Asgjëja në programin elektoral të regjimit dhe sallonet televizive të mediokracisë së pushtetitNga Ndricim Kulla

Asgjëja në programin elektoral të regjimit dhe sallonet televizive të mediokracisë së pushtetit
Nga Ndricim Kulla

Përballë prirjes së sotme kundra opozitare të pushtetit , që përpiqet të ngatërrojë pushtetin me rilindjen e politikës, duke ngritur kështu mjegullnajat e një Rilindjeje kombëtare, ajo që mund të na nevojitet nga ana intelektuale është qëndresa kulturore ndaj demagogjisë dhe dyshimit.

Pra, lipset të qëndrojmë më parë në nivelin kulturor e më pas në konkretizimin e këtyre vlerave në politikë.

Po përse vallë na duhet një qëndresë kaq e fortë?

Njihet se tashmë media po luan pjesën e luanit në sferën publike. E ka këtë mundësi në demokraci me pa anësinë, por jo me anësinë e pa kufi ,siç po ndodh nën këtë regjim. Televizioni, shtypi, e së fundi interneti janë bërë natyrshëm instrumentet thelbësorë të informacionit. Dhe pluralizmi i opinionit duhej të ishte pjesë përbërëse e asaj pasurie vlerash mbi të cilat themelohet demokracia. E megjithatë, nuk arrin të mohohet, se është bërë tragjikë fakti, ku raporti midis pushtetit dhe sistemit të informacionit është bërë krejt i dëmshëm veçanërisht sot , kur para nesh është shfaqur një mediatizim i hapur dhe i skajshëm i diskursit politik në Shqipëri. Nga njëra anë, mediat qeveritare priren të diktojnë nenet e agjendës së politikanëve pushtetarë, por duke mos arritur shpesh të korrin prioritetet reale të një kombi, për të mos folur më pas për thjeshtëzimin e problemeve më komplekse dhe më spikatëse. Nga ana tjetër, qeverisja po prodhon veten me artifica të caktuara formatesh dhe përmbajtje me një gjuhë të përpunuar pikërisht nga pseudo profesionistët e informacionit. E gjithë kjo e ka varfëruar dhe molepsur keq debatin politik. Por, ajo ç’ka rëndon akoma dhe më shumë, është se kjo metodë i ka pozicionuar në një rol dytësor “vendet” tradicionale të demokracisë si parlamenti, seksionet e partive, tryezat dhe forumet partiake ose nder-partiake ,sepse ato janë shfuqizuar dhe kanë sjellë mbretërimin e “telekracisë” apo ”mediokracisë”.

Qeverisja e sotme, sot është transformuar në një “rrëfim politik” që jepet njëherësh në shumicën e rrjeteve të informacionit. Nuk jemi habitur kështu, që në kushte të tilla, sallonet televizive janë kthyer në një lloj “ parlamenti shtesë”.

Tani agjendën e medieve kanë filluar ta udhëheqin twitterat e shkurtër të kryeministrit, shumë origjinalë në batuta të stilit ala Rama, por shumë mjeranë në artikulime të dobishme alternativash dhe programesh, me të cilat qeveria ”bombardon” disa herë në ditë lajmet. Tek e fundit, si mund të artikulohen alternativa në një zonë kaq të ngushtë mesazhesh? Si mund të kërkosh gjëra të tilla në një rrjet që aq shumë e duan edhe artistë, studentët, gjimnazistët, profesionistët, sportistët apo njerëzit e spektaklit, ku shumë prej tyre mund të mos kenë kohë të mjaftueshme për veprime medituese. Për përgjigjet e kundërpërgjigjet, thumbat e ironitë, arma twitteriane e pushtetit është bërë ideale sidomos sot edhe në të gjitha ditët e fushatës. Po ajo që nuk mund ta pranojmë e që shfaqet si një reduktivitet qesharak i gjithë fuqisë së këtyre mesazheve, është përdorimi tej mase politik e propagandistik me fraza të tilla që përfundojnë gjithmonë me shprehjen ”aksh problem apo aksh situatë mund ta zgjidhe vetëm ne dhe programi i PS”, e vetmja zgjidhje PS”, deri aty sa dhe ”heqjen e borës mbi çatitë mund ta bëjë më mirë PS”.

Dhe i gjithë ky rrëfim unikal në historinë politike të një vendi të vogël ka në sfond një histori dështimesh dhe qeverisje të inkriminuar. Dhe këtë e kupton edhe një herë më qartë po ta ilustrojmë me thelbin e fjalës së shkurtër të Kris La Civita drejtues amerikan i fushatës elektorale të opozitës në ceremoninë e hapjes së saj: “Në 2025, këtu në Shqipëri, socialistët duan të burgosin të gjithë opozitën, por do të dështojnë. Pse? Sepse nuk kanë çfarë të thonë për 12 vitet e fundit, 12 vite krim dhe drogë.

Dhe për 12 vjet mbi 1 milion shqiptarë janë larguar nga Shqipëria. 12 vjet dështim ekonomik”.

A mund të ketë inteligjencë njerëzore që s’mund të ndikohet nga një perceptim i këtij përshkrimi sintetizues?

Kur vallë do të reshtë njëherë e mirë instrumentalizimi i publikut?

Ndikimi i drejtpërdrejtë dhe i “egër” i audiencës ka zëvendësuar konstruktimin e ngadaltë e të mundimshëm të konsensusit demokratik. Qytetari ose votuesi, po trajtohet si një spektator që i pëson pozitivisht mesazhet e kësaj politike gjithnjë e më të largët prej vetes e gjithnjë e më virtuale. Një alibi me jo pak peshë për të nxitur dezertimin e vendeve të pjesëmarrjes civile. Në agoranë mediatike dhe elektronike angazhimi civil pothuajse është zhdukur.

”Kërkimi i video-pushtetit ose vizibilitetit në media ( sipas Xhiovani Sartorit), dëshirimi për t’i “ pushtuar” e spikatur ato zbulon në mënyrë të pamëshirshme një dobësi të theksuar në termat e kapacitetit projeksor të perspektivës dhe të ndërmjetësimit social”. Në një lloj mënyre, skenari i perëndimit të alternativave qeverisëse po zhvillohet edhe falë kësaj “mimeze mediatike” që kontribuon në degradimin e përmbajtjeve dhe vlerave të politikës.

Jam munduar disa here në shkrimet dhe opinionet mia të kërkoj me shpresë dhe me durim një artikulim të përgjegjshëm, intelektual, dinamik dhe largpamës të programit elektoral nga pushteti edhe në vijimësinë e kësaj fushate. Po shikoj të njëjtat steriotipe të përsëritura në vitet e keq qeverisjes të cilave u korrespondojnë dështimet e mbuluara nga mjegullat e mjeteve të informimit të mbërthyera nga pushteti. Kur kam shkruajtur dhe kam pyetur për drejtësinë dhe rendin, për rrugët dhe energjinë si shtylla që duhej ti kishte programi i mazhorancës, kërkova të dija se cilat janë shtyllat e paraqitura me argumente dhe shifra në programin e pushtetit. Sa për edukimin dhe arsimimin e rinisë, jam marrë e kam shkruar gjatë, në vite, por ende nuk gjeta asnjë artikulim të nevojshëm programor që të na sqarojë se këto janë vërtet shtylla e si mendohet të zgjidhet reforma edukuese. Kur kryeministri shumë vite më pare shpaloste herë pas here planet për bujqësinë, s’mund të ngelesha në përgjigjen e tij twitteriane, “ne e bëjmë më mirë”, dhe kërkova edhe njëherë, artikulimin për një program konkret për bujqësinë, akoma dhe më të detajuar e të frytshëm për ekonominë shqiptare. Edhe njëherë ngela pa përgjigje domethënëse, por problemi dhe dëmi më i madh është se e gjitha kjo reforme twitterane ne popull përkthehet në demagogji dhe mungesë perspektive. Për sa i përket të ashtuquajtur rilindjes së politikës, unë kam shkruar mjaft artikuj, e disa kohë më pare edhe një libër me titull “A ka jetë përtej së majtës dhe të djathtës”, që në thelb është një libër i fokusuar kryesisht për një rilindje politike të vërtetë dhe atë të majtë në veçanti. Ka mjaft rrugë, metoda e strategji, të ardhura nga mendimi më i mirë filozofiko – politik për ta bërë një gjë të tillë, por edhe kësaj here asgjëja e kësaj denjësie të qeverisjes nuk po shfaq asgjë fare në horizontin programor elektoral të pushtetit që do të fitoj mandatin e katërt. Në vend të një programi që regjimi as e ka dhe as e ka vrarë mendjen për ta kërkuar, kemi ngado përgjigjet e standardizuara të krerëve të Partisë Socialiste në çdo takim që po bëjnë në këtë fushatë: ”aksh problem apo aksh situatë mund ta zgjidhë vetëm programi i PS”.

Këtu fillon dhe mbaron perspektiva qeverisëse e regjimit.

Share it :