Strazimiri: Vetëmbrojtja jonë është vota për Sali Berishën dhe 1-shat e tij!
Në takimin e kreut të PD, Sali Berisha në Fushë Krujë, ku prezantoi kandidatët e PDASHM, mori fjalën edhe drejtuesi politik i Krujës, Gent Strazimiri.
Strazimi u shpreh se nuk duhet të ndërrohet atdheu nëse lëngon, por duhet të ndërrohet qeveria, dhe mbrojtja jonë është vetëm vota për Sali Berishën dhe 1-shat e tij në ekip.
“I nderuar doktor Sali Berisha dhe kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë. Edhe 9 ditë na ndajnë nga 11 maji, një datë shumë e rëndësishme për kombin, mbase më e rëndësishme se 22 marsi i vitit 1992. Njësoj si në 22 mars të vitit 1992, zgjedhja është krejt e lehtë: do të zgjedhim midis çlirimit dhe lirisë, ose midis mjerimit në robëri. Kemi përballë dy alternativa, një vagabond që ka 12 vjet që mashtron, nënshtron, varfëron, ndëshkon, vjedh dhe turpëron, ose një burrë shteti, një njeri i familjes, i fjalës dhe i besës, një patriot intelektual si profesor doktor Sali Berisha.
Motra e vëllezër, Zoti na bekoi kur na lindi shqiptarë në një vend që e bekoi bujarisht me pasuri madhështore, dhe ne e quajmë Shqipëri. I dhuroi tokën më të begatë dhe ne frutat i blejmë nga Greqia. I dhuroi kullotat më të pasura, por ne mishin e marrim nga Brazili dhe pimë qumësht pluhur nga Serbia. Ka 12 vjet që ne largohemi nga ky vend sepse na e kanë bërë të pajetueshëm. Ka 12 vjet që e kemi gjetur si zgjidhje ndaj papunësisë, shtypjes dhe vjedhjes largimin.
Fëmijët tanë të pashkolluar, në mëshirë të modeleve të suksesit që ofron rruga dhe rrugaçët. Largohemi sepse atdheu lëngon. Vëllezër e motra, largimi nuk është zgjidhje nëse atdheu lëgon. Nuk ndërrohet atdheu, por ndërrohet qeveria. Ne kemi një armë që ata nuk na e kanë marrë dot, falë Sali Berishës: ka ende një ditë, 1 herë në 4 vjet, armën që nuk e ka në dorë pushteti, e kemi secili prej nesh. Nuk ka armë më të fortë sesa bashkimi i fuqisë së të pafuqishmëve. Ajo është vota.
Përdoreni këtë fuqi më 11 maj. Vetëmbrojtja jonë është vota për Sali Berishën dhe 1-shat e tij në ekipin e tij. Një jetë normale me dinjitet është kërkesa jonë në këtë vend të bekuar. Zoti i bekoftë shqiptarët e lirë, Zoti e bekoftë atdheun tonë, Shqipërinë madhështore!”, tha Strazimiri.