Berisha denoncon me VIDEO “trenin bullgar” në Elbasan: Duam qeveri teknike dhe zgjedhje të reja
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha denoncoi të enjten rast që sipas tij dëshmon manipulimin e zgjedhjeve në fshatin Pekisht të Elbasanit.
Në një konferencë për mediat Berisha shfaqi një video ku sipas tij janë gjetur materiale zgjedhore dhe sasi të konsiderueshme narko-euro në barin e kryeplakut të fshatit, Dervish Beqiri, i cili është vëzhgues i besuar i Partisë Socialiste.
Berisha përsëriti se PD nuk do t’i njohë këto zgjedhje që sipas tij janë një farsë elektorale, ndërsa theksoi se e vetmja zgjidhje është krijimi i një qeverie teknike dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja ku qytetarët të votojnë të lirë.
“Këto zgjedhje kurrë nuk do njihen, ata që mendojnë se mund t’i imponojnë shqiptarëve vullnetin e tyre gabojnë. Ka vetëm një zgjidhje, krijimi i një qeveri teknike dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja ku shqiptarët të votojnë të lirë. Kemi me qindra dokumente të shkatërrimit të procesit zgjedhor, kjo është farsa e vërtetë elektorale. Do qëndrojmë në të gjithë fuqinë tonë që shqiptarët të votojë si qytetarë të lire dhe jo në farsa të turpshme elektorale të njëjta me ato të Zimbabve 30 vjet më parë. Gjithçka janë rezultate të paracaktuara, ka kuti votimi ku 200 fletë njëra pas tjetrës kanë të njëjtën palosje”, tha Berisha mes të tjerash.
“Treni bullgar mbeti në stacionin e Pekishtit. Doli nga shinat dhe mbeti aty,” u shpreh Berisha, duke iu referuar një praktike të njohur për manipulimin e votave.
Berisha theksoi se ngjarja është e ngjashme me raste të tjera të denoncuara më herët në zona si Kashari dhe Astriti, ku sipas tij, funksiononin “qendra alternative votimi” të ngritura paralelisht me qendrat zyrtare.





Deklarata e Berishës:
Treni bullgari mbeti ne stacionin e Pekishtit, doli nga shinat dhe mbeti aty. Pas një informacioni që deputeti i ardhshëm i Elbasanit, Blendi Himçi mori mbrëmë se në fshatin Pekisht, në bar-kafenë e kryeplakut të fshatit Dervish Beqiri, vëzhgues besnik i PS, ndodhen sasi e konsiderueshme materialesh votimi, fletë votimi, lista votimi dhe narko-euro.
Siç keni parë ju, në rastin e Kasharit, në rastin tek Astiri dhe në raste të tjera, ku paralel me qendrat e votimit ishin ngritur zyrat e ‘trenit bullgar’ nga patronazhistët, kjo pra ishte një praktikë shumë e përhapur.
Sot në mëngjes herë, zoti Himçi shkoi vetë në bar-kafenë e Dervish Beqirit, hyri brenda dhe në vendin ku ishte informuar u gjet i gjithë materiali zgjedhor që do paraqesim tani para jush.
Këto që shihni ju janë fletët e votimit, listat e votimit të gjetura, që kishin kaluar prej disa netësh dhe flinin në bar-kafenë e Dervish Beqirit.
Dervish Beqiri është vëzhgues i PS, bashkia Peqin, KZAZ me numër 45, qendrat e votimit 2292-2293. Tani e shikoni tavolinën plot me euro, karta identiteti, bollëk i madh.
Kjo është tavolina e krimit elektoral. Këto janë listat. Janë 117 fletë listash votimi me vula, siç e shihni. Kjo është fytyra e vërtetë e Edi Ramës.