Mediu në Berat: Vota juaj për nr.1, votë që mund varfërinë për 100 ditë!

Mediu në Berat: Vota juaj për nr.1, votë që mund varfërinë për 100 ditë!

Në takimin e kreut të PD, Sali Berisha, në mbylljen e fushatës në Berat, mori fjalën edhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu.

Mediu u shpreh se shpresa në vendin tonë ka humbur vetëm nga Edi Rama dhe vota juaj është arma më e rëndësishme kundër këtij sistemi të korruptuar e të kalbur.

“Të nderuar miq! Kur po vija, pashë një spot tëPS, i cili thoshte se shqiptarët kanë nevojë për shpresë. Pra, edhe socialistet kanë nevojë për shpresë. Shpresa në këtë vend ka humbur nga një njeri i vetëm, i cili shan, përbuz dhe fyen qytetarët e tij. Ky njeri e ka emrin Edi Rama. Ne shpresën e gjejmë tek shpirti i lirë dhe tek të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës. Shqipëria është në udhëkryq, por ne duhet t’i japim përgjigje këtij realiteti.

A mund të pranojmë një kryeministër që i sheh qytetarët vetëm si numra? Shqiptarët kanë zgjedhur të bashkohen me shoqërinë e njerëzve të lirë të gjithë botës. Ne jemi me ju, ju jeni me ne!

Kush është ai njeri që kërkon të na mohojë të drejtën për të votuar dhe për të zgjedhur lirisht? Ai është vetëm Edi Rama. Si askush tjetër në historinë e botës, ai ka bërë thirrje që kush nuk voton për të, më mirë të mos votojë fare. Ky njeri jo vetëm që manipuli, por ka frikë edhe nga vota.

Vota juaj në datën 11 maj është dinjitet, është liri, është shpresë, është Berat madhështor dhe Shqipëri e lavdishme. Sali Berisha ishte i pari që vizitoi Shtëpinë e Bardhë dhe vendosi vijat e kuqe. Dy gjërat më të mëdha janë: Shqipëria në NATO dhe Kosova e Pavarur. Edi Rama nuk ka pasur asnjë kontribut për këto arritje dhe asnjë shenjë të suksesit.

Sot, ne jemi me miqtë tanë amerikanë në çdo moment. Sot, ne jemi me Europën, jemi me SHBA-në, ndërsa Edi Rama ka ngelur vetëm me klubin e zullumit, duke vjedhur dhe duke varfëruar shqiptarët.

Motra dhe vëllezër, për 12 vjet pamë rrëzimin e Shqipërisë nga Edi Rama. Vota juaj është më e rëndësishme se çdo tjetër. Vota juaj për numrin 1 është vota që mund të luftojë varfërinë dhe të krijojë mundësi për një të ardhme më të mirë, për 100 ditë.

Zoti na ka dhënë mundësinë për të mbajtur kokën lart! Arma më e rëndësishme kundër këtij sistemi të kalbur dhe të korruptuar është vota juaj!”, tha Mediu.

Share it :