7 milionë euro nga xhepat tanë’/ Çollaku: Babloku më bujar se Danimarka, e doroviti Giro d’Italia 2 herë e gjysëm më shumë
Postimi:
Giro d’Italia, bablok-eurohovardari, Danimarka dhe Josip Broz Tito
(Këto rreshta janë ekskluzivisht për votuesit dhe simpatizantët eventualë të PS. Nuk i nxis të ndërrojnë mendim, por thjesht të mendojnë. Të paktën për veten dhe familjen e tyre)
Nesër nis Grande Partenza e Giro d’Italia. Edicioni i 108-të i saj që nga fillimi i saj në 1909. Për këtë edicion kandidoi rajoni i Friulit në Itali me ofertën 6 milion euro. Por bablok-eurohovardari ofroi 1 milion më shumë, 7 milion € dhe fitoi. 7 milion € të nxjerra nga fondi rezervë i qeverisë, dmth nga taksat tona.
Për ta kuptuar peshën e shpenzimit, saktësojmë se sipas World Bank Open Data, rajoni i Friulit e ka GDP 33 miliardë e 770 milionë €, ndërsa Shqipëria, 23 miliardë e 550 milionë €. Po sipas Bankës botërore, të ardhurat për frymë në Friuli janë 31 mijë e 400 €, ndërsa në Shqipëri, 8 mijë e 575 USD.
Llogaritë bëjini vetë. Siç thoshte Nikollaq Opingari, “jeta është matematikë Olimbi!”.
Shqipëria nuk është vendi i parë i huaj ku ndodh Grande Partenza.
Psh në 2012 është bërë në Danimarkë. Për këtë Danimarka pagoi vetëm 2 milion €. Kujtojmë se ky vend e ka GDP 407 miliardë e 100 milionë € dhe të ardhurat për frymë, 68 mijë e 454 €…
Por babloku është më bujar se Danimarka: e dorovit Giro d’Italia 2 herë e gjysëm më shumë se ky vend që për shëndetësinë bie fjala, harxhon 10.4 % të GDP krahasuar me ne që harxhojmë vetëm 3.94 %.
Por Danimarkës së mjerë e fakire ne ia kalojmë edhe për kostot e ndërtimit të tuneleve. Psh tuneli Nordoyarunnilin në Danimarkë, 6 km e 186 m i gjatë ka kushtuar 52 milionë e 943 mijë e 627 €, ai i yni, i Llogarasë, 6 km, pra 186 m më i shkurtër, ka kushtuar të paktën 180 milionë €…
Nesër bablok-eurohovardari do të jetë primadona e nisjes së madhe të Giro d’Italia. Do t’i dhurohet në sheshin Skëndërbej edhe bluza rozë, me numrin 5…Ky është skenari e regjia. Ia vlen kaq gjë për 7 milionë € “ të qelbta” nga xhepat tanë…
Për euforikët e këtij eventi në Shqipëri, sjellim në kujtesë se në 1971, edicioni i 54 i Giro d’Italia ka patur dy etapa, në një vend komunist, në Jugosllavi. Kur ministri i sporteve dhe presidenti i federatës së çiklizmit të Jugosllavisë iu lutën marrshallit Josif Broz të merrte pjesë në ceremoninë e Giro d’Italia në Jugosllavi, ky i fundit u përgjigj me një refuzim kategorik : “Jo. Unë jam Tito dhe jo Toto”, (duke iu referuar komikut të famshëm italian Antonio de Curtis).
Pedalim të mbarë dhe fitoftë më i miri!