Boçi: Beci po përpiqet t’i vjedhë zgjedhjet në Shkodër
Partia Demokratike ka ngritur akuza të forta ndaj kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, duke e cilësuar si organizator të përpjekjeve për të manipuluar votat e qytetarëve më “11 maj”.
Në një deklaratë për media, drejtuesi politik i PD për Shkodrën, Luçiano Boçi, tha se Beci është ndërgjegjësuar se nuk mund ta ndalë dot fitoren e opozitës në Shkodër, por vazhdon të abuzojë me detyrën dhe të politizojë administratën bashkiake.
Deklarata e Luçiano Boçit:
Lajmi i mirë se edhe organizatori i çdo përpjekje për të penguar vullnetin e shkodranëve më 11 Maj, Benet Beci, e ka kuptuar se e ka të kotë. Nuk mundet dhe nuk do ta lejojmë.
Lajmi i keq është se për Benetin, vesi dalka me shpirtin
Ashtu siç erdhi, i marrë peng, kërkon të imponohet duke marrë peng një proces që është fillimi i fundit të tij.
Benet, kjo është direkt për ty. Boll.
Hiq dorë se e ke bere Bashkinë si Çerdhe Partie!
Rama ta ka gjetur zëvendësuesin pas datës 11 dhe po të çon ti bësh shoqëri Erion Veliajt.
Presioni që po ushtron ndaj administratës shtetërore, por edhe direkt ndaj komisionerëve të Partisë Demokratike janë përpëlitjet e një regjimi që po shembet.
Konkretisht, presioni ndaj dy komisionarëve tanë, Petrit Dyli dhe Fatmir Shabaj, nga Jozef Kulla, me titull Drejtor i Mirëmbajtjes së Objekteve, Bashkia Shkodër dhe nga sot Bandit politik, përbën shkelje ligjore dhe është dhune politike.
Ti dhe drejtori yt jeni tashmë të raportuar në misionet ndërkombëtare dhe do kallëzoheni në SPAK për krim zgjedhor
Sot mesazhi ynë është i qartë për çdo punonjës të ndershëm të këtij vendi: mos hezitoni ta ndëshkoni një regjim që po shembet pa kthim.
Askush nuk ka të drejtë t’ju shantazhojë për vendin tuaj të punës dhe pas 11 Majit, kjo sjellje nuk do të harrohet dhe as të tolerohet.
Ne nuk kemi betejë me administratën.
Përkundrazi – ne do t’i mbrojmë pa asnjë mëdyshje.