Boçi: Berisha misionar i ndryshimit! Më 11 maj do të ndalim të keqen që ka sjellë Edi Rama!
Drejtuesi politik i PD i Qarkut Shkodër, Luçiano Boçi, gjatë takimit përmbyllës të zhvilluar nga PD ASHM në Shkodër, theksoi lidhjen e fortë me qytetarët në çdo fshat, qytet dhe lagje të qarkut. Ai u shpreh se gjatë këtyre ditëve janë ndarë bashkë biseda, emocione dhe shqetësime të përbashkëta.
Boçi vuri theksin te dhimbja dhe shpresa që ka parë në sytë e njerëzve, duke përmendur dramat e emigrimit dhe krimet e ndodhura nën qeverisjen aktuale. Ai akuzoi Edi Ramën për gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet Shqipëria dhe për dëshpërimin e qytetarëve që duan të largohen. Boçi tha se PD do t’i japë fund kësaj situate me fuqinë e njerëzve dhe të fitores së saj.
“Gjatë këtyre ditëve, ne jemi takuar bashkë, kemi biseduar bashkë, kemi folur bashkë.
Mes nesh është edhe zoti Lacivita të cilit i urojmë mirëseardhjen dhe zoti Manaford të cilit i urojmë mirëseardhjen.
Ne kemi shkuar kudo, në çdo fshat, në çdo qytet, në çdo lagje, dhe me vete kemi pasur në sy imazhin dhe dhimbjen e njerëzve tanë që kalojnë lamashin me gomone mbi supe, kemi pasur në sy imazhin dhe dhimbjen e vrasjes së Martinit në oborrin e shkollës për shkak të Edi Ramës, kemi pasur në sy rininë e cila kërkon të ikë, nuk ka rëndësi se ku, ka rëndësi vetëm të ikë, të largohet, për shkak të Ramës.
Kemi parë fermerin dhe kemi imazhin e tij në sy që ai mallkon punën dhe profesionin e tij për shkak të Edi Ramës.
Kemi në sy imazhin e të përsekutuarit që ndihet edhe sot i përsekutuar, ndaj të dashur miq kjo situatë duhet të ndryshojë, ne të keqes së madhe duhet t’i themi ndal, dhe ne do ta bëjmë këtë, me fuqinë e njerëzve, e fuqinë e PD, me fuqinë e fitores sonë.
Programi i Partisë Demokratike në radhë të parë është një program njerëzor, pastaj është një program që nga njerëzorja nxjerr madhështinë e njeriut shqiptar, madhështinë e kësaj Shqipërie.
Shqipëria kurrë nuk ka qenë në situatën që e ka çuar sot Edi Rama, dhe kjo të dashur miq është luftë mes të mirës dhe së keqes, mes gënjeshtrës dhe së vërtetës, midis të drejtës dhe të padrejtës, është një udhëkryq historie i cili do të përcaktojë për vite të tëra fatet e fëmijëve tanë, fatet e familjeve tona, fatin e Shkodrës dhe fatin e Shqipërisë sepse ajo që na ka sjellë këtu të gjithë ne është më e madhe se politika, më e fortë se disa karrige të thyera parlamenti, ajo që na ka sjellë këtu është më e vërtetë se jeta sepse Sali Berisha është misionar, sepse ne jemi misionarë të Partisë Demokratike, sepse ju të dashur qytetarë jeni misionarë të fitores së Partisë Demokratike dhe shpëtimit të Shqipërisë”, tha Boçi.