Deputetja e Forza Italia në takimin e PD: Votoni Berishën për të çliruar Shqipërinë!
Deputetja e Forza Italia, Erica Mazzeti, e ftuar në takimin që PD-ASHM zhvilloi me banorët e Xhamllikut në Tiranë, u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që të votojnë për Sali Berishën më 11 maj nëse do e duan vendin pjesë të familjes së madhe evropiane.
Mazzeti theksoi se, qytetarët shqiptarë e kanë për detyrë çlirimin e vendit nga regjimi i Ramës, pasi sipas saj, Italia nuk dëshiron që të ketë një vend fqinj ku mungon ‘liria’.
Ajo e përfundoi dhe me një shprehje të Berluskonit ‘ai që beson, lufton dhe fiton’ duke i dhënë një frymëzim qytetarëve, që dëshirojnë një vend demokratik.
“Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Italisë, dhe këtë e dëshmon sonte prania ime këtu. Por jo vetëm sonte, sepse prej shumë vitesh ne jetojmë së bashku dhe duam ta bëjmë këtë ende.
Falë Presidentit Berluskoni që e ka bërë të njohur popullin tuaj të mrekullueshëm, që ka ndarë me ju një rrugëtim, ne ju kemi pritur me krahë hapur dhe ju i keni dhënë shumë vendit italian, dhe ne ju themi faleminderit.
Tani ju keni një detyrë të madhe: duhet ta çlironi këtë komb, duhet ta bëni Shqipërinë të lirë përsëri, sepse ne kemi nevojë për një vend fqinj që të jetë i lirë nga çdo gjë dhe që të punojë me ne.
Dhe gjithë këtë ju mund ta arrini falë fitores së Berishës. Dhe duhet ta bëni ju, secili prej jush që ndodhet këtu përballë meje do të japë një kontribut të madh të dielën për fitoren e madhe të Berishës.
Duhet të besoni, sepse ai që beson, lufton dhe fiton. Kështu thoshte presidenti i madh Berluskoni dhe askush nuk duhet ta harrojë. Të gjithë ju keni mundësinë ta ndryshoni këtë vend dhe ne italianët do të jemi krenarë, sepse kemi shumë rrugë për të bërë së bashku.
Ju presim në familjen e madhe të Partisë Popullore Evropiane, ku Berisha erdhi me ne tre ditë më parë, sepse ne jemi një familje e madhe dhe edhe ju duhet të bëni pjesë në Evropë. Evropa është një mundësi e madhe për të gjithë, por mund ta arrini vetëm nëse keni një president të madh, dhe ju keni mundësinë ta votoni dhe ta bëni atë të fitojë.
Prandaj të dielën, të gjithë, bindni të gjithë të shkojnë të votojnë, të votojnë për një person të drejtë dhe të çlirojnë këtë vend të madh që është Shqipëria. Forza Italia! Ja ku jeni! Jam e bindur që Presidenti Berluskoni po na shikon dhe është krenar për të gjithë ne së bashku në një betejë të drejtë, dhe ne do të luftojmë për të fituar. Forca Shqipëria! Forca Berisha!”, tha Mazzeti.