Berisha për median greke: Rama e ‘shënjestroi’ Belerin vetëm sepse ai nuk do të lejonte që të zaptonte Kanionin e Gjipesë
Kryetari i PD, Sali Berisha, në intervistën me median greke ‘Lifo’, zbardhi arsyen se përse Edi Rama e parandaloi Fredi Belerin që të marrë detyrën si kryebashkiak i Himarës.
Berisha theksoi se Edi Rama ka zaptuar Kanionin e Gjipesë një zonë që sipas tij, është një ndër mbrekullitë natyrore të Shqipërisë, gjë të cilën Beleri si kryebashkiak do ta parandalonte.
Ai shtoi se Kanioni i Gjipesë nuk është i vetmi rast me zaptimin e pronave, por sipas tij është një operacion i mirëfilltë mafioz ku janë të përfshirë dhe ministrat e kabinetit Rama.
Problemi është Mafia. Gjithçka që ndodhi me Fredi Belerin është sepse ai nuk do ta lejonte Ramën të merrte Kanionin e Gjipesë, një grykë midis Vunoit dhe Dhërmiut që është një nga kanionet më të famshme në botë. Ajo që u zbulua ishte se, pa dokumente kadastrale dhe pa dokumente konfiskimi, nëna e Edi Ramës dhe kushërinjtë e saj kishin siguruar një truall toke prej 224 mijë metrash katrorë përmes vendimeve gjyqësore. Kur skandali shpërtheu nga një gazetar i guximshëm, Rama tha se ishte një truall toke i vendosur diku lart në mal, por trualli ishte pranë detit, menjëherë pranë Kanionin së Gjipesë, e cila është e bukur dhe ndodhet në plazh. Ai e shënjestroi Belerin sepse nuk do ta lejonte kurrë Edi Ramën të merrte këtë tokë që nuk i përket familjes së tij. Kjo është e vërteta. Është një operacion i pastër mafioz, dhe nuk ishte vetëm ai i Ramës, por edhe ministrat e tjerë atje, që po marrin, ndërtojnë dhe shkatërrojnë tokën e vendasve, dhe kjo është e vërteta e Shqipërisë.” tha Berisha.