Berisha: Na duhen 100 ditë për të firmosur së bashku kthesën vendimtare
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë takimit përmbyllës elektoral të PD-ASHM në Korçë, akuzoi me tone të ashpra qeverisjen e 12 viteve të fundit, të cilën e quajti një “narkodiktaturë” që ka shtypur pluralizmin, opozitën dhe ka shkatërruar ekonominë. Berisha e vuri theksin mbi largimin masiv të banorëve nga Korça dhe rrethet përreth si rezultat i varfërisë në rritje, mungesës së vendeve të punës, rënies së prodhimit bujqësor dhe kolapsit të shërbimeve shëndetësore dhe arsimore.
Lideri Opozitar, Sali Berisha vlerësoi pasuritë natyrore dhe kulturore të zonës dhe kontributin e korçarëve në jetën intelektuale e artistike të vendit. Ai foli mbi projektet infrastrukturore të dështuara si rruga Korçë-Ersekë dhe Qafë Plloç-Qukës, si dëshmi të dështimit të qeverisë. Në përmbyllje, ai bëri thirrje për ndryshim politik në zgjedhjet e ardhshme, duke i cilësuar ato si një ndarje mes dy epokash për shqiptarët.
Në vijim të fjalës së tij, Kryetari i PD, Sali Berisha iu drejtua qytetarëve të Korçës, duke e cilësuar qeverisjen 12 vjeçare të qeverisë Rama, si një periudhë represioni dhe rrënimi ekonomik. Berisha e përshkroi realitetin shqiptar me imazhe të forta si djepi bosh, klasat pa nxënës dhe emigrimin masiv, duke theksuar se vendi po përballet me një krizë ekzistenciale. Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama për arrogancë dhe tentativë për të blerë heshtjen e qytetarëve, duke sjellë në vëmendje një episod me një qytetar të Korçës, Ilir Vrenozi, të cilin e vlerësoi si simbol të rezistencës morale.
Lideri demokrat, Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve të Korçës, Pogradecit, Devollit dhe Kolonjës që më 11 maj të bashkohen për një kthesë vendimtare. Ai kërkoi 100 ditë për të nisur transformimin e vendit dhe listoi një sërë premtimesh konkrete që synojnë përmirësimin e standardit të jetesës. Këto përfshijnë rritjen e pensionit minimal në 200 euro dhe të pagës minimale në 500 euro, uljen e çmimit të energjisë, naftës dhe ujit, si dhe garantimin e ilaçeve cilësore në farmacitë dhe spitalet publike sipas standardeve të BE-së, deklaroi Berisha.
Kryetari i PD premtoi ulje të taksave për biznesin, ndihmë për sektorin fason dhe vendosjen e një takse të sheshtë 10% për të gjithë. Berisha gjithashtu premtoi subvencione të barabarta me ato të vendeve fqinje për fermerët dhe mbrojtje sezonale për prodhimet bujqësore.
Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi se më 11 maj do të mbyllet “ëndrra e keqe” e Edi Ramës dhe do të nisë një epokë e re për Shqipërinë. Berisha akuzoi qeverinë për shpërdorim masiv të buxhetit dhe premtoi se fondet ekzistojnë për t’u kthyer qytetarëve përmes reformave konkrete. Lideri Opozitar fokusin kryesor e vendosi te rinia, duke premtuar mbështetje financiare për lindjet, arsimimin dhe punësimin: paga më të larta për mësuesit, bursa për studentët, arsim të detyrueshëm, 30 mijë euro për çiftet e reja, fonde për start up-e dhe kthimin e emigrantëve me lehtësira fiskale. Berisha e cilësoi rininë si “levën e shpëtimit” të kombit dhe u bëri thirrje qytetarëve të votojnë për ndryshimin më 11 maj.
FJALA E PLOTË
Qytetarë dhe qytetare të Korçës, përshëndetjet më të përzemërta. Mirënjohjen më të pakufishme. Qytetare dhe qytetarë të fitores së shumëpritur nga Korça, Devolli, Pogradeci, Erseka dhe mbarë Shqipëria.
Një përshëndetje të përzemërt kam unë sot për drejtuesin politik të PD-ASHM, z.Ivi Kaso, për Sekretarin e Përgjithshëm të PL, aleat ndër më kryesorët në këtë aleancë, Tedi Blushi. Përfaqësuesit tuaj nesër në Kuvendin e Shqipërisë, kandidatë të shkëlqyer të qytetarisë së Korçës, Devollit, Pogradecit, Ersekës dhe mbarë Shqipërisë.
Të dashur qytetare dhe qytetarë, 4 ditë na ndajnë nga një ditë e cila në të vërtetë për ne shqiptarë ndan dy epoka: ndan epokën në të cilën ne, një populli vuajtur në diktaturën më staliniste, në rrugën tonë të lirisë, patëm një aksident si asnjë komb tjetër. Përjetuam 12 vite narkoditaturë. Përjetuam në 12 vite vendosjen e një regjimi, i cili bëri gjithçka për të shtypur në Korçë dhe në Shqipëri pluralizmin, për të shtypur në Korçë dhe në Shqipëri opozitën. Bëri gjithçka për të plaçkitur korçarët dhe shqiptarët. Bëri çdo gjë për t’i përzenë ata nga vendi i tyre.
Miq, çdo korçar i mençur dhe korçare që mbyll sytë dhe mendon këto 12 vite, do të gjejë se, Korça nga një vend shprese, nga një qyetet i mrekullueshëm, i famshëm për dhuntitë e veta, për kulturën, për atdhedashjen, për shpirtin punëtor, shpirtin krijues, për pastërtinë, për çdo gjë. Fermerët e Korçës, burra dhe gra ndër më eficientët, ndër më të zotët. Po kështu, të Devollit, Pogradecit, Ersekës.
Në 12 vite, u larguan nga Korça, nga Erseka, Pogradeci, Devolli, ndofta si kurrë në historine e tyre. U larguan, jo se nuk donin Korçën, Pogradecin, Devollin apo Ersekën. Përkundrazi, me pasuritë e mëdha të këssaj treve, me liqej mahnitës, fantastikë, jo vetëm për Ballkanin, Europën. Me fermerët e saj ndër më të zotët që mund të ekzistojnë. Me intelektualët e saj të shquar. Me artistët, me këngëtarët, me shkrimtarët, me elitën e saj, Korça është vetëm për t’u admiruar.
Po ata, u larguan sepse, nga viti në vit rënia ekonomike u bë më e madhe. Sepse, nga viti në vit çmimet u rritën.
Sepse, nga viti në vit vendet e punës u mbyllën.
Sepse, sofra nuk kishte më për aq sa ishin anëtarët e familjes. Nuk kishte të ndante më.
Sepse, prodhimet mbeteshin në fushë.
Sepse, të sëmurët nuk kishin më ilaçe për t’u mjekuar. Qendrat shëndetësore u shkatërruan.
Çfarë ndodhi në Korçë 12 vite për qytetarët?
Mendojeni pak.
Ka bërë në 12 vite, gjysmën e rrugës Korçë-Ersekë, dhe ajo shembet çdo muaj.
Çfarë ndodhi në Korçë?
Rruga Qafë Plloç-Qukës ka 12 vite dhe nuk duket kurrkund.
Çfarë ndodhi në Korçë?
Shkollat u mbyllën njëra pas tjetrës, numri i studentëve ra frikshëm, ndërmarrjet falimentuan dhe fermat falimentuan.
Miq, korçare dhe korçarë të mençur, mos harroni kurrë një moment. Ai që erdhi në pushtet me votë në 2013, ai krenarisht kalonte nga një studio televizive në një studio televizive tjetër me hekura në dorë për të terrorizuar qytetarët e vet.
Mendoi se, në këtë mënyrë, ai do të dominojë mbi ta, do t’i bullizojë ata. Në këtë mënyrë, ai tregonte në të vërtetë fytyrën e paraardhësve të tij, të cilët kishin vendosur varje të kundërshtarëve politikë.
Erdhi në Korçë, dhe erdhi si pazarxhi. Mendoi se këtu, me Nikon e tij do mund të blinte një qytetar të thjeshtë të Korçës, njërin prej jush. Do mund ta blinte, sepse nuk i duronte dot kritikat e tij, nuk duronte dot shpirtin e tij të lirë, dhe u bë gati ta blinte.
Mirëpo, qytetari i Korçës, të cilit i uroj sot ditëlindjen, rastisi njëri prej jush, rastisi me karakterin tuaj, me normat tuaja morale, jo të sojit të tij, as të Peleshit të tij. Dhe e gjithë fushata e tij, u përqendrua në Korçë tek ky njeri që i uroj edhe 120 vite të tjera, Ilir Vrenozit.
Unë sot, bëj thirrje çdo qyetetari të Korçës, pogradecit, Kolonjës, Devollit, më 11 maj të bashkohemi, sepse, shtëpia pa fëmijë, pa të rinj, djepi bosh, klasat pa nxënës janë mjerim, për çdo shqiptar që i thotë vetes shqiptar. Pavarësisht nga bindjet e tij, i them çdo qytetari të Korçës dhe Shqipërisë, se shtëpia pa të rinj, se djepi bosh, edhe të florinjta po t’i ketë muret përfundojnë në një muze dhe jo në një shtëpi me zot. Dhe ne, sot, nuk jemi kurrë ata që duhet të ishim.
Ne sot, jemi njerëzit që kemi braktisur në 10 vite, më shumë se çdo komb tjetër, Korçën dhe Shqipërinë.
Ne sot, jemi njerëzit, në të cilët shkollat nxënës nuk kanë më.
Kemi sot si komb, treguesin e lindshmërisë më t ëulët në botë për shkak të emigracionit.
Pra, një sirenë, një klithmë buron nga shpirti i këtij kombi. Për çdo korrcar, për çdo shqiptar, më 11 maj ta shpëtojmë. Ju jeni shpresa! Korça ka shpresë, Korça ka besim!
Ju, që keni mbushur sheshet i rikthyet shpresën Korçës, i rikthyet shpresën Shqipërisë.
100 ditë na duhen, jo për pushtetin tim, kurrë. Por 100 ditë na duhen për të firmosur së bashku një kthesë vendimtare në këtë rënie të madhe që kemi.
Na duhen vetëm 100 ditë, që nënat, baballarët, gjyshet dhe gjyshërit tanë të mos numërojnë më kafshatën, por të shpërblehen, të marrin një pension minimal, kurrë më të ulët se 200 euro.
Sot, 570 mijë pensionistë kanë pension nën 172 euro.
Na duhen që, rrogëulëtit të mos marrin kurrë rroga ndën 500 euro. Që të mos paguani më energjinë mbi 7 lekë kilovatin.
Që naftën të mos e blini më kurrë më shtrenjtë se Maqedonia.
Na duhen 100 ditë që, ju në farmacitë tuaja të mos blini më ilaçe kallpe, por vetëm ilaçe që shiten në dy vendet e BE-së.
Na duhen 100 ditë, dashur korçare dhe korçarë që, ju për fëmijët tuaj, për veten tuaj, për prindërit tuaj, të moshuarit tuaj, të kemi atë lsitë ilaçesh që ka sot republika italiane për qytetarët e vet.
Na duhen 100 ditë, që të mos mungojë më asnjë ilaç në spitalet tona ëpr të sëmurët rëndë.
Na duhen 100 ditë që, ti biznesmen i vogël, të mos e blesh me energjinë 18 lekë, por ta blesh 6 lekë.
Të blesh ujin me tarifë të përgjysmuar. Të paguash sipërfaqen publike 5 herë më lirë. Ti ndërtues, të paguash për ndërtimin taksa 10 herë më të ulëta, jo të llogaritura me çmimin e shitjes, por me preventivin.
100 ditë na duhen që, të vendosim taksën e sheshtë 10%, dhe çdo biznesmen, çdo i punësuar me rrogë mbi 500 euro, do paguajë 10%, dhe 13% do i mbetet atij. Do i rritet rroga 13%. Do i rriten të ardhurat 13%.
Në 100 ditë, na duhen për të ulë TVSH-në 15%.
Pra, për të krijuar krejtësisht një hapësirë tjetër, shpresën dhe besimin për Korçën dhe Shqipërinë tek qytetarët.
100 ditë na duhen që, fermerët e K orçës të kenë të njëjtat subvencione, absolutisht të njëjta me fermerët e Maqedonisë.
Të keni të njëjtat subvencione me fermerët e kosovës, Serbisë dhe Malit të Zi.
Të merrni 5 herë më shumë subvencion për çdo bagëti, për çdo fidan të mbjellë. Dhe ju garantoj mbrojtje të plotë sezonale të prodhimeve tuaja.
100 ditë na duhen, korçare dhe korçarë, pavarësisht nga bindjet tuaja politike që, ndërmarrjet tuaja të fasonit të mos kërcënohen më nga falimentimi për shkak të narkoeuros.
Jo, një bord që do ju kompensojë ju, çdo qindarkë për rënien e narkoeuros, do të ngrihet brenda 100 ditëve, dhe punëtorët tuaj do marrin rroga siç e meritojnë dhe ju fitime siç i meritoni.
Miq, pra në 100 ditë këtë entuziazëm, këtë mbështetje, këtë besim që ju tregoni sot, ne do ta shdnërrojmë në shpresë, mirësi për të gjithë shqiptarët në 100 ditët e para të qeverisjes.
Qytetare dhe qytetarë të mençur, shpesh dëgjoni se, ku gjenden këto para?
Ju garantoj se, këto para, qindarkë për qindarkë ekzistojnë, dhe ne nuk bëjmë gjë tjetër, vetëm ua kthejmë ju paratë.
Pse?
8 miliardë euro ishte buxheti i këtij viti.
16 milionë, Edi Rama shpirtkazmë la për 760 mijë pensionistë.
8 miliardë euro ishte bixheti i këtij viti. 32 milionë euro subvencione la për 380 mijë fermerë shqiptarë.
Mund t’i marrim një e nga një. Po pse kaq?
Sepse të tjerat i vjedh, i vjedh, i vjedh me rrugë që ndërton me çmim 10 herë mbi çmiin e zakonshëm.
Miqtë e mi, po unë jam këtu në një bisedë të hapur me ju. Nuk janë ëkto më të vështirat. Këto janë, t’u them ju, 100% të realizueshme.
Një tjetër kemi më të vështirë, një mision tjetër kemi, një objektiv tjetër kemi, për të cilin ne do të bëjmë çdo sakrificë dhe kjo është, t’i japim kombit moshën e rinisë. Ta sjellim prap kombin në rininë e tij.
Dhe unë u garantoj ju, dhe çdo të ri, çdo fëmijë, në Korçë dhe në Shqipëri, se kjo do të jetë përparësia më absolute. Kjo është Leva e Arkimedit për të shpëtuar kombin shqiptar.
Ndaj dhe ne, për të sjellë kombin në moshën e rinisë do ta nisim tek lindjet.
Për fëmijën e parë 70 euro. Për fëmijën e dytë 60 euro. Për fëmijën e tretë, pagesa e plotë nga lindja gjer në 23 vjeç.
Kombi ynë duhet të jetë komb me të ardhura dhe komb me shpresë. Por, komb pa rini, pa të ardhme nuk ka.
Për fëmijët, shkolla të cilat do të modernizohen, digjitalizohen në të gjithë veprimtarinë e tyre. Dyfishimi i buxhetit për arsimin, rrogat e mësuesve minimalja 1500 euro.
20% e fëmijëve që mbarojnë 9-vjeçaren nuk ndjekin gjimnazet. Kjo është e papranueshme. Do shkojmë drejt arsimit të mesëm të detyrueshëm. Kombet që kanë patur arsim të mesëm të detyrueshëm janë zhvilluar më shpejt dhe më mirë.
Ndaj dhe, asnjë fëmijë pa arsim të mesëm nuk do mbetet.
Të dashur miq, hiqet mesatarja për universitete. Do bëhet çdo përpjekje që, çdo i ri që mbaron gjimnazin të ndjekë universitetin. 200 euro bursën për të gjithë ata që studiojnë jashtë rrethit te tyre. Studentët, 200 euro bursën për të rinjtë që shkojnë në shkolla profesionale parauniversitare.
Shkolla dhe punësimi do të jenë të lidhura në binjakëzim. Do krijohet fondi kombëtar i praktikave për studentët dhe të rintjë, ç’ka do të thotë, qeveria do paguajë universitetet, do lidhen në ortakëri me sipërmarrje publike dhe private dhe qeveria do paguajë të gjithë praktikën e studentëve në këto sipërmarrje.
Universitetet do të kenë zyrat e karrierës, jo vetëm për të orientuar të rinjtë, por për të lehtësuar punësimin e tyre.
Brenda 1 viti, çdo i ri i diplomuar do të ketë një vend pune në sektorin publik ose privat.
Vitin e parë qeveria do të shtojë 1000 vende pune për universitetin për ekselencat, për studentët më të mirë.
Krijohet fondi kombëtar i rinisë. Start up Albania, start up-et e të rinjve do marrin 5000 mijë euro grante falas për bizneset që do nisin. Studentët do marrin grante për biznese apo projekte që do të bëjnë.
Miq, në qoftë se ne, nuk u kthehemi në mënyrën më serioze, mendjen dhe sytë e zemrën tek këta të rinj, që po bëhen çdo ditë e më shumë si uji i pakët, ne i kemi të kota përpjekjet.
Ne do përqendrojmë të gjithë forcën tonë, pikërisht tek ata. Në mënryrë që, ata të shkollohen, të shkojnë jashtë dhe të kthehen, të kenë sukses, të kenë një çati.
Çdo çift i ri do ketë 30 mijë euro grant për të paguar interesat e kredisë dhe për t’u strehuar.
Talenti, ëndrra janë mrekullia më e madhe e të rinjve. Një fond i posaçëm për të rinjtë e talentuar, 5 milionë euro, me të cilin do mbështetet çdo projekt i tyre në sport, muzikë, letërsi, teknologji dhe çdo fushë.
Pra, e kemi vendosur dhe jemi dakord, t’i vendosim në epiqendër, të bëjmë gjithçka që energjitë e tyre, ëndrra e tyre të ndërtohet në Shqipëri, të qendrojnë në Shqipëri.
Do bëjmë çdo gjë për të rikthyer qindra e mijëra të rinj që u larguan nga Shqipëria. Kam besim të plotë se arrihet. E arritëm në vitet 2009-2013, 180 mijë familje u kthyen.
Tani, 5 vite pa asnjë taksë, kredi t ëbuta për strehimin, grante për start up-et për të gjithë të rinjtë që, nga emigracioni kthehen për të punuar dhe jetuar në Shqipëri.
Fara jonë nuk do zhduket kurrë. Ne do e sjellim kombin në moshën e tij të rinisë, për të mbetur përjetë një komb i ri. Kjo dramë që krijoi Edi Rama, kjo ëndërr e keqe, me 11 maj lihet, arkivohet në histori. Çelim së bashku një kapitull, një epokë të re për Korçën, korçarët, Shqipërinë, shqiptarët.
Rrofshi ju, rroftë Korça, rroftë Shqipëria!