Berisha: Dumani i mbajti në xhep 22 ditë urdhërarrestet nga Italia! Vetëm 11 u prangosën, por jo kokat e kartelit!
Kryetari i PD, Sali Berisha, i ftuar në A2 CNN, deklaroi se, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani i mbajti në xhep 22 ditë urdhërarrestet nga Italia” për dosjen “Ura”.
Berisha tha se, nga 52 urdhërarreste, vetëm 11 janë ekzekutuar, ndërsa asnjëri prej të arrestuarve nuk është drejtues karteli.
“Dikush më thotë, por duhet vërtetuar kjo, se urdhërarrestet që vijnë nga jashtë, masat zbatohen dhe pastaj përkthehet dosja. Por, edhe po të kërkonte përkthim, sot përkthehet shpejt me inteligjencë artificiale. Ndërsa Altin Dumani e mbajti në xhep 22 ditë. Nuk e ekzekutoi. I shkoi më 30 prill nga Irena Gjoka dhe e ekzekutoi më 21 maj. Dhe faktikisht, të gjithë ata u larguan përveç njërit. Vetëm 11 janë arrestuar nga 52 urdhërarreste dhe asnjëri prej të arrestuarve nuk është drejtues karteli”, tha Berisha.
Sipas Berishës, “zgjedhjet si një garë e hapur shndërrohen në farsë në çdo vend dhe çdo rast, kur shteti shndërrohet në shtet elektoral”.
“Kur shteti me administratë 200 mijë vetë, që ka 8 miliardë buxhet, që ka dhjetëra mijëra zyra… nëse mobilizon të gjithë këto potenciale për garë, garë nuk ka. 11 dië para datës së votimit, në Valencia 82 parti politike votuan një rezolutë ku shprehen se Edi Rama po shtyp pluralizmin duke përdorur institucionet, ka kapur drejtësinë, po blen vota me lekë, po blen vota me kanabis. Rezolutat kishin vlerë se sensibilizuan komunitetin ndërkombëtar. Vetë komuniteti ndërkombëtar ka pasur vëzhguesit e tij. Ne arritëm që ta bënim këtë farsë elektorale si farsë të paralajmëruar”, shtoi më tej Berisha.