Korrupsioni në Bashki/ SPAK rrëzohet para drejtoreshës së Erjon Veliajt

Korrupsioni në Bashki/ SPAK rrëzohet para drejtoreshës së Erjon Veliajt

Vrulli fillestar i prokurorëve të SPAK për ndëshkimin e zyrtarëve të korruptuar që punuan me kompaninë “5D” në Bashkinë e Tiranës rrezikon të shndërrohet në një flluskë sapuni, që pati si qëllim çmontimin e klanit “Veliaj”, por që nuk arriti t’i shkojë deri në fund drejtësisë për krimet e gjetura në bashki.

Gjykata kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit rrëzoi kërkesën e SPAK për burg ndaj ish-drejtoreshës së klubit sportiv “Tirana” dhe tre anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, duke ua konvertuar dënimin në disa orë pune në komunitet. Një vendim që bie ndesh me faktet e publikuara nga vetë SPAK që tregonin për një skemë klasike korrupsioni me zinxhir urdhrash dhe veprimesh të koordinuara nga lart poshtë.

Në dosjen që kishtë përgatitur SPAK kishte prova të mjaftueshme se drejtoresha në fjalë ishte e përfshirë kokë e këmbë në manipulimin e tenderave, duke eleminuar kompanitë e tjera sipas një procedure të qepur posaçërisht për kompaninë “5D” që e menaxhonin në prapaskenë bashkëpuntorët e ngushtë të Veliajt, Maringlen Qato, Taulant Tusha dhe Redi Molla.

Njësoj si në rastin e inceneratorëve, edhe këtu funksiononte një skemë e përmbysur e procedurave shtetërore, pasi specifikat e tenderit nuk hartoheshin në zyrat e shtetit, por në tryezat e kompanisë private “5D” me administrator Nestor Muhametllarin.

Nga zyrat e “5D” Nestori i përvishej punës për të kopsitur dokumentat shtetërore në interes të pronarëve të tij, teksa i duhej të sajonte truke të veçanta për ofertën e radhës në mënyrë që të skualifikonte konkurentët e tjerë në treg.

I tillë ishte rasti i tenderit për rikonstruksionin e palestrës së mundjes për sportklub “Tirana”, institucion në varësi të bashkisë.

Mesazhet në celularët e sekuestruar të Deborah Keçi dhe Nestor Muhametllari tregojnë se të dy ishin në komunikim gjatë kohës kur përgatiteshin procedurat për tenderin. Fillimisht Deborah Keçi i kalonte Nestor Muhametllarit të gjithë dokumentacionin paraprak për organizimin e tenderit, madje i mundësonte hyrjen në sistem, duke u pajisur me “user” dhe “passëord” të një prej antarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Në dosje është e provuar se pasi skualifikonin kompanitë e tjera private që kishin marrë pjesë në “garë”, shpallej fituese kompania “5D” dhe përçudnimi i detyrës shkonte deri aty, sa që në konsultim me Nestor Muhametllarin i kthehej përgjigje ankesave të kompanive që ishin skualifikuar.

Dikush mund të thotë se drejtoresha e Veliajt nuk ishte e ndërgjegjshme për dëmin që po i shkaktonte shtetit apo se ishte një punonjëse e marrë peng nga presionet dhe intimidimi i atyre më lart. Por faktet flasin ndryshe. Në mesazhet që u gjetën në celularin e Deborah Keçit ajo duket plotësisht e ndërgjegjshme për shërbimet e paligjshme që po u bënte eprorëve, madje në mesazhe, lutet që dokumentat të shihen me kujdes, duke u shprehur: “Vetëm aman shikojini tamam se mos ham ndonjë burg”.

“Më dilni për zot tani” është fjalia me të cilën drejtoresha e Veliajt e mbyll komunikimin për manipulimin e tenderit, një dëshmi e qartë se ishte duke kryer një krim në shërbim të eprorëve të saj.

Megjithatë, për Keçin dhe tre zyrtarët e tjerë, Teuta Guri, Renaldo Gjerazi dhe Jetjon Mera, gjykata nuk pa asnjë rrezikshmëri, asnjë abuzim të rëndë, madje ka shfaqur mëshirë duke ua konvertuar burgun në shërbim prove, ndonëse në lojë ishin fondet publike dhe një procedurë e qartë manipulimi.

Pyetja që lind është: A do të vlejë kjo mëshirë edhe për drejtorët e tjerë të Bashkisë së Tiranës? A do të dështojë SPAK edhe në rastet e tjera të korrupsionit në Bashkinë e Tiranës?

Nëse po, atëherë dosja “5D” nuk do të mbahet mend për drejtësinë që dha mbi korrupsionin në bashki, por për luftën e ashpër brenda llojit, që nuk ka fund tjetër, që përdor edhe SPAK me qëllim eleminimin total të kundërshtarit politik./Lapsi.al

Share it :