SPAK i komunikon Ajola Xoxës një akuzë të re
Prokuroria e Posaçme i ka komunikuar një akuzë të re Ajola Xoxës.
Bashkëshortja e Veliajt u paraqit në organin e akuzës paraditen e sotme rreth orës 10:45 dhe raportohet se prokurorët e posaçëm i kanë komunikuar akuzën e re të “fshehjes së të ardhurave”.
Ajola Xoxa qëndroi në SPAK për rreth 2 orë ditën e sotme, ndërsa kujtojmë se pak ditë më parë ajo u paraqit në ambientet e prokurorisë në kuadër të respektimit të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” të caktuar ndaj saj nga ana e GJKKO.
Ajola Xoxa është lënë në masën “detyrim paraqitje” lidhur me dosjen Veliaj, ku rezultonte se Xoxa ishte e përfshirë në skema abuzimesh me fondet publike. Sipas SPAK, Veliaj edhe bashkëshortja e tij, Xoxa kanë ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal dhe familjar përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.
Gjithashtu, Ajola Xoxa është nën hetim për akuzat: “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë); “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”; “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.