Tubimi i PD në Fier, Meta: Shqipëria po “shpërthen”. 11 maji do jetë dita e çlirimit të madh nga grabitja

Tubimi i PD në Fier, Meta: Shqipëria po “shpërthen”. 11 maji do jetë dita e çlirimit të madh nga grabitja

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga qelia pas tubimit elektoral të Partisë Demokratike në Fier, duke e quajtur atë një shpërthim popullor për ndryshim.

Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Meta deklaron se 11 maji do të jetë “dita e çlirimit të madh nga grabitja dhe plaçkitja e narkoqeverisë”, ndërsa shpreh mbështetje të plotë për kandidatin Arben Çuko dhe Aleancën për Shqipërinë Madhështore.

Sipas Metës, qarku i Fierit do të kthehet në një motor zhvillimi ekonomik, duke lënë pas varfërinë dhe papunësinë.

Postimi i kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta:

Fieri shpërtheu sot në gjithë energjinë dhe vullnetin e tij për ndryshimin e padiskutueshëm që po vjen dhe mbështetjen masive për Aleancën e Shqipërisë Madhështore.

Fieri nuk mund të pranojë më plaçkitësit e narkoqeverisë, që detyrojnë të jetojë në varfëri e papunësi një qark me potenciale kaq të mëdha industriale, bujqësore e turistike.

Fierakët do të votojnë djemtë e tyre, si kandidati ynë dinjitoz Arben Çuko, i cili nuk e ka braktisur kurrë Fierin dhe komunitetin, duke ndarë ditët e mira e të vështira me ta.

Nesër në Kuvend, pa asnjë diskutim, Arben Çuko do të jetë zëri i fuqishëm dhe i sinqertë i komunitetit myzeqar – zë që i ka munguar për shumë kohë Kuvendit.

Programi i shkëlqyer i Shqipërisë Madhështore do ta shndërrojë Qarkun e Fierit në një motor zhvillimi dhe mirëqenieje ekonomike, duke zhdukur përfundimisht fjalët: varfëri, shpopullim dhe papunësi.

11 maji do të jetë dita e çlirimit të madh nga grabitja, vjedhja dhe plaçkitja e narkoqeverisë.

Share it :