Berisha ka udhëtuar nëpër histori/ Gjekmarkaj: Lezha blu ka qiellin, blu ka detin, blu ka votën me 11 maj
Partia Demokratike zhvilloi një miting madhështor në Lezhë, në kuadër të përmbylljes së fushatës elektorale. Në fjalën e tij, drejtuesi politik i Qarkut të Lezhës, Agron Gjekmarkaj, theksoi rolin historik të Sali Berishës, duke e cilësuar si një lider që ka ndryshuar rrjedhën e historisë në favor të kombit shqiptar.
Ai iu referua edhe Departamentit Amerikan të Shtetit, duke e akuzuar se ka bërë një korrigjim të vonuar ndaj vendimit për shpalljen “non grata” të Berishës. Sipas tij, tashmë e drejta dhe e vërteta po rikthehen, ndërsa sulmet ndaj PD-së nuk janë gjë tjetër veçse tentativa për të njollosur një kauzë të drejtë. Gjekmarkaj deklaroi se Amerika e Donald Trump është në krah të shqiptarëve dhe se misioni i Berishës është të rikthejë Shqipërinë madhështore.
“Sali Berisha, ti ke udhëtuar nëpësr hitori dhe e ke ndryshuar atë, e ke kthyer në favor të kombit tënd.
Këtë e konfirmoi dhe lajmi i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit që flaku nongratën Sali Berishës si një turp të komplotit sorosist.
E mbani mend kur na thonin se nuk blihen me lekë vendimet e Departamentit të Shtetit, tani që e drejta kthehet, e vërteta triumfon, Departamenti korrigjon atentatin ndaj Sali Berishës, na thonë e keni blerë.
Ne nuk kemi blerë asgjë, Amerika kampioni i lirisë dhe demokracisë nuk është në shitje, ajo është e madhe sepse nuk rresht së kërkuari të vërtetën, të drejtën e cila u kthye sovrane.
Amerika ku Donald Trump është me ty Sali Berisha, është me ne, është me shqiptarët, atë po e bën përsëri të madhe misionari Trump, Shqipërinë madhështore, misionari Berisha.
Ti i munde kasandrat, i zhgënjeve sibilat, i shërove skeptikët, zhbëre rrjetën mafioze të rilindjes.
Nuk e bëre për vete po për dinjitetin e flamurit, për tingullin e gjuhës shqipe, për amzën shqiptare, për Shqipërinë e Kosovën, për krenarinë e brezave.
Lezha dhe lezhjanët kanë guxuar dhe kanë rezistuar edhe në kohë më të vështira kur grabitësit e pasurive dhe votave të shqiptarëve rrëmbyen me dhunë fitoren e shqiptarëve në 2021, në Lezhë nuk ja dolën, jo s’guxuan por nuk i lejuam ne, ashtu siç nuk do t’i lejojmë edhe më 11 maj”, Gjekmarkaj.