Sarajet e Surrelit/ Kalaja: Irena me 3 mbiemra po bën manovra në shkelje të ligjit, së shpejti do publikojmë skandalin me vetingun e saj
Deklarata e Kryetares së Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja:
Më 2 shtator 2024, Partia Demokratike ka kallëzuar çiftin Rama dhe bashkëpunëtorë të tyre për grabitjen e pronës në Surrel.
Ashtu siç e ka treguar në gjithë këto vite, Dumani i partisë, nxiton që këtë çështje ta çojë për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës, duke argumentuar kësisoj se të gjithë këtë veprën penale e kishte bërë bashkëshortja e kryeministrit, dhe jo ky i fundit, si zyrtar i lartë dhe kompetencë e SPAK.
Ndërkohë që kjo prokurori e mban 6 muaj pa veprime, pa evidentuar edhe konfliktin e interesit për shkak se gjyqtarja që kishte marrë vendimin në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, ishte drejtues i kësaj prokurorie, në fund të 2024, merr vendimin antiligjor të “mosfillimit” të procedimit penal, kur ligji këtë afat e ka përcaktuar 15 ditë.
Pas ankimimit që ushtruam kundër këtij vendimi, gjyqtari Edvan Velçani i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke u ngritur në lartësinë e detyrës, vendosi pranimin e ankimit dhe kalimin për kompetencë të kësaj çështje pranë GJKKO.
Nisur nga fakti se ligji i jepte tagra GJKKO, referuar situatës procedurale ku ndodheshin hetimet dhe provave në dosje, të detyronte SPAK regjistrimin e kësaj çështje me drejtimet përkatëse të hetimit, çfarë bën GJKKO?
Sërish, “redaktori” thërret në skenë Irenën me 3 mbiemra, e cila ashtu siç edhe ka vepruar në këto vite në shkelje të detyrës, ligjit dhe Kushtetutës, e dërgon për konflikt kompetencash në Gjykatën e Lartë.
Kujtojmë publikun se është e njëjta gjyqtare, e cila jo vetëm nuk ka deklaruar gjatë procesit të vetingut shkarkimin nga Z. Berisha, në tagrin e kryetarit të KLD dhe dëbimin nga shteti grek, duke e shpallur non-grata në vendet Shengen për 10 vite, por ka marë përsipër të përdoret nga ata që e lanë brenda sistemit të drejtësisë, vetëm për ta përdorur kundra opozitës dhe liderëve kryesorë të saj.
Por në këtë rast, Irena me 3 mbiemra, nuk mund të bëjë asgjë më shumë se thjesht e ka shtyrë me disa ditë përballjen e Ramës me ligjin.
Në këto kushte, PD, duke qenë se po bën një veting real të kësaj pseudo-gjyqtareje, zotohet se jo vetëm do bëjë publike shumë shpejt të gjithë skandalin me vetingun e kësaj shërbëtoreje të pushtetit, por dhe se kushdo gjyqtar dhe prokuror që me veprime aktive dhe duke ndërhyrë në dosje e prova, janë përdorur si amnistues të narco pushtetit dhe persekutorë të opozitës, do përgjigjen para ligjit.
Po kështu, PD zotohet se do bëjë gjithçka, që më 12 maj të fillojë rikthimi i Shtetit Ligjor të së Drejtës.