Kampionja e boksit: Doktor, pash Zotin, ndihmojini sportistët! Qeveria më dha vetëm premtime boshe dhe net pa gjumë!
Në takimin përmbyllës të kreut të PD, Sali Berisha, në Durrës mori fjalën edhe kampionia e sporteve luftarake në Muat Thai dhe boks, Ermira Rexhamti.
Rexhamti u shpreh se sheh njerëz që lënë ëndrrat e tyre përgjysmë, sepse nuk kanë mbështeje, por unë nuk dua të heq dorë e të iki, në kërkojmë vetëm mbështetje të ndërojmë flamurin tonë.
Ermira Rexhamti
Mirëmbrëma, vëllezër dhe motra. Mirëmbrëma shqiptarët e mi. Mirëmbrëma, Durrësi i lashtë.
I nderuar doktor Berisha, dhe ju të gjithë që mbani gjak shqiptar, mirënjohje që na bashkoi Zoti në këtë natë të madhe.
Unë jam Ermira Rexhamti, me prejardhje nga malet e Gjallicës, Kukës. Jam sportiste e disiplinës Muay Thai – disiplinës më të rreptë në këtë planet. Por sonte, para Durrësit antik të Teutës, emocionet më dridhin më shumë se në ring.
Prej gjashtë vitesh i jam përkushtuar sporteve luftarake si Muay Thai, kickboxing dhe së fundmi boksit. Gjatë karrierës sime kam luftuar pothuajse në të gjithë Europën, si në Itali, Francë, Gjermani, Belgjikë, Zvicër dhe Prang, duke përfaqësuar Shqipërinë me krenari.
Në këtë rrugëtim kam arritur rezultate të rëndësishme, duke u shpallur:
Kampione e Italisë
Kampione ndërkombëtare
Kampione e titullit botëror ETF
Dhe së fundmi,
Kampione kombëtare edhe në boks.
Vendosa të rikthehem në Shqipëri për të vazhduar ta përfaqësoj denjësisht vendin tim. Mora premtime, por ato mbetën vetëm fjalë boshe.
Është e vërtetë që nuk jam marrë me politikë. Është e vërtetë që kurrë nuk kam luftuar për medalje apo tituj, por është e vërtetë që gjithmonë kam luftuar për flamurin e Skënderbeut, dhe për atë flamur do të luftoj sa të kem jetë.
Doktor, e di që ka shumë sportistë që sot nuk kanë guximin të flasin. Ka shumë djem e vajza që po e braktisin sportin, sepse janë të dëshpëruar, të zhgënjyer, të harruar. Unë e di, unë e di sepse i njoh. I shoh si vuajnë, si lënë ëndrrat e tyre përgjysmë, si ikin jashtë shtetit, sepse këtu nuk kanë mbështetje. Por unë nuk dua të heq dorë. Unë nuk dua të iki. Unë dua të qëndroj dhe ta nderoj këtë flamur. Edhe pse shpesh nuk kam pasur as mundësitë më minimale, unë kam qëndruar. Kam sakrifikuar. Ka net që nuk kam fjetur, duke qepur e qendisur, vetëm që të mbuloja shpenzimet e stërvitjes dhe të udhëtimeve. Familja ime më ka ndihmuar, si dhe trajnerët e mi, por e di që nuk mjafton. Dhe unë këtë sport e dua me shpirt, dhe për këtë sport kërkoj vetëm një gjë: mbështetje. Një dorë që të na ngrejë, jo ta presë ëndrrën në gjysmë.
Doktor, pashë Zotin, ndihmojini sportistët! Kjo tokë ka trima, ka bij dhe bija që i bëjnë nder flamurit të Gjergj Kastriotit. Ne nuk kërkojmë asgjë tjetër veçse mundësi, mbështetje dhe një dorë të fortë që e çmon djersën dhe sakrificën tonë. Sepse kur ngjitet flamuri ynë në qiell, ngrihet bashkë me zemrat tona. Shqipëria ka heronj në ring, ka luftëtarë që e bëjnë botën të flasë për të; mjafton t’i shohim, t’i besojmë dhe t’i mbështesim.
Dhe një gjë të fundit do ua them, në këtë natë të shenjtë për gjithë shqiptarët, që sot, në ditën e lindjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, unë do ta mbyll me thënien e tij legjendare:
“Të bashkuar jemi të pathyeshëm, rroftë Shqipëria, rroftë liria”.
Faleminderit!