Kalaja dorëzon në GJKKO vendimin e dënimit të Irena Gjokës: Gjyqtarja me 3 mbiemra duhet të përballet me ligjin
Avokatja Adriana Kalaja ka dorëzuar sot në GJKKO, vendimin penal të dhënë nga autoritetet greke ndaj gjyqtares Irena Gjoka. Në deklaratën për media, Kalaja bëri të ditur se ka vënë në dispozicion vendimin e Gjykatës së Janinës, një akt juridik që dënon këtë gjyqtare e cila në mënyrë kategorike e ka mohuar dhe nuk e ka përfshirë këtë informacion as gjatë procesit të vetingut.
Ajo theksoi gjithashtu se ky fakt penal i rëndë nuk është evidentuar gjatë rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, një situatë që për Kalanë është një keqmenaxhim i sistemit të drejtësisë dhe një pasqyrë e paaftësisë së institucioneve të shtetit për të vepruar në kohë.
“Kam vënë në dispozicion dhe vendimin e Gjykatës së Janinës. Pra, vendimin penal të marrë ndaj gjyqtares me tre mbiemra, për të cilën ajo në mënyrë kategorike jo vetëm e ka mohuar por, nuk e ka deklaruar dhe në institucionet që e ka detyrimin ligjor dhe kushtetues për ta deklaruar dhe nga ana tjetër, edhe në procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve që quhet veting, ky fakt i rëndë penal nuk është evidentuar nga kjo gjyqtare.
Duke qenë se kjo gjyqtare dje ka dalë dhe ka dhënë disa deklarata për një media të caktuar, unë përpara zyrave të SPAK e sfidoj këtë gjyqtare duke i thënë që të vërtetojë që ky vendim gjykate i cili është ligjor dhe me vulë apustile, është i falsifikuar, dhe unë nesër të përballem me ligjin sipas dispozitave ligjore. Këtë thirrje kam në fakt edhe për të gjithë ata që paguhen nga pushteti, ata që në fakt kanë lobuar fort që Irena me 3 mbiemra të jetë në këtë sistem, të vijojë në këtë sistem, megjithëse sot, ajo duhet të ishte në përballje me ligjin.
Këtu po të shikoni është vula apustile e këtij vendimi. Vendim i cili në një kohë rekord është marrë për 10 ditë nga zoti Fredi Beleri, ndërkohë që prej 1 viti, institucionet shqiptare dështojnë të marin një vendim të tillë.
Nga ana tjetër, dua të denoncoj eshte një rast të paprecedent që lidhet me prokurorinë e Përgjithshme, pasi siç edhe ju e patë, në deklarimet e Irenës me 3 mbiemra, përveçse mohonte vendime të dënimit të saj dhe dëbimit 10 vjeçar të shtetit grek, dispononte edhe disa dokumente të cilat vërtetojnë që gjoja Irena me 3 mbiemra nuk është dënuar penalisht dhe nuk është dëbuar nga shteti grek.
Këtu dua të saktësoj dy momente. Pasi ne u vumë në dijeni të gjithë shkresave që kishin ardhur nga shteti grek, ne argumentuam edhe me një shkresë tjetër përsjellëse Prokurorisë së Përgjithshme, se bëhej fjalë për devijim të kërkimit të informacionit. Çfarë do të thotë kjo, devijim i kërkimit të informacionit.
Ministri i dosjes ‘184’, në vend që të kërkonte informacion në gjykatën ku ishte marrë vendimi i dëbimit dhe dënimit, ka shkuar në gjykatën e Athinës. Pra, në vend që të shkonte në Gjykatën e Janinës, ka shkuar në gjykatën penale të Athinës. Ndërkohë që ne, në asnjë shkresë për kërkesë informacioni nuk e kemi përmendur gjykatën penale të Athinës”, tha Kalaja.