Berisha në Lezhë: Në 100 ditë ne bëjmë ndryshimin e madh! Bashkohuni në një besëlidhje me ne!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka prezantuar programin e ‘Shqipërisë Madhështore’ gjatë fjalës së mbajtur në tubimin përmbyllës elektoral në Lezhë.
Ai u shpreh se, brenda 100 ditëve të para, qeverisja e PD-ASHM do të bëjë ndryshimin e madh. Berisha tha se, Lezha më shumë se çdo gjë tjetër simbolizon besën tonë, virtytin e të gjitha virtyteve. Simbolizon bashkimin, ndaj dhe këtu nga Lezha u bëj thirrje shqiptarëve të të gjitha bindjeve politike, le të bashkohemi me 11 Maj për të transformuar Shqipërinë në 11 ditë.
“Qytetarë dhe qytetare të Lezhës, mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta ndaj jush që keni mbushur sot në mënyrë madhështore këtë shesh, por ndaj të gjithë qytetarëve të Lezhës, të këtij qarku, nga Kumbulla dhe Mërkurthi gjer në Shëngjin, nga Torovica gjer në Fushë Krujë.
Mbështetja juaj ka qenë dhe mbetet për ne detyrimi më i madh dhe u garantoj se do bëjmë gjithçka për ta shpërblyer me mirënjohje këtë mbështetje.
I dashur zoti Agron Gjekmarkaj, drejtues politik i qarkut të Lezhës.
I dashur zoti Fatmir Mediu, kryetar i PR, aleat që në themelim i PD.
I nderuar zoti Chris LaCivita, zoti Paul Manafort, i nderuar zoti Philip Griffin.
Të dashur miq, është një mbrëmje madhështore, është mbrëmja ashtu siç duam të bëjmë Lezhën.
Po vij nga Shkodra, në çdo rrugë dhe rrugicë, në çdo qytetar dhe qytetare, shihej qartë fitorja.
E tërë Shqipëria është në këmbë, e tërë Shqipëria pret 11 Majin si orën e votës së shqiptarëve për shpresën, besimin, të ardhmen e Lezhës dhe Shqipërisë.
Një nderim të madh për ju që e shndërruat këtë pranverë në një dimër të thellë për Edi Ramën.
Që ia shuat shpresat dhe e bëtë të presë me tmerr dhe panik 11 Majin si ditën e ndëshkimit të tij shembullor, të merituar.
Miq, Lezha më shumë se çdo gjë tjetër simbolizon besën tonë, virtytin e të gjitha virtyteve.
Simbolizon bashkimin.
Ndaj dhe këtu nga Lezha u bëj thirrje shqiptarëve të të gjitha bindjeve politike, le të bashkohemi me 11 Maj për të transformuar Shqipërinë në 11 ditë.
Dhe unë u jap fjalën ju se pas 100 ditësh, kjo Lezhë, kjo Shqipëri do jetë tjetër.
Në qoftë se dal sot para jush, në qoftë se vij sot për të mbyllur fushatën elektorale me ju, nuk vij për karrigen time.
Jo, vij për një mision. Të transformojmë së bashku Lezhën dhe Shqipërinë.
Vij për një mision që në 100 ditë të përzëmë nga vatrat tona mjerimin e skajshëm që e mbolli Edi Rama me grupin e hajnave të tij.
Në 100 ditë, çdo pensionist që merr sot nën 172 mijë lekë, dhe të tillë sot janë 560 mijë burra dhe gra, do marrë secili jo më pak se 200 euro.
Në 100 ditë, çdo qytetar nuk do ketë rrogë më të ulët se 500 euro.
Në çdo pensionist dhe rrogëulët do ketë kartën e konsumatorit. Do blejë të gjithë gjërat bazë 20 përqind më lirë se të tjerët.
Në 100 ditë, energjinë elektrike do e paguani me 7 lekë kilovati.
Në 100 ditë, shqiptarët do kenë listën e barnave të rimbursuara 100 përqind që ka republika italiane.
Në 100 ditë, nafta do shitet me çmimin e njëjtë me Kosovën dhe Maqedoninë, pra 40 përqind më lirë.
Duam 100 ditë nga ju sepse do jenë 100 ditët tuaja, do jenë 100 ditë të ndryshimeve të mëdha.
Çdo biznesmen i vogël do blejë energjinë me 6 lekë kilovati dhe jo 18.
Çdo biznesmen i vogël do paguaj hapësirën publike një të pestën e asaj që paguan sot.
Do paguajë tarifën e ujit sa gjysmën e asaj që paguan sot.
Pra a nuk përbën kjo një ndryshim të madh për çdo biznesmen?
Çdo biznesmen i mesëm apo i madh, tatim fitimin nga 23 përqind do e ketë 10 përqind.
Të gjithë rrogëtarët me rroga mbi 500 euro do kenë një rritje imediate rroge prej 13 përqind.
TVSH-ja do ulet në 15 përqind.
Miqtë e mi, jo më pak do përfitojnë fermerët e Lezhës dhe të Shqipërisë.
Sot tregjet janë të mbushura me importe sepse janë hapur doganat me Ballkanin e Hapur. Akti i parë, Ballkani i Hapur në kosh të plehrave.
Çdo biznesmen do ketë subvencione për çdo fidan të mbjellë, për çdo kokë bagëti, për çdo njësi prodhimi, të barabarta me fermerin në Maqedoni, Serbi dhe vende të tjera. Sa janë ato? Pesë herë më shumë.
Pra në qoftë se fermeri i Lezhës subvencionohet as 10 përqind të shpenzimeve, fermeri i Kosovës subvencionohet 70 përqind të shpenzimeve. Po më thoni ju mua, kush është më e pasur, Shqipëria apo Kosova?
Prandaj në 100 ditë ne bëjmë ndryshimin e madh. Bashkohuni në një besëlidhje për të votuar mirëqenien tuaj.
Garantoj të gjithë fermerët se prodhimet e tyre do mbrohen në çdo sezon.
Garantoj eksportuesit dhe prodhuesit se do mbështeten fuqimisht nga qeveria.
Mijëra ndërmarrje dhe ferma kanë falimentuar. Eksporti është përtokë për shkak të rënies së euros”, u shpreh Berisha.