Spahiu: Me votën tuaj më 11 Maj mbyllim përfundimisht çështjen e statusit të minatorit!

Spahiu: Me votën tuaj më 11 Maj mbyllim përfundimisht çështjen e statusit të minatorit!

Deputeti i qarkut të Dibrës, Përparim Spahiu, gjatë takimit të kryetarit të PD, Berisha në Bulqizë, u shpreh se ky takim është organizuar si një moment i rëndësishëm diskutimi dhe zotimi, ku është dhënë fjala se statusi i minatorit jo vetëm do të miratohet, por konsiderohet tashmë si një çështje e mbyllur.

Ai falënderoi doktor Berishën për nismën dhe premtimin e qartë që në fillim të fushatës: rritje page për minatorët, përmirësim të kushteve të punës, kontrolle shëndetësore falas dhe një pension të denjë për sakrificat e tyre.

“Këtë takim e kemi zgjedhur si një takim diskutimi, pune dhe një takim për dhënien e fjalës, mbajtjen e saj dhe për miratimin e statusit të minatorit. Doktor, shumë faleminderit që firmosët një marrëveshje në momentet e para të fillimit të kësaj fushate për Bulqizën dhe për gjithë vendin, si një deklaratë premtimi që statusi i minatorit është një çështje e mbyllur dhe se statusi i administratorit është miratuar.

Unë jam i bindur, ashtu si edhe ju, se ajo që do të ndodhë më 11 maj është në dorën tuaj: statusi i minatorit është në dorën tuaj dhe jo më në tonën.

Ju e keni në dorë që me votën tuaj më 11 maj për Partinë Demokratike dhe për deputetët e saj, ta miratoni atë status. Është momenti të flasim se çfarë kërkohet, çfarë duhet, çfarë duan minatorët dhe çfarë u takon atyre – e që u është mohuar për kaq shumë kohë.

Ju e dini që paga duhet të jetë së paku dyfishi i pagës minimale, dhe Berisha ka premtuar që paga e minatorëve do të jetë jo më pak se 1000 euro. Minatorët kanë një punë të vështirë dhe kanë nevojë për kontroll mjekësor dy herë në vit, i cili do të jetë falas për çdo minator. Kushtet e punës do të rregullohen me ligje të veçanta. Ju e dini se kur dhe si duhet të dalë në pension një minator, dhe sa duhet të jetë pensioni i tij. Këto do të zgjidhen përmes statusit të minatorit.

Unë e konsideroj këtë çështje të mbyllur: statusi i minatorit. Fjala e Berishës do të jetë fjalë për të gjithë minatorët, kudo që janë, dhe ata duhet të votojnë për PD-në që të jenë të parët që e miratojnë statusin e minatorëve”, tha Spahiu.

Share it :