Show bajat elektoral/ Doli blof me Kukësin, tani Rama premton se do ngrejë avion nga Vlora
Një javë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, kryeministri Edi Rama dhe zëvendësja e tij, Belinda Balluku, njoftuan me fuqi të madhe mediatike inagurimin e aeroportit të Kukësit. Madje, për ta bërë më të besueshme operimin e terminalit të ri aeroportual, majtisti Rama udhëhoqi në fluturim një grup, që siç tha ai, “janë ‘çunat e Londrës’ nga Kukësi, që votojnë për Partinë Demokratike të djathtë”.
“Çunat e Londrës”, të cilët nuk u kuptua asnjëherë nëse ishin vërtetë të tillë, fluturuan nga Britania e Madhe për në Tiranë dhe, më tej, nga kryeqyteti, drejt aeroportit më të ri të Kukësit.
Por, pas këtij fluturimi elektoral, aeroporti i Kukësit nuk ka funksionuar më, megjithëse inagurimi i Rama-Ballukut u krye plot 4 vjet më parë.
Tashmë, jemi në kulmin e fushatës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Rama dhe Balluku i rikthehen sërish propagandës me fluturime. Kësaj radhe, në qendër të fushatës së tyre është aeroporti i Vlorës, i cili, njëlloj si ai i Kukësit, as nuk është funksional dhe as nuk dihet se kur do të jetë i tillë.
Megjithatë, kjo vepër publike e shumë-diskutuar, jo vetëm nga faktorë vendas, por edhe organizata ndërkombëtare, është pjesë e fasadës elektorale të qeverisë.
“Edhe 3 ditë nga ulja e avionit të parë në pistën e kodifikuar me inicialet VLO dhe për fillimin e testeve të hapjes graduale, për çertifikimin përfundimtar”, shkroi Rama në rrjetin Facebook të hënën e kësaj jave (5 maj 2025).