Ndryshohet buxheti jo per rritje pensionesh/ Rama, 10 milionë euro me urgjencë për projektin e Mira Muratit

Ndryshohet buxheti jo per rritje pensionesh/ Rama, 10 milionë euro me urgjencë për projektin e Mira Muratit
Qeveria shqiptare do të hyjë aksionere me 10 milionë dollarë në startupin e shqiptare Mira Murati të quajtur Machine Thinking Lab. Këshilli i Ministrave ka ndryshuar buxhetin e shtetit përmes procedurës urgjente të aktit normativ për të akorduar shumën prej 10 milionë dollarësh si financim pjesmarrje në kompani.

Financat e kanë argumentuar “nevojën” dhe “urgjencën” për këtë ndryshim të shpejtë të buxhetit me akt normativ me faktin se financimet për startup-in e Mira Muratit duhet të realizohen sa më parë.

Sipas mediave, deri tani, nisma “Machine Thinking Lab”, e drejtuar nga shqiptarja, ka arritur të gjenerojë financime me vlerë deri në 2 miliardë dollarë.

Nisur nga afatet e ngushta në dispozicion, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si institucioni përgjegjës për inovacionin, i ka kërkuar Financave sigurimin e fondeve të nevojshme, në mënyrë që edhe shteti shqiptar të bëhet financues në këtë startup inovator të inteligjencës artificiale.

1 miliardë lekët e nevojshme për të realizuar financimin, pa ndërmarrë ndryshime apo rialokime të tjera fondesh janë siguruar nga të ardhurat shtesë të depozituara në buxhet nga Agjencia e Administrimit të Pasurisë të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), si pasojë e performancës së mirë financiare të këtij institucioni, raporton ekofin.al.

MEKI ka argumentuar se startupi i drejtuar nga Mira Murati është një nga projektet më inovative në nivel global në fushën e inteligjencës artificiale, që pritet t’i sjellë përfitime edhe Shqipërisë, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe sa i përket imazhit të vendit dhe pozicionimit në komunitetin botëror teknologjik. Përfshirja e mundshme e shtetit shqiptar në projektin e ri të shqiptares u përmend si mundësi disa javë më parë nga Kryeministri Rama.

Megjithatë, duhet theksuar se ky është një rast ‘sui generis’ ku buxheti ndryshon me akt normativ vetëm për të ndërmarrë një financim të tillë dhe pa arsye të tjera. Ndryshimet e mëparshme të realizuara me akt normativ kanë qenë kryesisht për rialokime fondesh, por gjithmonë ato kanë patur të paktën 3 ose më shumë arsye që kanë sjellë ndryshimin e buxhetit.

Share it :