ta anashkalojë Kardinalin Sarah, mesazhi i tij do të jehojë shumë kohë pasi të largohet tymi i bardhë.

Share it :