Vokshi: Nuk do të hesht! Kam paraqitur prova në SPAK ndaj Ramës, Manastirliut e Vilma Nushit!
Albana Vokshi, kandidate e PD për deputete dha një deklaratë para ambienteve të SPAK-ut lidhur me akuzat e shpifjeve që janë ngritur ndaj saj nga përfaqësues të zonjës Nushi.
Vokshi ka sqaruar detajisht se ka paraqitur prova të mjaftueshme për të hedhur poshtë akuzat dhe ka theksuar se këto akuza janë të pabaza dhe të orkestruara nga njerëz të lidhur me pushtetin për të fshehur realitetin e qeverisjes aktuale.
Ajo ka shpjeguar se qëllimi i këtyre akuzave është që ta detyrojnë të heshtë dhe të tërhiqet nga lufta për transparencë dhe drejtësi, por, siç u shpreh ajo, nuk do të hesht derisa të bëhet plotësisht e qartë për qytetarët e Shqipërisë të gjitha lëvizjet dhe shkeljet që janë bërë në emër të koncesioneve të dyshimta.
“Sipas leximit të akuzës nga ana e përfaqësuesve të zonjës Nushi në seancën e kaluar, ishin ndërprerë seancat e sotme. Vijoja me kundërshtimin nga ana ime, apo e përfaqësuesve ligjorë, sa i përket akuzave për shpifje që ka bërë zonja Nushi në adresën time.
Pra, kam sqaruar në mënyrë të detajuar, duke dhënë prova, fakte dhe dokumentacion të mjaftueshëm që i përgjigjet çdo akuze për shpifje në adresën time.
Ajo që duhet theksuar është fakti se është e thjeshtë një mënyrë që përdor Rama, Manastirliu, Ilir Beqja ndaj përfaqësuesve të opozitës për të na detyruar të heshtim për aq kohë sa ka interes publik, dhe unë jam përfaqësuese e popullit, dhe ka interes publik, unë do të vazhdoj të flas.
Nuk ka asnjë rëndësi nëse zonja Nushi ngre gjithçka në këmba për të më kërcënuar mua apo familjarët e mia, dhe nuk ka rëndësi se çfarë metodash përdor ajo duke folur me kërcënime të ndryshme, unë nuk do të hesht derisa të bëhet transparencë e plotë për këtë koncesion të check-up-it.
Unë do të vazhdoj të flas edhe për koncesionet e tjera, koncesioni i sterilizimit, laboratoret e kështu me radhë.
Unë kam paraqitur pranë SPAK prova të mjaftueshme dhe gjithashtu jemi në mbyllje të një kallëzimi të ri, bazuar në prova të reja që kemi si pjesë e komisionit hetimor.
Pra, dua të them se po përgatisim kallëzime të reja ndaj Ramës, Manastirliut apo Vilma Nushit”, tha Vokshi.