SPAK sërish jo fair-play

SPAK sërish jo fair-play

Nga Genc Burimi

Nëse do që të të respektojnë, fillo një herë të jesh vetë i respektueshëm.” Kjo shprehje e autorit të famshëm cinik anglez të shekullit të 19-të, Somerset Maugham, do t’i shkonte si një dorezë elegante kupolës së organit të akuzës në Shqipëri, SPAK.

9 vjet pas krijimit të tij, me tre zgjedhje madhore në bagazhe, 2017, 2021 dhe 2023 dhe pasi theu një rekord të parë duke syrgjynosur për krim zgjedhor një kandidat të Opozitës (Belerin), SPAK nënshkroi këtë të dielë rekordin e tij të dytë të denjë për The Guinness Book of Records. Opozita, dhe sërish ajo, dhe ekskluzivisht ajo, dyshohet për një krim të ri elektoral, atë të financimit ilegal politik për një kontratë lobingu në SHBA.

Në pikën e dimrit, SPAK ndoshta i mbarsur më në fund me provat që botohen në raportet periodike të OSBE/ODIHR për manipulim “industrial” të zgjedhjeve në Shqipëri nga Partia – Shtet, polli një platformë dhe një task-forcë kundra krimit elektoral në Shqipëri, një premierë që nga rënia e diktaturës komuniste. Ishte muaji janar, 5 muaj para zgjedhjeve të 11 majit. Dhe më pas asgjë. Një gjumë i gjatë letargjik siç u ka hije gjitarëve dembelë. Aq i thellë ishte ai gjumë “spak-ian”, sa asgjë, as dhe skandali më skandaloz elektoral nuk duket se do t’i lëvizte një qime balozit të drejtësisë shqiptare. As grumbullimi me forcë nga Partia – Shtet i 6 mijë punonjësve bashkiakë në sheshin kryesor të Kryeqytetit për fushatë të saj, as grumbullimet me forcë të nxënësve dhe mësuesve të tyre në mitingje elektorale nga lideri i Partisë-Shtet, as shumat marramendëse të hedhura nga Shteti për mitingjet e Partisë në pushtet në diasporë, as agjendat surrealiste të ministrave dhe Kryeministrit ku gjithë aktiviteti është për Partinë dhe asgjë më për Shtetin, dhe, qershia mbi tortë, as busti i buf-it simbol i talljes së kryetarit të Opozitës nga zyra e Shtetit prej shefit të Partisë – Shtet, as fjalori i flaktë anti-opozitë i regjistruar çdo ditë Sy m’sy nga po kjo zyrë që paguhet nga taksat e të gjithë shqiptarëve, të gjitha këto krime elektorale nuk përbënin indicie e jo më alarme për ta zgjuar nga gjumi letargjik mamuthin e drejtësisë shqiptare se e njëjta farcë elektorale po luhet në Shqipëri edhe në 2025, ashtu si në zgjedhjet e kaluara.
Dhe në momentin kur vetëm dy javë para zgjedhjeve, kur e kishim humbur çdo shpresë se SPAK do të zgjohej nga gërrhitja që e nisi në janar me krijimin e Task “farcës” kundra krimit elektoral, papritur, këtë të dielë, tym i bardhë doli mbi selinë e SPAK-ut. Aleluia? SPAK u zgjua? Ditën e Zotit bile kur të gjithë pushojnë? SPAK që flinte prej vitesh përballë krimit elektoral, vendosi të buçiste me të gjithë forcën e mushkërive që i mbush me rrogat e majme që i jep shqiptari me djersën e tij, se Drejtësia e kapi me qerre fajtorin e krimit të llahtarshëm elektoral. Më në fund u gjend fajtori! Partia – Shtet pra?

Të ishte ashtu, do të kish qenë shumë kollaj për SPAK-un që i ka për ëndje misione më të komplikuara dhe të rafinuara se ato që bëjnë mu. Fajtori për manipulimin e zgjedhjeve është… është… Partia jo në Pushtet. Ekzakt! Si s’na shkoi mendja që më parë, për më tepër që e kishim përvojën e duhur me Fredi Belerin. Hajdut zgjedhjesh një herë, hajdut zgjedhjesh përherë. Konkluzioni rrjedh vetvetiu: Lavdi kësaj drejtësie heroike që ndonëse na mbajti në tension për muaj të tërë, arriti, siç i ka hije çdo shqiponje syshtizë të kapë buf-in kodosh dhe hajdut që po i vidhte mandatet të Lavdishmes Partisë – Shtet. Se ku shkuan qindra milionat dollarë të shqiptarëve që avulluan në ajër mbi oxhakët fantazmë të incineratorëve, apo mbi det në portin e Durrësit, apo në tokë në rrugët me asfalt edhe më të shtrenjta se rrugët nënujore të internetit dhe a mund të ketë shkuar kjo pasuri në blerje votash, kjo është pyetje për fillestarët, për nxënësit e shkollës së Magjistraturës.

James Bond-at e SPAK-ut preferojnë dosje më serioze që vijnë erë mish buf-i. Ku i gjetën përtej Atlantikut milionat për Bufin, kjo është çështja dhe jo ku avulluan qindra milionat e shqiptarëve brenda Shqipërisë.

Të lusim Zotin se me këtë anketim global deri në Amerikën e largët, James Dumani ndoshta kap në rrjetën e tij investiguese edhe shumat që Partia – Shtet i dha natën në një parking supermarkete përtej Atlantikut Mac Gonigal-it të famshëm, dhe ndoshta edhe më më shumë fat, SPAK kap në rrjetën e tij investiguese dhe ndonjë pus nafte që kjo Parti – Shtet i bëri dhuratë në Shqipëri po këtij ish–kuadroje të lartë të FBI-së që shqetësohej për pensionin e vogël që do të kishte në Amerikë. Ah kjo çështje e pensionit që mbetet preokupimi numër një dhe i kupolës së SPAK-ut. Për pak muaj, nëse Partia – Shtet nuk është më në Pushtet, “goodbye” rroga 7 mijë dollarëshe që i pritet shefit të SPAK-ut si me pre, sapo t’i mbarojë mandati kushtetues që e rikthen të varfërin kryeprokuror tek rroga bazë e prokurorit në bazë. Mbase ishte ky ankth ekzistencial personal që e bëri Dumanin të ngrihet nga krevati ditë diele si Terminatori për të “terminuar” punën e nisur me Mac Gonigal nga Partia Shtet për asgjësimin e Partisë jo në Pushtet? Verdikti, pas dy javësh…

Share it :