Berisha paralajmëron policinë: Mos prekni banorët e Hotolishtit! Zbatoni ligjin dhe jo urdhërat e kriminelëve!
Nga Librazhdi, kreu i PD, Sali Berisha i ka garantuar banorëve të Hotolishtit se zëri dhe vullneti i tyre do të jenë të paprekshëm në çdo proces vendimmarrës.
Në fjalën e tij, Berisha paralajmëroi forcat e policisë dhe administratën publike që të mos zbatojnë urdhra politikë të ardhur nga “komisarë kriminelë”, por të qëndrojnë në krah të ligjit dhe qytetarëve. Ai tha, mos u bëni vegla të bandave, patronazhistët do të ndiqen si terroristë elektoralë.
Berisha: Banorëve të Hotolishtit iu jap fjalën se asgjë nuk do bëhet në kundërshtim me vullnetin e tyre. Se zgjidhja do jetë ajo që ata meritojnë dhe kërkojnë. Dhe ata kanë të drejtë në çdo ligj kombëtar dhe ndërkomnbëtar të përfillen dhe të vendosin për fatin e tyre.
Kam një thirrje për anëtarët e forcave të policisë u bëj thirrje mos shkelmoni mbi djersën tuaj, mbi mundin tuaj, mbi sakrificat tuaja.
U garantoj se pas 11 Majit, çdo orë e tyre do paguhet, trajtim i ri për çdo polic. Por mos zbatoni urdhra kriminelësh, komisarë kriminelësh që bashkëpunojnë me bandat, zbatoni ligjin, jini shërbëtorë të vërtetë të ligjit dhe qytetarëve.
Një thirrje kam për punonjësit e administratës. Qëndroni të palëkundur, shërbëtorë të qytetarëve, besnikë të ligjit.
Mos u bëni terroristë patronazhistë sepse u garantoj se patronazhistët do ndiqen si terroristë elektoralë gjithë jetën e tyre.
Të dashur miq, unë po vij nga Valencia.
Kongresi i PPE i 82 partive politike, kongresi i forcës më të fuqishme në Europë, miratoi një rezolutë, në të cilën gozhdonte Edi Ramën dhe regjimin e tij si një regjim që minon votën e lirë.
Si një regjim që minon demokracinë.
Si një regjim që bashkëpunon me krimin.
Si një regjim që nuk ka të ardhme.
Si një regjim që nuk e do Shqipërinë në Europë.
Ndaj u bëj thirrje të dëgjoni zërin e miqve tanë, që shohin tek PD forcën kryesore politike të lirive dhe të drejtave të shqiptarëve, të begatimit dhe prosperitetit të tyre, të integrimit të tyre në Europë.
11 Maji është dita e ndryshimit, dita e fitores, e Librazhdit madhështor, Elbasanit madhështor, Shqipërisë Madhështore!
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!