Të dhënat nga Banka e Shqipërisë: Bankat fshinë 24 mln euro kredi të humbura
Vlera e kredive të fshira nga sektori bankar u rrit vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2024 bankat nxorën jashtë bilanceve rreth 2.4 miliardë lekë kredi të humbura (rreth 24 mln euro), 20% më shumë krahasuar me një vit më parë. 61% e vlerës së kredive të fshira u takonte bizneseve.
Fshirja e kredive të humbura të sektorit bankar nisi të marrë përmasa të mëdha në vitin 2015, kur Banka e Shqipërisë vendosi detyrimin rregullator për të nxjerrë jashtë bilanceve kreditë e klasifikuara si të humbura prej më shumë se tre vjetësh.
Fshirjet dhanë një ndikim shumë të rëndësishëm në uljen e raportit të kredive me probleme të sektorit bankar, që në atë periudhë kishte arritur në kufijtë e 25%. Nxjerrja e një kredie të humbur jashtë bilancit është një veprim kontabël, që nuk nënkupton heqjen dorë nga procesi ligjor i mbledhjes dhe rekuperimit të saj.
Fshirja bëhet me qëllim uljen e raportit të kredive me probleme të bankave, por, megjithatë, ajo nuk ka ndonjë impakt në performancën e tyre financiare, sepse kreditë e klasifikuara si të humbura janë të provigjionuara në masën 100%. Në përpjekje për të nxitur pastrimin e mëtejshëm të portofoleve, Banka e Shqipërisë në vitin 2020 vendosi shkurtimin e afatit për nxjerrjen jashtë bilancit të kredive të humbura në dy vjet, nga tre vjet që kishte qenë më parë.
Që nga janari 2015, kur nisën të zbatoheshin kërkesat rregullatore për nxjerrjen e kredive të humbura jashtë bilanceve, bankat kanë fshirë rreth 82 miliardë lekë kredi të humbura. Megjithatë, pjesa më e madhe e fshirjeve ndodhi në vitet e para pas miratimit të kërkesave rregullatore. Në vitet fundit, vlera e fshirjeve ka qenë në vlera relativisht të ulëta.
Raporti i kredive me probleme vitin e kaluar ra në 4.2%, nga 4.8% që kishte qenë në fund të vitit 2023, duke prekur nivelin më të ulët të 15 vjetëve të fundit. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo ecuri u ndikua nga efekti i kombinuar i tkurrjes së stokut të kredive me probleme dhe rritjes së stokut të përgjithshëm të kredisë. Bankat kanë raportuar rritje të cilësisë së kredisë kryesisht për kredinë me maturitet afatshkurtër, kredinë për bizneset dhe kredinë në valutë.
Stoku i kredive me probleme në fund të 2024 ishte rreth 35 miliardë lekë, në rënie të lehtë vjetore, me 1%. Në këtë ecuri ka ndikuar kalimi i disa kredive “nënstandard” dhe “të dyshimta” drejt klasave performuese, si pasojë e ritmit më të shpejtë të shlyerjes së kredive me probleme.
Gjatë periudhës, kreditë me probleme të klasifikuara “të humbura” u zgjeruan me 3.5 miliardë lekë. Peshën kryesore në portofolin e kredive me probleme vijojnë ta mbajnë pikërisht kreditë e humbura dhe pesha e tyre arriti në 62% në fund të periudhës, nga 56% që zinte një vit më parë.
Mbulimi me kolateral i kredisë mbetet në nivele të larta dhe gjatë periudhës ky raport u rrit me 1 pikë përqindje, në 76%. Kreditë me kolateral në formën e pasurive të paluajtshme zënë peshën kryesore ose rreth 61% të kredisë së kolateralizuar dhe 46% të tepricës së kredisë.
Stoku i kredisë së kolateralizuar me pasuri të paluajtshme është zgjeruar me 9% në krahasim me një vit më parë, si rezultat i rritjes së kredisë së kolateralizuar me pasuri të paluajtshme rezidenciale. Edhe portofolet e kredive të kolateralizuara me kolateral tjetër kanë shënuar rritje.
Raporti i mbulimit me provigjione për rrezikun e kredisë është rritur, duke qenë se është rritur pesha e kredive të klasifikuara “të humbura” në strukturën e kredive me probleme, për të cilat kërkohet provigjionim i plotë. Në dhjetor 2024, raporti i mbulimit të kredive me probleme me provigjione prej 76% ishte më i lartë se niveli 67% i regjistruar në fund të gjysmës së parë të vitit 2024 dhe më i lartë se niveli prej 71% i një viti më parë./ Monitor