Dy ndere për Visin e Pojës/ Si u shpërblye trafikanti që ndihmoi PS në Durrës

I

Visi i Pojës, favori i dyfishtë i shtetit: hotel me firmën e Ramës dhe kohë për të ikur nga SPAK-u
Dosja e antimafias italiane për operacionin “Ura” nxorri në dritë një emër tjetër të bandave shqiptare të kokainës, shumë i përfolur në Durrës: Elvis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës” për shkak të xhaxhait të tij, Xhevdet Troplini një biznesmen i madh në zonën e Sukthit dhe i arestuar më parë për trafik droge.

Sipas autoriteteve italiane Visi i Pojës rezulton të jetë një njeri kyç në trafikun e kokainës drejt Italisë dhe drejtuesi i një grupi të strukturuar kriminal me rrjet në Shqipëri, Itali, Gjermani dhe deri në Amerikën e Jugut.

dënuar më herët në Itali, me kompani ndërtimi dhe lokale në emër të vetin e të tjerëve, Visi i Pojës përmendej shpesh në dosje hetimore, por fytyra e tij ishte e panjohur për opinionin publik shqiptar. Ishte falë përgjimeve të SKY ECC që antimafia italiane jo vetëm zbuloi trafikun e kokainës nga Shqipëria por ekspozoi edhe lidhjet që një nga bandat më famëkeqe të Durrësit kanë me pushtetin ekzkekutiv dhe me gjyqësorin shqiptar.

Të dyja këto lidhje janë përfolur vazhdimisht si një shkëmbim favoresh në terrenin e vështirë të mbledhjes së votave në Durrës, ku Elvis Doçi “Visi i Pojës” ishte një nga garantët e Partisë Socialiste dhe në shkëmbim u favorizua jo vetëm në biznesin e tij, por edhe në problemet që i dolën me drejtësinë italiane.

Leja e KKT për hotelin “Rock of Kavaja”

Atje ku antimafia italiane zbulon fenomenet e jashtëligjshme kriminale, qeveria shqiptare sheh “potencial turistik”. Më konkretisht, me paratë e fituara nga trafiku i kokainës, Elvis Doçi kishte arritur të merrte leje për një kompleks turistik me firmën direkte të kryeministrit Edi Rama. Në shkurt 2024, pra një vit para zgjedhjeve parlamentare, Këshilli Kombëtar i Territorit, i drejtuar nga Edi Rama, i firmos Doçit lejen për të ndërduar një hotel 10-katësh buzë detit. Dokumentet të nxjerra nga QKB tregojnë se kompania, “Eldemar Construction” në pronësi të Elvis Doçit është e lidhur me të dënuar të tjerë për trafik droge si Denis Tafili e Gëzim Hasa, të cilët kanë mbajtur poste si administratorë të firmës.

Brenda pak muajsh, pas miratimit të lejes, Visi themelon “Rock of Kavaja” dhe transferon 60% të saj te kompania CFO PHARMA. Brenda 72 orëve, kompania rrit kapitalin nga 100 mijë lekë në 2.3 milionë euro, përmes tokës që Visi kishte futur pa dokumentim të qartë financiar. Më tej, në lojë hyn edhe brandi prestigjioz “Pullman” i grupit Accor, që sipas vetë Ramës – në intervistën e tij për “France Soir” – erdhi në Shqipëri falë mikut të tij, Nicolas Sarkozy.

Kryeministri Edi Rama gjatë intervistës për “France Noir”

“Po, Accor ka disa kontrata këtu me shumë investitorë. Ata kanë ardhur në Shqipëri para 4 vitesh, kjo falë Nikolas Sarkozi, që është pjesë e bordit të projekteve që janë zbatuar. Ai erdhi bashkë me Carla Bruni, bashkëshorten e tij, për një vizitë dy-ditore. Carla dha një koncert këtu, e gjithashtu udhëtuam së bashku me helikopter, ku edhe mundën të shihnin vendin. Gjëja e parë që më tha kur helikopteri u ul në tokë, është që ne po qëndronim mbi një minierë ari. Kur u kthye në Francë, ai nxiti vizitën e parë të grupit Accor në Shqipëri. Në fakt, ata e pohuan që nuk e kishin menduar ndonjëherë operimin e tyre këtu, por gjatë vizitës u mahnitën, e sot kanë disa kontrata këtu”, deklaroi Rama për median franceze duke komentuar biznesin e Visit të Pojës.

Zvarritja e SPAK pas urdhër-arrestit të gjykatës

Përballë kësaj skeme të qartë pastrimi të parave të drogës, roli i SPAK-ut ngriti pikëpyetje të shumta për zvarritjen e operacionit të Ervis Doçit pas zgjedhjeve të 11 Majit. Madje në konferencën për mediat që mbajti me prokurorët e Antimafias, Altin Dumani u pyet nga gazetarët se përse operacioni u zhvillua pas zgjedhjeve.

“Nuk ka të bëjë fare me zgjedhjet” u shpreh ai, duke shpjeguar se me prokurorët italianë veprohej si skuadër “Edhe datën e dakordësojmë së bashku. Kushtëzohemi nga njëri-tjetri në lidhje me dinamikën e hetimit, me marrjen e vendimit nga gjykata si dhe përgatitjen për ekzekutim të masave të sigurimit”.

Por edhe pas kësaj përgjigjeje, pikëpyetjet mbeten, pasi dosja e italianëve me urdhër-arrestet përkatëse ishte firmosur në fillim të muajit shkurt, ndërsa policia shqiptare ishte vënë në lëvizje në mesin e muajit maj.

Faksimile e dosjes, data 1 shkurt 2025

Përveç kësaj dokumentet tregojnë se urdhër-arrestet për të dyshuarit, mes tyre edhe për Elvis Doçin, ishin firmosur nga Gjykata kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që më 30 prill, por SPAK vendosi të veprojë vetëm pas 11 majit, kur zgjedhjet vendore kishin mbaruar. Faksimile më poshtë:

Faksimile e vendimit te GJKKO qe mban daten 30 prill

Ndërkaq, personazhi kryesor i dosjes, Visi i Pojës, kishte pasur plot dy javë të largohej. Dhe siç ndodh zakonisht në Shqipëri, ai u zhduk pa gjurmë duke përfituar nga koha që i fali kreu i SPAK, Altin Dumani. Në këtë situatë, pyetjet që shtrohen shkojnë përtej përgjigjeve klishe. Çfarë e ndaloi Altin Dumanin ta zbatonte urdhrin e gjykatës që më 30 prill? Kush e favorizoi Visin e Pojës, gjatë kohës që gjykatësi kishte firmosur një urdhër-arresti? Përse duhej lënë i lirë ai deri në 11 Maj?

Opozita deri më tani e ka konsideruar zvarritjen e arrestimit të Visit si një akt të paramenduar politik. Njeriu që furnizonte me kokainë jugun e Italisë duhej lënë i lirë për të mbajtur premtimet e 11 Majit në Durrës, ku Partia Socialiste nxorri me vota rekord dy deputetë deri më sot të panjohur për publikun. Ky është rasti tipik kur trafikantët e drogës dhe bandat e Durrësit gjejnë aleatët e tyre në politikë. Mjafton të shohësh kush e ka firmosur lejen e hotelit luksoz dhe kush e shtyn arrestimin e kërkuar nga partnerët përtej Adriatikut./Lapsi.al

Share it :