Meta: Dumani dhe Rama kanë bërë marrëveshje për t’i siguruar mandatet njëri-tjetrit
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, tha se Altin Dumani dhe Edi Rama kanë bërë një marrëveshje me njëri-tjetrin për të siguruar mandatet respektive në krye të SPAK dhe qeverisë.
“Asnjë ndryshim nga qëndrimet e mia koherente për SPAK. Gjithmonë mburojë e krimit elektoral. Edhe kur vepron, si kofini pas të vjelit. Rasti im është i veçantë pasi unë jam aktor dhe dëshmitar kyç i Reformës në Drejtësi si Kryetar i Kuvendit dhe President dhe denoncuesi kryesor i shndërrimit të saj në ramaformë, pra instrument totalisht në shërbim të ruajtjes së pushtetit të tij edhe duke “sakrifikuar“ shumë bedelë për arsye të një korrupsioni të frikshëm dhe gjoja për të krijuar idenë e “pavarësisë“, por absolutisht SPAK e ka burimin e tij te votimi antikushtetues i Arta Markut si kryeprokuror me 69 vota”, tha Meta në “Off the Record”, nga Andrea Danglli.
I pyetur nga Danglli rreth provave që SPAK ka mbledhur kundër tij, Meta u përgjigj: “S’ka asnjë dokument për mua.
Ju lutem publikojeni nëse ekziston një i tillë: Për shembull për Edi Ramën ekziston firma e tij që shpall kompaninë fituese ende pa “lindur”, pra pa ekzistuar juridikisht. Por këtë SPAK-u nuk e sheh. Edhe grabitjen pa maska të inceneratorit që nuk ekziston, e quan krim intelektual. Nuk ka asnjë dëshmitar ndaj meje që të provojë një shkelje, përveçse ka prova se çdo dëshmitar ka pasur probleme me shkeljen e ligjit. Shqiptarët do qeshin me dëshmitarët e SPAK-ut të Ramës. Gjithçka kundër meje është një komplot kundër demokracisë dhe sovranitetit. Marrëveshje midis Dumanit dhe Ramës për t’i siguruar njëri-tjetrit mandate të paligjshme duke rrëmbyer e përndjekur drejtuesit kryesor të opozitës e duke ndëshkuar me regji edhe bashkëpunëtorë të Ramës për ta shitur këtë gjoja si drejtësi të pavarur. Strasburgu do jetë falimentimi i plotë i SPAK-ut ndaj edhe këta përpiqen ti zvarritin çështjet sa më shumë”, tha ai. (A2 Televizion)