Gjin Gjoni: Rama i ka borxh Lezhës 12 vite pa investime e nën hije krimi
Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Lezhës, Gjin Gjoni, përmes një postimi në Facebook ka reaguar ndaj vizitës së kryeministrit Edi Rama në këtë zonë, duke ngritur akuza të forta për neglizhencë, dështim në investime dhe thellim të problemeve me krimin dhe drogën.
Gjoni thekson se gjatë 12 viteve në pushtet, Rama ka injoruar nevojat e Lezhës, Mirditës dhe Kurbinit, duke mos realizuar projekte të rëndësishme infrastrukturore si Milot-Balldre apo Lezhë-Shëngjin, ndërsa i ka lënë banorët përballë pasigurisë dhe vetëgjyqësisë
Ai kujton se vizitave të Ramës në këtë zonë u kanë paraprirë ngjarje të rënda kriminale dhe akuzon kryeministrin se ka përdorur Lezhën vetëm për propagandë.
Në kontrast me këtë realitet, Gjoni paraqet një program konkret të Partisë Demokratike, që përfshin paga mesatare 1200 euro, pension minimal 200 euro, taksë të sheshtë dhe mbështetje financiare për të rinjtë në blerjen e shtëpisë së parë.
Postimi i plotë:
Edi “inauguroi” në Lezhë dhe Rrugën e Arbrit, po nuk tha pse në 12 vite nuk u ndërtuan akset Milot-Balldre dhe Lezhë-Shëngjin!
Në 17 Prill 2025 një ditë para se Edi Rama të vizitonte Qarkun Lezhë në kuadër të turit të tij personal elektoral pa ekip e pa program, në trevën tonë u shënua një vrasje, teksa dhe dje kur data shënonte 3 Maj, vizitës së Edi Ramës në Lezhë që u zhvillua sot i parapriu një ngjarje e rëndë me 1 të vrarë dhe 4 të plagosur në Laç.
Edi Rama e ka ekspozuar si askush Lezhën, Mirditën e Kurbinit përballë kanabizimit dhe krimit, teksa duke shkrirë Policinë dhe Prokuroritë i ka ekspozuar përballë vetëgjyqësisë banorët e këtyre trevave.
Unë jam njeri që vij nga radhët e ligjit dhe më dhemb shkelmimi që ky njeri i ka bërë institucioneve ligjzbatuese, duke larguar drejtësinë nga qytetari.
Edi Rama me politikën e tij të krimit i ka veshur nënat trevës sonë me të zeza, teksa investimi i vetëm që solli në Lezhë ishte kampi i Gjadrit, i ndërtuar vetëm pak metra larg aeroportit ku me urdhër të tij niseshin avionë me kanabis drejt Italisë.
Edi Rama i ka shumë borxhe Lezhës, pasi në 12 vite e diskriminoi në investime madhore, duke mos ndërtuar rrugë, por duke i vënë vetëm trarë.
Ai sot foli për Rrugën e Arbrit por asnjë përgjigje nuk dha as sot se pse nuk u ndlrtua rruga Milot- Balldre, as pse nuk u ndërtua me standarde segmenti i rrugës Milot-Rrëshen.
Aksi Lezhë-Shëngjin është lënë rrugëve prej 12 vitesh nga Edi Rama, duke penalizuar një prej zonave turistike më të mira në Shqipëri.
Përballë diskriminimit të Edi Ramës ne kemi një program konkret që parashikon pagë mesatare 1200 euro, pension minimal 200 euro, taksë të sheshtë dhe 30 mijë euro kredi për të rinjtë për blerjen e shtëpisë së parë.
Edvin, Lezha, Mirdita dhe Kurbini të jesh i siguritë se në 12 Maj do të japin përgjigjen që të kanë dhënë për 34 vite me radhë.#GG#.